Lajmet

Lajmet

Në Akademi u mbajt dita e informimit rreth programit Erasmus +

Vushtrri, 11 janar 2024 - Në Akademinë e  Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot u mbajt Dita Informuese  rreth programit të Erasmus+.  Ky aktivitet kishte për qëllim shpërndarjen e informatave për rregullat dhe procedurat e reja të aplikimit në Programin Erasmus +.



Më 28 nëntor të vitit që e lamë pas,  programi Erasmus+  ka bërë hapje për thirrje të reja  për vitin 2024.  Studentë, stafi akademik i Fakultetit të Sigurisë Publike  (FSP) gjatë këtij takimi u njoftuan edhe për përfitimet të reja që fakulteti mund të ketë nga ky program.



Në kuadër të ditës informuese të programit Erasmus +, koordinatorja e zyrës së Erasmus+ në Kosovës  Mimika Dobroshi e shoqëruar nga Blerina Zjaça,  i njoftuan të pranishmit  për dallimet që kanë thirrjet e reja  nga thirrjet e vitit të kaluar, pra vitit 2023.



Zyrtarët nga programi Erasmus +, shpjeguan rregullat e reja të aplikimit dhe kushtet që duhet plotësuar për të qene përfitues të këtij programi.



Në këtë takim ndër pikat që u diskutua ishte mobiliteti i individëve si për arsimin e lartë, ashtu edhe për arsimin profesional,  pastaj ngritja e kapaciteteve në sistemin e arsimit të larte si dhe për kartën e Erasmus + për arsimin e lartë (ECHE), e cila është në planet e AKSP-së për të aplikuar në të ardhmen e afërt.


Ndërsa përfaqësuesit nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike u shprehen optimist se studentët dhe mësimdhënësit  e Fakultetit të Sigurisë Publike edhe në të ardhmen do të mund të përfitojnë edhe më shumë nga programi i Erasmus +.



Në këtë takim morën pjesë Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Ferid Azemi, Udhëheqësi i Divizionit për Marrëdhënie më Jashtë në AKSP Avni Istrefi si dhe përfaqësues tjerë të lartë të Akademisë.



Ndryshe Akademia e Kosovës për Siguri Publike përmes programit Eramsus+ që nga viti 2016 e deri në vitin e kaluar, vitin 2023, ka shkëmbyer 122 studentë, pjesëtarë të stafit akademik dhe atij administrativ, prej të cilëve 97 shkues dhe 25 ardhës me 5 institucione të arsimit të lartë nga vendet e Bashkimit Evropian. Me Akademinë e Estonisë të Shkencave të Sigurisë, Universitetin e Shkencave të Aplikuara Policore të Brandenburgut në Gjermani, Kolegjin Universitar Policor të Norvegjisë, Universitetin e Shkencave të Aplikuara LAUREA në Finlandë dhe Universitetin e Zjarrfikjes në Poloni.

 

Akademia nderon veprën e heroit Bunjaku

Vushtrri, 28 dhjetor 2023 –  Një ulëse në oborrin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP),  që nga sot do ta mbaj emrin e heroit të Kosovës rreshterit Afrim Bunjaku i cili u vra më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit nga bandat kriminale serbe.

 

Zbulimi i kësaj ulëseje u bë sot në prani të familjarëve të heroit Bunjaku, ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, zëvendësuesit të Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë Kastriot Jashari, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha dhe përfaqësuesve të OSBE-së e cila është mbështetëse e Akademisë që nga themelimi. 

 

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se është nder i madh të jetë prezent në zbulimin e kësaj ulëseje, në vendin  ku heroi Bunjaku filloi karrierën dhe dha betimin për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe sovranitetit të territorit të Kosovës. 

 

Ministri Sveçla tha se emri i tij në këtë ulëse është motiv për kadetët e gjeneratave të reja që vijnë të shkollohen në këtë Akademi.

 

“Viti që po lëmë pas ishte vit sfidues për vendin tonë teksa u bë edhe më i vështirë me 24 shtator kur vendi ynë u ballafaqua me sulm terrorist dhe banda të organizuara paramilitare e terroriste të Serbisë që vranë rreshter Afrim Bunjaku”, tha Sveçla. 

 

Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Kastriot  Jashari  tha se misioni i heroit Bunjaku ishte vazhdimësi e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse ka rënë në mbrojtje të sovranitetit  dhe integritetit territorial të Kosovës.

 

“Vendosja e këtij simboli për Afrimin këtu në Akademi, është motiv shtesë për kadetët dhe çdo zyrtar policor, të cilët arsimohen dhe shkollohen këtu. Jam krenar që Akademia dhe policia kanë nxjerr njerëz të cilët janë të gatshëm të sakrifikojnë edhe jetën për vendin”, tha Jashari.

 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha tha se Afrimi, fatmirësisht nuk po përkujtohet vetëm nga shteti i Kosovës, por edhe nga gjithë miqtë tanë.

 

“Ai e dha jetën për këtë vend, për sigurinë e qytetarëve tanë. Emri dhe vepra e tij do të jetë një udhërrëfyes për gjitha gjeneratat e reja”,  tha Hoxha. 

 

Ndërsa familjarët e heroit Afrim Bunjaku falënderuan për nderimin që po i bëhet jetës dhe veprës së tij. 

 

Përfaqësuesi nga Akademi marrin pjesë në punëtorinë e organizuar nga AKK

Vushtrri, 12 dhjetor 2023 –  Përfaqësuesi nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Emin Uka udhëheqës i Divizionit për Sigurimin e Cilësisë ka marrë pjesë në punëtorinë lidhur më Monitorimin dhe Regjistrimin e Kornizës Kombëtarë të Kualifikimeve.


Në këtë punëtori e cila është organizuar nga Autoriteti Kombëtarë i Kualifikimit në bashkëpunim me ALLED 2 u bë prezantimi i draft-manualit për monitorim pas akreditimit të Institucioneve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional.


Ky draft ka për qëllim monitorimin e përformancës së IAAP dhe konstatimit të përmbushjes së kritereve të validimit dhe akreditimit si dhe zgjerimin e mundësive të nxënësve/kadetëve dhe aksesit për të përdorur ofrimin e kualifikimeve të besueshme dhe të garantuara me cilësi.

Në këtë punëtori u prezantua edhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike  si institucion i Arsimit dhe Aftësim Profesional me trajnime të validuara.

Akademia gjatë kësaj punëtori ka prezantuar përvojat e saj në kuadër të proceseve akredituese përfshirë edhe procesin e akreditimit ndërkombëtar me theks të veçantë pjesën e monitorimit.


AKSP ka mirëpritur digjitalizimin e procesit të AKK e cila lehtëson punën në proceset e aprovimit të standardeve të profesionit, procedurave të validimit të kualifikimeve dhe regjistrimit të kadetëve.

Gjatë kësaj punëtorie janë prezantuar edhe dy formatet e draft raporteve pas procesit të monitorimit, draft raporti i monitorimit nga ekspertët e AKK-së dhe draft raporti i monitorimit të stafit të AKK-së.


Po ashtu në këtë punëtori është prezantuar edhe drafti i parë i Udhëzimit Administrativ për monitorim pas akreditimit të Institucioneve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional .

Trembëdhjetë zyrtarë policorë përfunduan trajnimin për Njësinë e Mbrojtjes së Afërt

Vushtrri, 08 dhjetor 2023 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot  trembëdhjetë zyrtarë policorë përfunduan trajnimin për operatorë të Njësisë së Mbrojtjes së Afërt.


Në ceremoninë e çertifikimit morën pjesë  zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Kastriot Jashari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, instruktorët e këtij trajnimi dhe zyrtarë tjerë të institucioneve të sigurisë publike.


Zëvendësuesi i Drejtorit të  Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Kastriot Jashari i falënderoi  instruktoret për kontributin e dhënë në bartjen e përvojave tek zyrtarët policor.


Jashari tha se ky është një trajnim mjaftë i rëndësishëm për Policinë e Kosovës, trajnim ky i cili do të kontribuoj në punën dhe përgjegjësit e tyre.  Jashari tha se Akademia ka dhënë dhe do të vazhdojë jap përkrahje çdo zyrtari të sigurisë publike.


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se puna e policisë është më përgjegjësi të lartë. Hoxha  i inkurajoj operatorët e sapo diplomuar  që të punojnë më përgjegjësi dhe profesionalizëm.  


Trajnimi për operatorët të  mbrojtjes së afërt ka zgjatur dymbëdhjetë javë.
 


 

Në Akademi u mbajt tryezë shkencore kundër dhunës ndaj grave

Vushtrri, 07 dhjetor 2023 -   Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) sot u mbajt tryezë shkencore me titull “Çështjet me bazë gjinore dhe adresimi i problemeve me bazë gjinore”, temë kjo e trajtuar në kohën kur në Kosovë po shënohet  “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”. 

Qëllimi  ishte për të diskutuar rreth rritjes së vetëdijesimit  për të drejtat e grave dhe parandalimin e dhunës ndaj tyre. 

 

Gjatë mbajtjes së kësaj tryezë pjesëmarrësit përmes prezantimeve të tyre rekomanduan fuqizimin e veprimeve nga institucionet  për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave. 

 

Zëvendësuesi i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike,  Kastriot Jashari tha se trajtimi i temave për barazinë gjinore janë shumë të nevojshme dhe të rëndësishme. 

 

Drejtori Jashari,  vlerësoj se  institucionet e vendit në vazhdimësi po bëjnë përpjekje maksimale për avancimin dhe integrimin e  pozitës së femrës.

 

“Konsideroj që gjithmonë ka vend për avancim, aq më shumë duke pasur parasysh faktin që Kosova para 23 vitesh ka dalë nga lufta,  ndërsa krahasuar me vendet e rajonit besoj që qëndrojmë  më mirë, jo vetëm në gatishmërinë Institucionale, por edhe në vetëdijen kolektive e shoqërore në avancimin e pozitës së femrës në Kosovë”, u shpreh Jashari.

 

Jashari tha se shkeljet e të drejtave të gruas duhet të trajtohen shpejtë dhe më kujdes të veçantë.

 

Shefja e kabinetit në ministrinë e Punëve të Brendshme, Jeta Tela, vlerësoj se  diskutimet rreth trajtimit dhe adresimit të problemeve në baza gjinore  është i nevojshëm dhe i domosdoshëm. 

 

“Shumë  gra e vajza pa dallim moshe, etnie,  se a janë të punësuara apo amvise,  se ku jetojnë në fshat apo qytet, përjetojnë dhunë sistematike mbi baza gjinore si fizike ashtu edhe psikologjike”, u shpreh Tela, duke thënë se adresimi i dhunës në baza gjinore kërkon  një mobilizim institucional e serioz në trajtimin e saj. 

 

Të pranishmit që ishin pjesë e kësaj tryezë bënë disa prezantimit lidhur më dhunën dhe adresimin e saj në baza gjinore. 

 

Zijavere Kiqmezi nga  Dogana e Kosovës në punimin e saj foli rreth barazisë  gjinore, diversiteti dhe përfshirja e grave në Institucionet e Sigurisë Publike.   

 

Kiqmezi  përmendi sfidat më të cilat përballen gratë dhe vajzat  në avancimin e tyre  në pozita drejtuese. Po ashtu foli edhe për seksizmin në vendet e punës dhe diskriminimin e tyre. Ndërsa Nebih Halili nga Shërbimi Korrektues i Kosovës u paraqit me temën “Barazia gjinore: koncepti dhe të drejtat” . 

 

Mediana Bislimi nga organizata  “Qendra për bashkëpunim dhe rrjetëzim të organizatave” në prezantimin e saj  trajtoi temën  “Roli i shoqërisë civile në vetëdijesimin rreth çështjeve gjinore në Kosovë”. 

 

Po ashtu gjatë diskutimeve  me prezantim shkencor u paraqit edhe dekani i Fakultetit  të Sigurisë Publike  Ferid Azemi  me temën  “Adresimi i dhunës ndërpartner”.

 

Kurse Vilard Bytyci profesor në Fakultetin e Sigurisë Publike  foli rreth ndikimit të Konventës së Stambollit në legjislacionin e Kosovës, sfidat praktike të zbatimit. Konventë kjo e cila kundërshton dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje

Në fund të pranishmit dhanë koment dhe rekomandime se si të adresohet dhuna në baza gjinore dhe të eliminohet kjo dukuri. 

 

Të pranishëm në këtë konferencë ishin përfaqësues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) Shpresa Mulliqi dhe Shpresa Muharremi, përfaqësues nga EULEX-i, nga KFOR-i, përfaqësues nga ICITAP-i në Kosovë dhe përfaqësues nga institucionet e sigurisë publike në vend. 

 

Sqarim

Vushtrri, 05 dhjetor 2023 -Sqarim lidhur me artikullin e publikuar dje, me datën 04.12.2023 në  disa  media me titull “Protestojnë punëtorët teknikë të Akademisë Policore në Vushtrri, shkak pagat e ulta”.


 
Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP)  njofton opinionin publik se lajmi i publikuar në disa media nuk është  korrekt.
 
 
Me qëllim të informimit të  drejtë  të opinionit publik, Akademia e Kosovës për Siguri Publike sqaron se punëtorët,  të cilët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre, nuk janë punëtorë të Akademisë. Këta janë punëtorë të kompanisë së pastrimit “SCHAFBERGER” e cila  ka fituar të drejtën  për mirëmbajtje të ambientit të Akademisë. Që do te thotë për këta punëtorë nuk është përgjegjëse Akademia, por kompania në fjalë,  për të cilën ata punojnë.
 
 
Andaj me qëllim të informimit të drejtë  të opinionit publik, ju lutem informacionet dhe konfirmimet zyrtare mund të merren nga  zyra përgjegjëse për media në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.
 
Për fund emri i institucionit nuk është Akademia Policore siç është cituar në media, por Akademia e Kosovës për Siguri Publike.    
 

Diplomoi gjenerata e 43 e kadetëve të zyrtarëve korrektues

Vushtrri, 24 nëntor 2023 – Që nga sot Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK)  do t’i bashkohen edhe 45 zyrtarë të rinj. Pas një trajnim shtatë mujor në Akademinë e Kosovës  për Siguri Publike (AKSP), sot diplomoi gjenerata e 43 e kadetëve  të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

 

Në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 43 të kadetë të zyrtarëve korrektues, Shërbimi Korrektuese i Kosovës  shënoi  24 vjetorin e themelit të saj. 

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, në ceremoninë e diplomimit të kësaj gjeneratës, tha  se Shërbimi Korrektues i Kosovës më qëllim të ngritjes së kuotës me sukses po çertifikon 45 korrektuese gra.   Duke e uruar SHKK për përvjetorin e themelimit të saj, kryeministri Kurti tha se shënimi i përvjetorëve  të  këtyre institucioneve  ka rëndësi të veçantë kur progresi i tyre është evident, kur efikasiteti  i shërbimeve është drejtë lartësisë së dëshirueshëm, kur ne mburremi më këto suksese dhe inkurajohemi për më shumë punë  në të ardhmen. 


Kryeministri Kurti tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës është institucion i cili duhet të garantojë sigurinë e secilit të dënuar dhe mundësinë  e korrektimit të individëve të cilët në të kaluarën kanë bërë veprime të gabuara apo të tilla, të cilët sanksionohen me ligjet e republikës së sonë.


Kryeministri Kurti tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës është në rrugë të mbarë të garantimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë,  me ambiente rehabilituese e risocializuese.


 “Në proces është edhe themelimi i institucioneve  për trajnimin dhe trajtimin e personave më nevoja të veçanta, personave të moshuar që kanë nevojë për mbështetje dhe kujdes të vazhdueshëm, personave  më sëmundje kronike, personave  varës  nga substancat të ndryshme”, tha kryeministri Kurti.  

 

Ndërsa, zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Kastriot Jashari, në ceremoninë e diplomimit  të gjeneratës së 43 të kadetëve korrektues, e uroi SHKK për 24 vjetorin e themelimit të saj.


Jashari tha se  Shërbimi Korrektues i Kosovës është institucion me rëndësi shumë të madhe për vendin i cili ka një mision thelbësor dhe sfidues.

 

 “Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike kanë bashkëpunim të shkëlqyer, ky bashkëpunim është përkthyer në rritjen e nivelit të cilësisë në mësimdhënie dhe  mësim nxënie për  kadetët korrektues”, tha Jashari.


Duke i uruar kadetët e sapo diplomuara, drejtori Jashari tha se  aftësitë, shkathtësitë dhe kompetencat të cilat i kanë  përfituar nga pjesa teorike dhe praktike  në kuadër të trajnimit profesional në Akademi,  tani më duhet t’i përdorin në ushtrim të detyrave dhe veprimeve praktike në misionin e tyre të shenjtë.

 

“Kjo gjeneratë e përbërë nga 45 femra është inkurajim dhe motiv shtesë se sa  lartë mund të ngjitemi në ushtrimin e  përgjegjësive shtetërore sa i përket rolit dhe rëndësisë së femrës në Republikën e Kosovës”, u shpreh Jashari.


Ministria e Drejtësisë Albulena Haxhiu, duke i uruar kadetët në diplomimin e tyre iu uroi suksese në punën e tyre të shenjtë. Ministria Haxhiu tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës është institucion që ka shënuar progres,  si në infrastrukturë ashtu edhe në cilësinë e shërbimit dhe të profesionalizmit.

Ministria gjatë kësaj ceremonie  kërkoi  nga zyrtarë që punën e tyre ta kryejnë me nder dhe përgjegjësi të lartë.



Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, u shpreh i lumtur  që sot SHKK  po shënon dy suksese diplomimin e gjeneratës së 43 të kadetëve të zyrtarëve korrektues dhe 24 vjetori i themelimit të SHKK-së.

Drejtori Dibrani tha se do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për t’i promovuar vlerat e drejtësisë.

Anëtarët e bordit të Akademisë mbajtën takimin e radhës

Vushtrri, 23 nëntor 2023 – Anëtaret e Bordit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) sot mbajtën mbledhjen e radhës ku temë diskutimi ishte rrjedha e trajnimeve si dhe procesin i ri-akreditimit të Akademisë si institucion ofrues i arsimit dhe aftësimit profesional.  

 

Pas aprovimit të procesverbalit të takimit të fundit të bordit, zëvendësuesi i drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë Kastriot Jashari foli rreth aktiviteteve që janë zhvilluar kohëve të fundit në Akademi.

 

Duke përshëndetur anëtaret e bordit,  drejtori Jashari  tha se rrjedha e trajnimeve dhe zhvillimeve të aktiviteteve tjera është duke shkuar sipas planë programit të Akademisë. 

 

Temë diskutimi gjatë takimit ishte edhe nënshkrimi i marrëveshjeve të mirëkuptimit më institucionet e sigurisë publike në vend .

 

 Drejtori Jashari tha se Akademia e Kosovës për Siguri Publike është e gatshme  tu shërbej të gjitha agjencive të sigurisë publike duke iu ofruar trajnime dhe arsim të lartë. 

 

Gjatë takimit u shqyrtua edhe draft plani i trajnimeve për vitin 2024, planë ky që përfshin trajnime për të gjitha institucionet e sigurisë publike në vend, siç janë; Policia e Kosovës, Shërbimi Korrektues i Kosovës, Dogana e Kosovës, Shërbimi Sprovues i Kosovës Agjencia e Menaxhimit Emergjent dhe Inspektorati Policorë e Kosovës.

 

Po ashtu anëtaret e bordit u informuan edhe  rreth procesit të arsimit të lartë në Akademi. 

 

Në këtë takim morën pjesë  zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë Kastriot Jashari, Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës Kushtrim Hodaj njëheri edhe kryesues i Bordit të Akademisë, Drejtori i  Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës  Ismail Dibrani, zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent Shefki Avdullahu, Drejtori I Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës Arsim Tahiri dhe Betim Llapashtica nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) më mision në Kosovë. 

 

Në Akademi u shënua “Dita e informimit për komunitetet”

Vushtrri, 15 nëntor 2023 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) sot u shënua  “Dita e Informimit për Komunitete”, ku morën pjesë mbi njëqind të rinj nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Qëllimi i organizimit të kësaj ngjarje ishte që të rinjtë e komuniteteve  të informohen rreth procesit të integrimit në institucionet e sigurisë publike.  

Në këtë aktivitet të rinjtë patën mundësi të mësojnë për rolin, misionin dhe vizionin e të gjitha institucioneve të sigurisë publike, nga Policia e Kosovës, Shërbimi Korrektues i Kosovës, Shërbimin Sprovues, Inspektoratin Policor të Kosovës, Doganat e Kosovës dhe Agjencia e Menaxhimit Emergjent etj.


Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, vlerësoi lart punën në Akademi duke thënë se ky është një institucion shumë me rëndësi për të gjithë zyrtarët e sigurisë publike dhe për vendin.

“Që qytetarët e Kosovës të ndihen të sigurt kudo që gjinden - nga Leposaviqi në Dragash; prej Gjakovës në Kamenicë - që këta të rehatohen anembanë territorin e shtetit tonë, varemi nga Vushtrria”, u shpreh kryeministri Kurti.

Duke cituar sloganin që gjendet në Akademi, “Policia është e popullit dhe populli është e policisë”, kryeministri Kurti tha se që agjencitë të përbëhen nga populli, kërkohet që të gjitha komunitetet në Kosovë të përfaqësohen në mënyrë adekuate.
Ai tha se me integrimin e komuniteteve në institucionet e sigurisë është shënuar progres.

Më këtë rast kryeministri Kurti ka përmendur edhe punën e Policisë së Kosovës duke thënë se në mandatin e qeverisjes së tij janë organizuar mbi 1000 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, janë shkatërruar mbi 100 grupe kriminale, janë shkatërruar 16 laboratorë të drogës dhe janë arrestuar mbi 3800 persona.

Kryeministri Kurti është shprehur i lumtur që të rinjtë e komuniteteve  kanë shprehur interesim për karrierë dhe mundësitë e ofruara përmes Akademisë së Sigurisë Publike.

Kryeministri Kurti i inkurajoi të rinjtë që të shfrytëzojnë  këtë mundësi të shkëlqyer për të mësuar rreth mundësive dhe procesit të aplikimit, për ta bërë kështu Akademinë e Kosovës për Siguri Publike pjesë të planeve dhe ëndrrave të tyre. “Besoj se në këtë mënyrë ju mund të përfitoni shumë, por gjithashtu e di që Kosova do të përfitojë shumë nga shërbimi juaj”, tha Kurti.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha    se Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka ngritur gjenerata të tëra që sot janë pjesë e institucioneve të sigurisë publike.
“Ky takim i përbashkët është një mundësi e mirë e njoftimit tuaj me punën e institucioneve të sigurisë dhe me mundësinë e bashkimit tuaj me ne në këtë rrugëtim të përbashkët në forcimin e shtetit tonë. Radhët tona mirëpresin secilin prej jush”, tha Sveçla.  

Ministri, Sveçla tha se institucionet e sigurisë do të jenë gjithmonë të hapura për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë,  me qëllim për rrugëtimin e përbashkët për forcimin e shtetit. “Në historinë e themelimit të institucioneve tona dhe në ngritjen e kapaciteteve tona,  pjesë e pandashme është edhe kontributi nga të gjitha komunitetet. Diversiteti është vlerë dhe jam i lumtur që kemi pjesëtarë nga të gjitha komunitetet në të gjitha nivelet”, tha Sveçla

Ministri për Kthim dhe Komunitet Nenad Rashiq,  tha se të rinjtë e të gjitha komuniteteve  e kanë vendin në institucionet e vendit, sidomos në ato të sigurisë. “Akademia për mua simbolizon një fill, një bashkëpunim për të gjithë ne, një përparim,  një zhvillim për të ardhmen. Pasi jemi në këtë vend nuk e di se ku do të ishte vendi më i përshtatësh për ju rini që të jeni këtu.... Për mua kjo akademi është besueshmëri, zgjedhje dhe ardhmëri”, tha Rashiq.


Zëvendësuesi i Drejtorit të përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Kastriot Jashari, u shpreh i lumtur që Akademia ka qenë dhe vazhdon të jetë shembull i mirë i bashkëpunimit me të gjitha komunitetet në Kosovë,  në fushën e trajnimeve dhe arsimit të lartë në sigurinë publike.

“Akademia si shtëpi e përbashkët e  institucioneve të sigurisë publike tashmë për një kohë të gjatë e ka natyralizuar frymën e bashkëpunimit në arritjen e objektivave kryesore institucionale dhe shtetërore” , tha Jashari.
 
Drejtori Jashari tha së shënimi i “Ditës së informimit për komunitetet” është dëshmi më e mirë  e frymës së bashkëpunimit  të plotë me të gjitha komunitetet duke bërë kështu vendin tonë shembull i të drejtave, lirive për të gjithë shoqërinë, pa asnjë dallim.

 “Vizioni ynë institucional, gjithnjë me mbështetjen e kryeministrit Kurti do të vazhdojë me avancimin e mëtutjeshme për organizime   të përbashkët për komunitete dhe lehtësim të mëtutjeshme të ushtrimit të drejtave të tyre”, tha Jashari.
 
Ndërsa, këshilltarja e kryeministrit për Çështjet e Komuniteteve, Elizabeth Katherine Gowing, falënderoi  të gjithë aktoret që kontribuan në organizimin e kësaj ngjarje.

Në shënimin  “Dita e informimit për komunitetet” kanë marr pjesë të rinj nga Ferizaj, Fushë Kosova, Graçanica, Gjakova, Lipjani, Mitrovica, Obiliqi , Prishtina, Shtimja, etj .




Në Akademi përfundoi programi Shkolla e Stafit Policor dhe Komandës

Vushtrri, 10 nëntor 2023 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, dyzetë zyrtarë të institucioneve të sigurisë publike përfunduan programin Shkolla e Stafit Policor dhe Komandës.


Kjo shkollë është organizuar nga Qendra për Siguri Publike në Universitetin Northwestern të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), dhe është mbështetur nga Programi Ndërkombëtar i Përkrahjes së Trajnimit të Hetimit të Krimit  (ICITAP) në Kosovë.


Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë; ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey M. Hovenier, ministrja e Drejtësisë, Albulena  Haxhiu, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, zëvendësuesi i drejtorit të përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Kastriot Jashari,  drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, menaxherja e Programit të ICITAP  Kimberly Riffe  si dhe përfaqësues tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.


Nga të pranishmit, programin e kësaj shkolle e vlerësuan si shumë të rëndësishëm në ngritjen e nivelit profesional dhe përfitimin e njohurive në fushën e sigurisë publike.


Ndryshe,  Shkolla e Stafit Policor dhe Komandës është hera e shtatë që mbahet në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike dhe zgjatë dhjetë javë. Në këtë shkollë ligjërues kanë qenë profesor nga Universiteti Northwestern.

 

Në Akademi filloi testi për kadet të Policisë së Kosovë

Vushtrri, 3 nëntor 2023 - Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm  të Akademisë së Kosovës  për Siguri Publike, Kastriot Jashari,  sot priti në takim Drejtorin e Përgjithshëm  të Policisë së Kosovë, Gazmend Hoxha .

Qëllimi i kësaj vizite  ishte për të parë nga afër  mbarëvajtjen e testi më shkrim  për kadetë të Policisë së Kosovës.


Ndryshe sot në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike  ka filluar testi me shkrim për kadet policor.  Për  t’ju nënshtruar testit më shkrimi kandidatët janë ndarë në  tri grupe. Testi  do të zhvillohet për tri ditë radhazi, më  3,4 dhe 5 nëntor. 

ERASMUS + , “GROWTH VET 2023-2025”, vazhdon më mbështetje për vendet përfituese në ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve për arsimim dhe trajnime


Vushtrri, 30 tetor 2023 -  Në përkrahje të ERASMUS +,  “GROWTH VET  2023-2025”, përfaqësuesit e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike se bashku më Agjencinë e Menaxhimit Emergjent dhe më Policinë e Kosovës janë duke marrë pjesë në një punëtori, qëllimi i secilës është rishikimi dhe plotësimi i përmbushjes së kurrikulave për arsimim dhe trajnim profesional, në nivel vendorë dhe ndërkombëtarë.

 

Gjatë kësaj punëtorie ekspertët e institucioneve relevante  kontribuan në profilizimin e njësive mësimore të cilat ndër tjerash do të pasurojnë fondin e arsimimit dhe trajnimeve profesionale për audiencë vendore.

 

Rezultatet e kurrikulave do të jenë të qasshme edhe për audiencë të gjerë profesionale ndërkombëtare, për mes  ligjëratave në distancë dhe me prezencë. 

 

Duke u bazuar në përkufizimet në kushtet e përgjithshme dhe administrimin me rezultatet e programit ERASMUS+ ,GROWTH 2023 -2025, në programin e lartë cekur partnerë  përveç Kosovës janë  edhe Shqipëria, Greqia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Republika e Maqedonisë Veriore.

 

Hapat për realizimin e programit ERASMUS + “GROWTH VET  2023-2025”  do të vazhdojë me procesin e verifikimit dhe standardizimit të kurikulave, pas të cilit veprim njësitë mësimore do t’i ofrohen për vijim dhe arritje audiencës vendore dhe rajonale, si të tilla edhe arritje të verifikueshme brenda standardeve të pranuara në Bashkimin Evropian.