Lajmet
Lajmet
Delegacioni nga AKSP qëndroi në një mobilitet në Universitetin e Zjarrfikjes të Polonisë përmes programit Ersasmus+
Vushtrri, 22 maj 2026- Një delegacion i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), i përbërë nga dr. Anita Zenuni, u.d. Prodekane e Fakultetit të Sigurisë Publike (FSP) të AKSP-së, Skender Agaj, zyrtar i lartë për marrëdhënie shumëpalëshe, prof ass. dr. Halil Asllani, nga FSP dhe Valdet Surdulli, zyrtar i lartë i Divizionit për Përkrahje Studentore, gjatë kësaj jave, përkatësisht nga 18 - 22 maj 2026, morën pjesë në mobilitetin e stafit në Universitetin e Zjarrfikjes në Varshavë të Polonisë, aktivitet ky i zhvilluar përmes bashkëpunimit të të dyja institucioneve në kuadër të programit Erasmus+ të BE-së. Ekipi nga Kosova u prit dhe u shoqërua nga Olimpia Mnich, Koordinatore e Universitetit për programin Erasmus+ dhe Major dr. Szymon Ptak, Zëvendës Koordinator. Gjatë këtij qëndrimi, zyrtarët nga AKSP prezantuan historikun, gjendjen aktuale, të arriturat dhe perspektivën e AKSP-së, si dhe patën mundësi që të mësonin nga prezentimet e të tria institucioneve nga Polonia, Ukraina dhe Uzbekistani. Ata vizituan Njësinë e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në kuadër të Universitetit të Zjarrfikjes, Shpëtimin Mjekësor Emergjent, studio prej nga mësohet komunikimi me publikun në rast krizash emergjente, laboratorin e inxhinierisë elektrike, laboratorin e pajisjeve të shpëtimit, si dhe zhvilluan një vizitë në Qendrën e Trajnimit për Shpëtim, Logjistikë dhe Bazë Zhvillimi në Nowy Dwór Mazowiecki, qendër ku mbahen ushtrimet dhe trajnimet praktike në kuadër të Universitetit të Zjarrfikjes, ku u pritën nga kolonel MSc. inxh. Grzegorz Bełtowski, Menaxher i saj. Në të gjitha këto takime dhe vizita, zyrtarët nga Akademia i njoftuan partnerët polakë në lidhje me sistemin e zjarrfikjes e shpëtimit në Kosovë dhe trajnimit e arsimit në këtë fushë, duke potencuar marrjen e përvojave dhe ekspertizave polake në rastet e hapjes së mundësive për zhvillim dhe investime në këtë fushë në Kosovë, ku partnerët polakë u shprehën të gatshëm për të ndarë ato përvoja. Përveç kësaj, zyrtarët nga Akademia u interesuan edhe për aspekte praktike të menaxhimit të përgjithshëm dhe atij financiar të fondeve të Erasmus+ dhe marrjen e praktikave nga partneri polak, Universiteti i Zjarrfikjes, kurdoherë që do të jetë e mundshme që fonde të tilla të menaxhohen nga AKSP-ja për projektet që ajo do t’i zhvillojë në të ardhmen në kuadër të programit Erasmus+. Përveç takimeve dhe aktiviteteve të organizuara nga Universiteti i Zjarrfikjes së Polonisë, pjesëmarrësit nga Kosova shfrytëzuan rastin ta zhvillojnë një takim zyrtar edhe me Shefin e Misionit të Konsulatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Varshavë, Ambasadorin Drilon Gashi. Ai i njoftoi zyrtarët e AKSP-së për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet të dyja shteteve, Kosovës dhe Polonisë, si dhe për përpjekjet e tij për ngritjen dhe intensifikimin e këyre marrëdhënieve në fusha të ndryshme. Përderisa zyrtarët e Akademisë e njoftuan Ambasadorin Gashi me konceptin e Akademisë, bashkëpunimin e deritashëm dhe në të ardhmen me Universitetin e Zjarrfikjes në Poloni si dhe idetë dhe mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit me institucionin në fjalë dhe institucione të tjera nga Polonia. Në fund të vizitës, zytarët e Akademisë e ftuan Ambasadorin Gashi për një vizitë në Akademi kurdo që ai do të jetë në Kosovë. Përveç delegacionit nga Kosova, të pranishëm në këtë vizitë ishin edhe përfaqësues nga Universiteti Shtetëror i Sigurisë së Jetës i Lvivit nga Ukraina dhe Universiteti Shtetëror Teknik i Karshi nga Uzbekistani, me të cilët u ra dakord për gjetjen e mënyrave të bashkëpunimit në të ardhmen. Mobiliteti në fjalë është realizuar përmes programit Erasmus+ të Bashkimit Evropian, përkatësisht Marrëveshjes Ndër-Institucionale ndërmjet AKSP-së dhe Universitetit të Zjarrfikjes në Poloni, e cila në fillim është nënshkruar në vitin 2016 dhe është ripërtërirë edhe më tutuje.
Përfaqësues të AKSP-së po marrin pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të EFSCA 2026 në Republikën Çeke
Ostrava, Republika e Çekisë, 21 maj 2026 - Me ftesë të Asociacionit të Kolegjeve Evropiane të Shërbimit të Zjarrëfikjes (EFSCA), organizatë në të cilën Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) është anëtare me të drejta të plota, dy zyrtarë të lartë të AKSP-së, përkatësisht z. Shpend Shabani, U.d. Drejtor i Përgjithshëm dhe z. Rrahim Rexha, Drejtor i DFSHP janë duke marrë pjesë në takimin dhe konferencën ndërkombëtare vjetore të EFSCA-së, e cila po mbahet më 19 - 21 maj 2026 në Ostrava të Republikës Çeke.
Konferenca ndërkombëtare EFSCA 2026 ka mbledhur përfaqësues të institucioneve trajnuese, akademike dhe profesionale nga shtetet anëtare të EFSCA-së, të cilat veprojnë në fushën e sigurisë publike, mbrojtjes nga zjarri, menaxhimit të emergjencave dhe menaxhimit të krizave. Gjatë konferencës po zhvillohen prezantime profesionale, diskutime tematike dhe shkëmbim përvojash lidhur me praktikat bashkëkohore të trajnimit, arsimit, dhe ngritjes së kapaciteteve profesionale në sektorin e sigurisë. Po ashtu, ekspertë dhe përfaqësues ndërkombëtarë po trajtojnë sfidat aktuale dhe perspektivat e zhvillimit në këto fusha me rëndësi të veçantë për sigurinë publike.
Aktivitetet po zhvillohen në qytetin e Ostravës, një qendër me traditë të fuqishme industriale dhe minerare, e cila sot njihet si një qendër moderne e inovacionit, kulturës dhe ekspertizës profesionale.
Akreditohet programi studimor “Siguri Publike” në nivelin Bachelor nga Agjencia e Kosovës për Akreditim
Vushtrri, 21 maj 2026 - Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka arritur akreditimin e programit të ri studimor “Siguri Publike” në nivelin Bachelor për periudhën trevjeçare nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.
Vendimi është marrë në mbledhjen e 149-të të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të mbajtur më 18 maj 2026, pas shqyrtimit të raportit të ekipit të ekspertëve ndërkombëtarë për programin studimor të AKSP-së. Programi “Siguri Publike” është akredituar në nivelin Bachelor me 180 ECTS, me kuotë prej 55 studentësh dhe kohëzgjatje trevjeçare të studimeve.
Programi studimor “Siguri Publike” është dizajnuar si program i ri studimor në fushën e sigurisë publike, me fokus në përgatitjen akademike dhe profesionale të kuadrove për institucionet dhe agjencitë e sistemit të sigurisë publike në Republikën e Kosovës. Programi është ndërtuar mbi një qasje të integruar, duke reflektuar specifikat, kompetencat dhe fushëveprimin e agjencive të sigurisë publike.
Akreditimi i programit studimor vjen pas suksesit të rëndësishëm institucional të Akademisë, e cila në fillim të këtij viti ka arritur akreditimin institucional pesëvjeçar në arsimin e lartë.
Akademia u është mirënjohëse të gjithë atyre që kanë kontribuar në arritjen e këtij suksesi institucional, përfshirë Agjencinë e Kosovës për Akreditim, Këshillin Shtetëror të Cilësisë, ekspertëve ndërkombëtarë të angazhuar në procesin e vlerësimit, studentëve, përfaqësuesve të institucioneve të sigurisë publike, si dhe të gjithë të tjerëve që kanë kontribuar dhe janë bërë pjesë e rëndësishme e këtij suksesi.
Ky sukses është dëshmi e përkushtimit të menaxhmentit dhe gjithë stafit të Akademisë, të cilët me angazhim dhe profesionalizëm kanë kontribuar drejtpërdrejt në avancimin e standardeve të cilësisë dhe zhvillimin e arsimit të lartë në fushën e sigurisë publike.
Së shpejti Akademia do të fillojë përgatitjet dhe procedurat për regjistrimin e studentëve në programin e ri studimor “Siguri Publike”, ndërsa fillimi i vitit të ri akademik planifikohet të realizohet në muajin tetor të këtij viti.
Takim prezantues me Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (EKNN)
Vushtrri, 15 Maj 2026 - Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), z. Shpend Shabani së bashku me Shefin e Divizionit të Marrëdhënieve me Jashtë z. Avni Istrefi, pritën përfaqësuesit e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (EKNN), znj. Bella P. Smith, Këshilltare për Menaxhimin e Emergjencave, dhe z. Rafael Shönert, Këshilltar për Rezistencë dhe Siguri Klimatike, për një takim prezantues dhe informues. Gjatë takimit, diskutimet u përqendruan në rolin dhe përgjegjësitë e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në zhvillimin profesional dhe ndërtimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë publike, përkatësisht në fushën e menaxhimit të emergjencave. Në këtë drejtim, diskutimet u përqendruan edhe në ndikimin e këtyre aktiviteteve, me theks të veçantë në ndërtimin e kapaciteteve në menaxhimin e emergjencave, zjarrfikjen, kërkim-shpëtimin dhe fusha të ngjashme. U theksua gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe partneritetit me mekanizmat ndërkombëtarë, duke theksuar rolin e Akademisë në trajnim dhe edukim me qëllim avancimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale dhe institucionale. Takimi shërbeu si një mundësi e vlefshme për njohje të ndërsjellë dhe shkëmbim idesh në lidhje me bashkëpunimin e ardhshëm midis AKSP-së dhe EKNN, me qëllim arritjen e objektivave të përbashkëta në fushën e menaxhimit të emergjencave dhe forcimin e qëndrueshmërisë institucionale.
Atasheja e Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, Kimberly Riffe, zhvilloi takim lamtumirës në AKSP
Vushtrri, 14 maj 2026 – Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) sot priti në një vizitë lamtumirëse znj. Kimberly Riffe, Atashe në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe Drejtoreshë e Programit DOJ-ICITAP në Kosovë, me rastin e përfundimit të misionit të saj në vendin tonë.
Znj. Riffe u prit nga Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, z. Shpend Shabani dhe bashkëpunëtorët e tij.
Me këtë rast, z. Shabani shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për kontributin e jashtëzakonshëm personal të znj. Riffe, Programit ICITAP dhe në përgjithësi të shtetit amerikan, në themelimin, zhvillimin dhe avancimin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, si dhe të institucioneve të sigurisë në Republikën e Kosovës.
Ai vlerësoi lart angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të ekipit të ICITAP-it gjatë nëntë viteve të fundit, nën udhëheqjen e znj. Riffe dhe paraardhësve të saj.
Gjatë takimit u theksua gjithashtu bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet AKSP-së dhe Programit ICITAP, si dhe mbështetja e dhënë në ngritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e sigurisë publike dhe zbatimit të ligjit.
Po ashtu, u vlerësua mbështetja e Programit ICITAP në procesin e akreditimit ndërkombëtar të AKSP-së nga Shoqata Ndërkombëtare e Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimeve për Zbatimin e Ligjit (IADLEST), si dhe kontributi në arritjen, për herë të dytë, të Çmimit të Ekselencës nga Akademia.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe bashkëpunimin e saj të çmuar, në emër të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, z. Shabani i ndau znj. Riffe Certifikatë Mirënjohjeje dhe emblemën zyrtare të Akademisë.
Gjatë takimit u rikujtuan gjithashtu përvojat dhe bashkëpunimi nëntëvjeçar i znj. Riffe në Kosovë, si dhe u ritheksua miqësia dhe partneriteti i vazhdueshëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në përfundim të vizitës, znj. Riffe u përcoll nga stafi i AKSP-së, të cilët i uruan suksese të mëtejshme në karrierën dhe jetën e saj personale.
Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike filloi trajnimi i gjeneratës së 63-të të kadetëve të Policisë së Kosovës
Vushtrri, 27 prill 2026 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ka filluar zyrtarisht trajnimi profesional për gjeneratën e 63-të të kadetëve të Policisë së Kosovës. Në këtë program të trajnimit janë përfshirë gjithsej 412 kadetë.
Ky trajnim përbën një fazë thelbësore në përgatitjen profesionale dhe institucionale të zyrtarëve të rinj policorë, të cilët në të ardhmen do të kontribuojnë në zbatimin e ligjit, ruajtjen e rendit dhe garantimin e sigurisë publike në Republikën e Kosovës.
Përmes këtij programi synohet ndërtimi i një kuadri profesional, të përgjegjshëm dhe të përkushtuar ndaj sigurisë publike.
Gjatë periudhës së trajnimit, kadetët do të pajisen me njohuri profesionale dhe do të zhvillojnë shkathtësi praktike dhe kompetenca të domosdoshme për ushtrimin e detyrave të tyre si zbatues të ligjit.
Përmes një kombinimi të ligjëratave, ushtrimeve praktike dhe simulimeve të situatave reale, synohet që ata të jenë të përgatitur në mënyrë gjithëpërfshirëse për sfidat e profesionit si zyrtarë policor.
AKSP mirëpret ekipin e ekspertëve në kuadër të procesit validues dhe akreditues nga AKK
Vushtrri, 8 prill 2026 - Më 3 dhe 8 prill, Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ka mirëpritur ekipet e ekspertëve nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK), në kuadër të procesit të validimit dhe akreditimit të programeve profesionale. Vizitat u realizuan në kampusin e AKSP-së në Vushtrri.
Këto vizita me agjenda të strukturuara aktivitetesh përbëjnë një fazë të rëndësishme në vlerësimin gjithëpërfshirës të cilësisë së trajnimeve që ofron AKSP, me fokus të veçantë në përputhshmërinë e programeve me standardet e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve dhe kërkesat e tregut të punës në sektorin e sigurisë publike.
Gjatë takimeve të përbashkëta, përfaqësuesit e AKK-së u pritën nga menaxhmenti i AKSP-së, përfaqësues të të gjitha institucioneve të sigurisë publike, si: Policia e Kosovës (PK), Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), Shërbimi Sprovues i Kosovës (SHSK), Dogana e Kosovës (DK), Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME) dhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), së bashku edhe nga Koordinatori i Cilësisë në AKSP. Në këto takime u prezantuan zhvillimet institucionale, programet trajnuese dhe mekanizmat e brendshëm për sigurimin e cilësisë.
Në kuadër të procesit vlerësues, ekspertët e AKK-së zhvilluan intervista të ndara me instruktorë dhe trajnerë nga institucionet përkatës, si dhe me pjesëmarrës dhe ish-pjesëmarrës të programeve trajnuese, duke shqyrtuar nga afër qasjen pedagogjike, përmbajtjen e programeve dhe përvojën praktike në zbatimin e tyre.
Pjesë e agjendës ishte edhe vizita në kampusin e AKSP-së, ku ekipi vlerësues u njoh me infrastrukturën, kapacitetet trajnuese dhe kushtet që ofron Akademia për zhvillimin e trajnimeve profesionale.
Vizitat u përmbyllën me një takim përfundimtar ndërmjet ekipit të ekspertëve dhe menaxhmentit të AKSP-së, ku u diskutuan përshtypjet fillestare dhe hapat e mëtejmë në procesin e validimit dhe akreditimit.
Ky aktivitet përbën një hap të rëndësishëm në avancimin e cilësisë së trajnimeve dhe programeve profesionale në AKSP, duke dëshmuar përkushtimin institucional për përmbushjen e standardeve të përcaktuara nga AKK dhe zhvillimin e vazhdueshëm të kapaciteteve në sektorin e sigurisë publike.
Vazhdimi i këtij procesi dëshmon angazhimin e Akademia e Kosovës për Siguri Publike për përmirësim të vazhdueshëm, forcim të standardeve profesionale dhe harmonizim me kërkesat kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e trajnimeve për sigurinë publike.
Në AKSP u prezantuan rezultatet e projektit shkencor mbi zbatimin e Konventës së Stambollit në fushën e hetimeve, ndjekjes penale dhe masave mbrojtëse në Republikën e Kosovës
Vushtrri, 22 prill 2026 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike është mbajtur sot tryeza për prezantimin e rezultateve të projektit shkencor “Zbatimi i standardeve të Konventës së Stambollit në fushën e hetimeve, ndjekjes penale dhe masave mbrojtëse në Republikën e Kosovës”, i mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Në fjalën hyrëse morën pjesë përfaqësues institucionalë, përfshirë u.d. Drejtorin e Përgjithshëm të AKSP-së, z. Shpend Shabani, u.d. Prodekanen e Fakultetit të Sigurisë Publike, Dr. Sc. Anita Zenuni, si dhe përfaqësues të institucioneve të sistemit të drejtësisë, Dr. Sc. Dardan Vuniqi, zv. Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Dr. Sc. Ahmet Imami, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. U theksua rëndësia e zhvillimit të projekteve shkencore, pasi tanimë AKSP ka marrë edhe ri-akreditimit institucional për periudhën e ardhshme pesë vjeçare, por edhe rëndësia e këtij raporti hulumtues lidhur me evidentimin e gjendjes dhe rekomandimet përkatëse në këtë fushë. Ata theksuan veçanërisht rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimit të politikave dhe praktikave në mbrojtje të viktimave.
Rezultatet e projektit u prezantuan nga bartësi i projektit, Prof. Asoc. Dr. Vilard Bytyqi, së bashku me ekspertin ndërkombëtar, Prof. Asoc. Dr. Vedije Ratkoceri. Gjatë prezantimit u theksua se studimi konfirmon një nivel të avancuar të harmonizimit juridik dhe normativ të Kosovës me standardet e Konventës së Stambollit, duke krijuar një bazë solide ligjore për adresimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave. Megjithatë, përfundimi kryesor i studimit identifikon ekzistencën e një hendeku ndërmjet normës dhe praktikës, i cili reflektohet në mungesën e standardizimit, në kapacitetet e kufizuara institucionale, në koordinimin jo të mjaftueshëm ndërinstitucional dhe në sfida, si nën-raportimi i rasteve. Studimi rekomandon fokus të shtuar në standardizimin e procedurave, zhvillimin e mekanizmave për vlerësimin e rrezikut, forcimin e koordinimit ndërinstitucional, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e zbatimit të ligjit dhe të drejtësisë.
Në përmbyllje, tryeza vijoi me diskutim të hapur ndërmjet pjesëmarrësve. Tryeza u drejtua nga Prof. Florentina Shala Braha, ndërsa në të morën pjesë profesorët e Fakultetit të Sigurisë Publike, zyrtarë dhe drejtues të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe të ftuar nga institucionet tjera të zbatimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
AKSP nikoqire e takimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë
Vushtrri, 20 prill 2026 - Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ishte nikoqire e takimit të radhës të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), i organizuar në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA).
Në këtë kuadër, AKSP mirëpriti Kryetaren e KSHC-së, Prof. Asoc. Dr. Hasnije Ilazi, Drejtorin e Përgjithshëm të AKA-së, z. Naim Gashi, si dhe anëtarët e Këshillit. Takimi u zhvillua në një moment të rëndësishëm për institucionin, pas rikthimit të akreditimit institucional, duke reflektuar njëkohësisht arritjet dhe përgjegjësitë për avancim të mëtejshëm në funksion të cilësisë.
Gjatë takimit me stafin udhëheqës të AKSP-së u zhvillua një diskutim i hapur dhe konstruktiv, i fokusuar në zhvillimet aktuale, proceset e akreditimit dhe orientimin strategjik të Akademisë drejt konsolidimit institucional. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e zbatimit të standardeve bashkëkohore, rritjes së transparencës dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, duke u vlerësuar gjithashtu progresi i arritur në proceset akredituese.
Kjo ngjarje u zhvillua në frymën e fuqizimit të mekanizmave të sigurimit të cilësisë dhe thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Pas takimit me menaxhmentin e AKSP-së, Këshilli Shtetëror i Cilësisë vijoi me mbajtjen e mbledhjes së tij të rregullt në ambientet e Akademisë, ku u trajtuan çështjet e parapara në agjendën e Këshillit.
Akademia e Kosovës për Siguri Publike mbetet e përkushtuar në përmbushjen e standardeve më të larta të cilësisë, duke synuar zhvillim të qëndrueshëm akademik dhe profesional, si dhe forcimin e partneriteteve me institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare.
Në AKSP u mbajt punëtoria “Ndërtimi i një mjedisi të sigurt: Parandalimi i ngacmimeve seksuale”
Vushtrri, 31 mars 2026 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot u mbajt punëtoria me temë “Ndërtimi i një mjedisi të sigurt: Parandalimi i ngacmimeve seksuale”. Ky aktivitet u organizua nga Organizata Joqeveritare ArtPolis, në bashkëpunim me AKSP-në, me mbështetjen e Fondacionit “Kvinna till Kvinna”.
Qëllimi i punëtorisë ishte rritja e ndërgjegjësimit dhe forcimi i kapaciteteve institucionale për parandalimin dhe trajtimin e rasteve të ngacmimeve seksuale, si dhe promovimi i një mjedisi të sigurt dhe gjithëpërfshirës brenda institucioneve publike dhe arsimore.
Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime interaktive dhe shkëmbim përvojash, duke theksuar rëndësinë e rolit institucional në adresimin efektiv të rasteve të ngacmimeve seksuale. U trajtuan aspekte praktike lidhur me identifikimin, raportimin dhe menaxhimin e këtyre rasteve, si dhe u diskutuan mekanizmat e mbrojtjes për viktimat.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua kornizës ligjore në fuqi dhe nevojës për zbatim të qëndrueshëm të saj, me theks të veçantë në Konventën e Stambollit si instrument ndërkombëtar obligativ për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore. Në këtë kontekst, u diskutua edhe procesi i hartimit dhe zbatimit të rregulloreve institucionale kundër ngacmimeve seksuale, sfidat juridike dhe institucionale që hasen në praktikë, si dhe roli i shoqërisë civile në mbështetjen e institucioneve.
Punëtoria gjithashtu theksoi domosdoshmërinë e ndërtimit të një kulture institucionale me tolerancë zero ndaj ngacmimeve seksuale, duke promovuar përgjegjësi, transparencë dhe reagim të menjëhershëm në çdo rast të raportuar.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të kapaciteteve të AKSP-së dhe institucioneve partnere në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe profesional për të gjithë.
Delegacioni nga Shërbimi i Burgjeve dhe Sprovues i Danimarkës vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike
Vushtrri, 26 mars 2026 – Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mirëpriti sot një delegacion nga Shërbimi i Burgjeve dhe Sprovues i Danimarkës (SHBSD), i kryesuar nga Gitte Møller Hansen, udhëheqëse për edukim në këtë institucion. Delegacioni u prit nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, Shpend Shabani, së bashku me bashkëpunëtorë të Akademisë dhe përfaqësues të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Duke i uruar mirëseardhje mysafirëve, z. Shabani theksoi se vizita është dëshmi e partneritetit të fortë ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, veçanërisht në fushën e trajnimeve dhe zhvillimit profesional. Ai nënvizoi rëndësinë e marrëveshjes 10-vjeçare mes dy qeverive të nënshkruar në vitin 2022 dhe të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2024. Ai po ashtu shprehu gatishmërinë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira, si dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe mundësia e organizimit të trajnimit për 25 zyrtarë korrektues që pritet të angazhohen në Burgun e Gjilanit për realizimin e marrëveshjes në fjalë ndërmjet Danimarkës dhe Kosovës. Megjithëse kapacitetet trajnuese për vitin 2026 janë të planifikuara, drejtuesit e Akademisë u shprehën të hapur për shqyrtimin e kësaj kërkese.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e AKSP-së dhe SHKK-së prezantuan institucionet e tyre përkatëse, duke përfshirë programet trajnuese dhe aktivitetet zhvillimore, me ç’rast theksuan se Akademia ofron një gamë të gjerë trajnimesh dhe arsimin e lartë në nivel bachelor për zyrtarët e sigurisë publike.
Nga ana tjetër, delegacioni danez vlerësoi lartë punën dhe arritjet e Akademisë në përgatitjen e kuadrove profesionale.
Znj. Gitte Møller Hansen prezantoi projektet e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, përfshirë pilot-projektin në Burgun e Gjilanit dhe iniciativën e “POP-UP” shkollave për trajnimin e zyrtarëve korrektues.
Ndërkaq, z. Søren Jacobsen shpjegoi modelin danez të trajnimit, duke theksuar kombinimin e njohurive bazike me trajnimin praktik sipas standardeve dhe legjislacionit danez.
Vizita u karakterizua nga një frymë bashkëpunimi dhe angazhimi për thellimin e mëtejmë të partneritetit në fushën e sigurisë dhe trajnimeve.
Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike filloi trajnimi i gjeneratës së 46-të të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës
Vushtrri, 11 mars 2026 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ka filluar zyrtarisht trajnimi profesional për gjeneratën e 46-të të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës.Ky trajnim përfaqëson një hap të rëndësishëm në përgatitjen profesionale të zyrtarëve korrektues, të cilët në të ardhmen do të angazhohen në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës.
Programi i trajnimit është hartuar në përputhje me standardet bashkëkohore profesionale dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, me theks të veçantë në respektimin e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit, etikën profesionale dhe menaxhimin korrektues.
Gjatë muajve sa do të zgjasë trajnimi, kadetët do të pajisen me njohuri teorike dhe praktike, si dhe do të zhvillojnë shkathtësi dhe kompetenca profesionale të nevojshme për ushtrimin e detyrave të tyre.
Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës ndër vite kanë ndërtuar një bashkëpunim të qëndrueshëm institucional, i cili ka kontribuar në zhvillimin dhe avancimin e vazhdueshëm të programeve të trajnimit dhe në rritjen e cilësisë së përgatitjes profesionale të stafit korrektues.
Trajnimi për gjeneratën e 46-të do të zgjasë 23 javë dhe do të vijohen nga gjithsej 100 kadetë të Shërbimit Korrektues të Kosovës, prej të cilëve 82 meshkuj dhe 18 femra. Përmes këtij programi trajnues, kadetët do të përgatiten profesionalisht për të kontribuar në forcimin e profesionalizmit, sigurisë dhe integritetit në sistemin korrektues të Republikës së Kosovës.