}

NewsArticle

02/10/2026

AKSP mirëpret gjeneratën e re të studentëve të Programit Bachelor në Siguri Publike

 

Vushtrri, 2 tetor 2026 - Akademia e Kosovës për Siguri Publike, përkatësisht Fakulteti i Sigurisë Publike, organizoi sot, më 2 tetor 2026, Ditën e Mirëseardhjes dhe Orientimit Akademik për studentët e rinj të Programit Bachelor në Siguri Publike, të regjistruar në vitin akademik 2026/2027.

 

Gjenerata e re përbëhet nga pjesëtarë të institucioneve të sigurisë publike, përfshirë Policinë e Kosovës, Shërbimin Korrektues të Kosovës, Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave.

 

Në ceremoninë e mirëseardhjes, studentëve iu drejtuan u.d. Drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së, z. Shpend Shabani, dhe u.d. Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike, Prof. Asoc. Dr. Vilard Bytyqi.

 

Në fjalën e tij, u.d. Drejtori i Përgjithshëm, z. Shpend Shabani, u uroi mirëseardhje studentëve, duke theksuar se ata vijnë në Akademi me përvojë profesionale dhe përgjegjësi institucionale dhe se programi duhet të shërbejë për avancimin e mëtejshëm të njohurive dhe profesionalizmit të tyre. Duke theksuar se: “Ju nuk vini këtu si njerëz që sapo po njiheni me sigurinë publike. Vini me përvojë, me përgjegjësi, me sfida të përditshme dhe me një institucion pas vetes. Pikërisht për këtë arsye, ky program duhet të jetë më shumë se një diplomë. Duhet të jetë një mundësi për ta ngritur në një nivel tjetër atë që tashmë dini dhe atë që tashmë bëni.”

 

Duke folur për rëndësinë e kësaj gjenerate për Akademinë, theksoi se fillimi i studimeve vjen pas një periudhe të rëndësishme pune për rikthimin e akreditimit institucional dhe të Programit Bachelor në Siguri Publike.

 

Ndërsa u.d. Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike, Prof. Asoc. Dr. Vilard Bytyqi, theksoi se fillimi i vitit të ri akademik ka një domethënie të veçantë për Fakultetin, pasi pas një pauze trevjeçare në pranimin e studentëve të rinj, FSP-ja po e fillon përsëri vitin akademik me një gjeneratë të re. Duke iu referuar rolit që pjesëtarët e institucioneve të sigurisë publike kanë në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit, u.d. Dekani theksoi se arsimimi i tyre në Fakultetin e Sigurisë Publike tejkalon dimensionin individual të zhvillimit profesional, duke theksuar se: “Arsimimi juaj këtu nuk ka të bëjë vetëm me zhvillimin tuaj individual profesional, por edhe me forcimin e kapaciteteve tuaja për t’i shërbyer qytetarit, për ta zbatuar ligjin dhe për t’i mbrojtur vlerat kushtetuese të Republikës së Kosovës,” theksoi prof. Bytyqi.

 

Ai inkurajoi studentët që Fakultetin ta shohin jo vetëm si vend të ligjëratave dhe provimeve, por si hapësirë të zhvillimit akademik, profesional dhe të shkëmbimit të përvojave.

 

Pas pjesës së ceremonisë së mirëseardhjes dhe prezantimeve, drejtuesit e AKSP-së dhe FSP-së, të ftuarit, personeli akademik, drejtues dhe administrativ dhe studentët realizuan një fotografi të përbashkët me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2026/2027.

 

Më pas, aktiviteti vazhdoi sipas agjendës me programin e orientimit akademik, duke prezantuar stafin akademik, më pas studentët  patën rastin të njoftohet me të drejtat dhe detyrimet e tyre, komunikimin me Fakultetin, shërbimet dhe mbështetjen administrative, përdorimin e Sistemit të Menaxhimit Universitar (SMU), qasjen në bibliotekë dhe burimet mësimore, si dhe procedurat për kërkesa, ankesa dhe çështje të tjera studentore.

 

Pastaj programi vijoi me vizitën orientuese në hapësirat e AKSP-së, gjatë së cilës studentët u njohën nga afër me Zyrën e Shërbimeve Studentore, bibliotekën, hapësirat mësimore, shërbimet e teknologjisë informative, kushtet për akomodimin, kuzhinën/mensën, hapësirat sportive dhe rekreative, shërbimet shëndetësore dhe shërbimet e tjera që Akademia ofron për studentët.

 

Aktivitetin e nderuan me praninë e tyre edhe ish-Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, z. Ismail Smakiqi, dhe ish-Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike, Prof. Asoc. Dr. Bejtush Gashi.

 

Me këtë aktivitet, Fakulteti i Sigurisë Publike shënoi fillimin e rrugëtimit akademik të gjeneratës së re të studentëve të Programit Bachelor në Siguri Publike për vitin akademik 2026/2027.


 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Në AKSP u mbajt ceremonia e ndarjes së diplomave për studentët e diplomuar në vitet 2025 - 2026
Në AKSP u mbajt ceremonia e ndarjes së diplomave për studentët e diplomuar në vitet 2025 - 2026

 

Vushtrri, më 29 shtator 2026 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike u mbajt ceremonia e ndarjes së diplomave për studentët e Fakultetit të Sigurisë Publike, të cilët kanë përfunduar me sukses studimet në programin Bachelor në Siguri Publike gjatë viteve 2025 - 2026.

 

Ceremonia e organizuar nga Fakulteti i Sigurisë Publike, mblodhi së bashku të diplomuarit për të shënuar përfundimin e rrugëtimit të tyre akademik dhe për t’ua dorëzuar zyrtarisht diplomat e fituara pas përfundimit me sukses të programit të studimeve.

 

Në fjalën e tij para të pranishmëve, ushtruesi i detyrës së Dekanit të Fakultetit të Sigurisë Publike, Prof. Asoc. Dr. Vilard Bytyqi, vlerësoi gatishmërinë e të diplomuarve për t’iu përgjigjur ftesës së Fakultetit dhe Akademisë dhe për t’u ri-takuar në një ceremoni të përbashkët simbolike me rastin e pranimit të diplomave. Ai përgëzoi të diplomuarit për angazhimin, përkushtimin dhe rezultatet e treguara gjatë rrugëtimit të tyre akademik.

 

Në mënyrë të veçantë, u.d. Dekani prof. Bytyqi vlerësoi angazhimin studentëve të cilët paralelisht me studimet kanë vazhduar të kryejnë edhe detyrat e tyre operative në shërbim të institucioneve ligj-zbatuese dhe interesit publik. Gjithashtu theksoi se Akademia i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që t’i pres studentët e rijnë që do t’i fillojnë studimet në vitin akademik 2026/2027.

 

Në emër të studentëve të diplomuar, të pranishmëve iu drejtua me një fjalë rasti edhe togeri Muhamed Berisha. Ai falënderoi Akademinë dhe Fakultetin e Sigurisë Publike për mundësinë e ofruar për studime, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme gjatë gjithë periudhës së studimeve. Tog. Berisha vlerësoi veçanërisht mirëkuptimin dhe fleksibilitetin gjatë studimeve, i cili u ka mundësuar studentëve që krahas obligimeve akademike, të vazhdojnë të përmbushin edhe përgjegjësitë dhe detyrat e tyre profesionale.

 

Me këtë rast, në emër të studentëve të diplomuar, togeri Muhamed Berisha i ndau u.d. Dekanit të Fakultetit të Sigurisë Publike, Prof. Asoc. Dr. Vilard Bytyqi, një mirënjohje në shenjë falënderimi për përkushtimin dhe kontributin e dhënë gjatë rrugëtimit të tyre akademik.

 

Ceremonia u përmbyll me dorëzimin e diplomave dhe realizimin e një fotografie të përbashkët me të diplomuarit dhe pjesëmarrësit, duke shënuar kështu në mënyrë simbolike përfundimin e një etape të rëndësishme të rrugëtimit të tyre akademik dhe profesional.


 

Lexo më shumë
Logo

Na ndiqni në rrjetet sociale!

Lokacioni:

Rr: "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", Nr.60, 42000 Vushtrri, Republika e Kosovës