Akademia e Kosovës për Siguri Publike


 

Akademia e Kosovës për Siguri Publike

 

Akademia e Kosovës për Siguri Publike është themeluar në shtator të viti 1999. Fillimisht është quajtur Shkolla e Shërbimit Policor të Kosovës, më pas nga 2006 është quajtur Qendra e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim. Me 26 mars të vitit 2008, me hyrjen në fuqi të Urdhëresës Administrative të UNMIK-ut nr .2008/3, Akademia e Kosovës për Siguri Publike funksionon si agjenci ekzekutive e Ministrisë së Punëve të Brendshme

Ndërsa  që nga dhjetori i vitit 2011 me miratimin e ligjit, bartë emrin Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP). Sipas këtij Ligji, AKSP është institucion përgjegjës për ofrimin e trajnimeve dhe arsimit të lartë, zbatimin e politikave  si dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë publike. Akademia ofron trajnime dhe arsim të lartë për të gjitha institucionet e sigurisë publike, por pa u kufizuar vetëm në:  Policinë e Kosovës (PK), Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK), Shërbimin Sprovues të Kosovës (SHSK), Doganën e Kosovës (DK), Agjencinë e Menaxhimit Emergjent (AME) dhe Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).

Edukimi i pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë publike është një ndër komponentët kyçe të zhvillimit dhe të krijimit të një sistemi modern dhe të qëndrueshëm të sigurisë në Kosovë. Këto institucione janë të përgatitura në mënyrë profesionale dhe sipas standardeve ndërkombëtare të pranueshme që t’u bëjnë ballë sfidave dhe kërcënimeve. 


Si rezultat i resurseve dhe mjedisit të saj, Akademia është bërë vendqëndrim primar i trajnimit dhe arsimit të lartë për një fushë të gjerë të sigurisë publike dhe një degë e zbatimit të trajnimit.


Brenda vitit në AKSP trajnohen nga 12.000 deri në 13.000  mijë zyrtarë të sigurisë publike në trajnime bazë, të avancuara dhe të specializuara.


AKSP posedon 28 (njëzet e tetë) klasë mësimi dhe ka hapësirë banuese për 711 (shtatëqind e njëmbëdhjetë) studentë; Konviktet janë të ndara për meshkuj dhe femra.


Në objektin kryesor dhe ato përcjellëse gjenden zyrat  mbështetëse administrative, qendra mësimore  “Steve Bennett”,  dy salla për gjimnastikë, një dhomë për ushtrime trupore, armëtorja, tri depo, shërbimi mjekësor, mensa, lavanderia dhe berberi