Lajmet

Lajmet

Një delegacion nga Ekipi i NATO-s për Këshillim dhe Ndërlidhje vizitoi Akademinë

Vushtrri, 24 qershor 2024 –   Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Kastriot Jashari, priti sot në takim një delegacion nga Ekipi i NATO-s për Këshillim dhe Ndërlidhje (NALT – NATO Advisory and Liaison Team), në përbërje nga koloneli i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës Gregory Motz, nga Elisha S. Mejia, nënkolonel i ushtrisë së SHBA-ve dhe nënkoloneli i ushtrisë gjermane Maximilian Sucfűll.

Qëllimi i vizitës ishte që të informohen më për se afërmi më misionin dhe vizionin e Akademisë, si dhe diskutime rreth mundësisë së bashkëpunimit në fushën e trajnimeve.

Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë, Kastriot Jashari, e njoftoi delegacionin ushtarak  të NATO-s për zhvillimet, të arriturat dhe aktivitetet që mbahen në AKSP.

Po ashtu gjatë takimit drejtori Jashari foli edhe për bashkëpunimin që Akademia ka më institucionet ndërkombëtare të sigurisë brenda dhe jashtë shtetit të Kosovës.

Drejtori Jashari duke u shprehur i gatshëm për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e trajnimeve më të gjithë partnerët ndërkombëtarë, ai vlerësoj lartë bashkëpunimin që Akademia ka me partnerët siç janë; NATO dhe SHBA.

Ndërsa, në emër të delegacionit nga Ekipi i NATO-s për Këshillim dhe Ndërlidhje (NALT) foli koloneli Gregory Motz, duke shprehur gatishmërinë e tyre për ta përkrahur Akademinë në realizimin e nevojave në fushën e trajnimeve të zyrtarëve për siguri publike.

Në fund drejtori Jashari e falënderoi Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s  për gatishmërinë  që ta përkrahin Akademinë edhe më tutje.

Gjatë kësaj vizite, Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s vizitoi kampusin e AKSP-së.

Vizita e delegacionit nga Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s u realizua në bashkëpunim me delegacionin e misionit të OSBE-së në Kosovë të udhëhequr nga Drejtori i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë Publike në OSBE, Edward Anderson, i shoqëruar nga Shpresa Muharremi këshilltare për AKSP-në në OSBE si dhe  Bylent Ribari Asistent i Programit në OSBE.

Udhëheqësit e agjencive për siguri në Kosovë morën pjesë në konferencën e IADLEST në SHBA

Vushtrri, 12 qershor 2024 - Më datën 2 deri 5 qershor, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Kastriot Jashari, ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Forenzik Ilir Kukaj, zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Fehmi Hoti dhe Dejan Jankovic, dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor Kushtrim Hodaj, morën pjesë në konferencën vjetor të Shoqatës Ndërkombëtare të Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit (IADLEST) në Phoenix, Arizona.

Delegacioni u mbështet dhe u shoqërua nga Programi Ndërkombëtar i Asistencës në Trajnim për Hetimet Kriminale të Departamentit të Drejtësisë (ICITAP), Atasheu Kimberly Riffe dhe koordinatorja e DD-ICITAP Remzije Ibrahimi.
Kjo ngjarje filloi me një prezantim të flamurit të 23 vendeve të përfaqësuara nga mbi 400 pjesëmarrësit në konferencën katër-ditore.

Ushtruesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Forenzik Ilir  Kukaj u prezantua si panelist për punëtorinë “Bashkëpunimi Ndërkombëtar në Mbështetjen e Akreditimit të Laboratorëve të Mjekësisë Ligjore”, ku ai artikuloi standardet ndërkombëtare dhe akreditimin që Agjencia e Kosovës së Forenzikes ka dhe vazhdon të ketë.

Përveç pjesëmarrjes në seminarin e mjekësisë ligjore,  delegacioni nga Kosova përcjelli dy seminare të paraqitura nga komandantet femra ukrainase mbi mirëqenien/shëndetin mendor dhe shoqatat e grave të zbatimit të ligjit.

Për më tepër,  delegacioni në fjalë  mori pjesë në trajnime interaktive mbi inteligjencën artificiale (AI), mediat sociale dhe rekrutimin, ndër të tjera.
 

 

Një delegacion nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike vizitoi Akademinë e Drejtësisë së Karolinës Veriore në SHBA

Vushtrri, 05 qershor 2024 – Një delegacion nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), e ka vizituar Akademinë e Drejtësisë së Karolinës Veriore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ku janë takuar me udhëheqësit e kësaj Akademi dhe më zyrtarët e lartë të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të këtij Shteti.
Qëllimi i vizitës studimore ishte  zgjerimi i bashkëpunimit mes këtyre dy institucioneve,  AKSP-së dhe NCJA.

Vizita është realizuar në kuadër të projektit “Përkrahja e Akademisë për krijimin e një komisioni të brendshëm të përbashkët për sigurimin e cilësisë”, projekt ky i mbështetur nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë më mision në Kosovë.

Gjatë kësaj vizite delegacioni nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike kanë u informua lidhur më procesin e sigurimit të cilësisë së trajnimeve për zyrtarët e sigurisë publike,  për fazat e implementimit të tij, rreth trajnimeve për instruktorë, çertifikimit etj.

Gjithashtu  delegacioni në fjalë nga zyrtarët e lartë të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit  në Karolinën Veriore janë njoftuar për rolin e tyre në kuadër të aktiviteteve dhe trajnimeve që ofron Akademia e Drejtësisë në Karolinën Veriore.

Ata u njoftuan edhe me pilot projektet siç janë; rishikimi i planeve mësimore, testimeve, mekanizmave vlerësues dhe projekteve tjera të radhës.

Në fund delegacioni i cili ishte i bërë Rrahim Rexha drejtor i Departamentit për Financa dhe Shërbimeve të Përgjithshme në AKSP, Emin Uka udhëheqës i Sigurimit të Cilësisë, Avni Istrefi udhëheqës i Divizionit për Marrëdhënie me Jashtë, Rrahim Fazliu  u.d i shefit për trajnim të obligueshëm në Policinë e Kosovës, Bujar Mstafa udhëheqës i Divizionit për Analizë, Planifikim dhe Cilësi në  Inspektoratin Policor të Kosovës, Ekrem Gashi zyrtar i Lartë për Trajnime dhe Zhvillim në Shërbimin Korrektues të Kosovës u pajisen edhe më certifikatë.

Ndërsa përfaqësuese nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë më mision në Kosovë, e cila është përkrahëse e vazhdueshme e Akademisë,  ishin Shpresa Muharremi dhe Shpresa Mulliqi.

Vizita studimore është  realizuar  nga data 27 maj 2024 deri me datën 01 qershor 2024 dhe është mbështetur nga OSBE-ja.  
 

Një delegacion nga Fakulteti i Sigurisë në Shkup të Maqedonisë së Veriut vizitoi Akademinë

Vushtrri, 28 maj 2024 - Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Kastriot Jashari, priti sot në takim dekanin e Fakultetit të Sigurisë të Universitetit “St. Kliment Ohridski” të Manastirit në Maqedoninë e Veriut, Nikola Dujovski i cili ishte i shoqëruar nga prodekanja e këtij fakultetit, Snežana Mojsoska.

Drejtori, Jashari së bashku me dekanin e  Fakultetit të Sigurisë Publike , Ferid Azemi, e njoftuan delegacionin maqedonas për zhvillimet e fundit në Akademi.

Gjatë këtij takimi, drejtori Jashari e njoftoi dekanin Dujovski për gjendjen aktuale në Akademi, duke përfshirë të arriturat e fundit dhe sfidat me të cilat ballafaqohet institucioni. Ai foli edhe për të reja në rekrutimin e zyrtarëve të sigurisë publike në Kosovë. Në theks të veçantë drejtori Jashari u fokusua në fushëveprimtarinë dhe mandatin e Akademisë si i vetmi institucion në Kosovë për trajnimin dhe arsimin e këtyre zyrtarëve të sigurisë publike në vend. 

Ndërsa, dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike në Akademi, Ferid Azemi e njoftoi delegacionin në fjalë, rreth zhvillimit të procesit arsimor në fakultet. Po ashtu Azemi foli edhe për mundësitë e reja për të fuqizuar më tej bashkëpunimin ndërmjet të dyja fakulteteve.

Kurse, dekani i Fakultetit të Sigurisë të Universitetit “St. Kliment Ohridski” të Manastirit në Maqedoninë e Veriut, Nikola Dujovski u shpreh i gatshëm që bashkëpunimi nderinstitucional të vazhdojë edhe më tutje.  

Gjatë takimit dekani Dujovski  njoftoi për  të rejat më të fundit që e përcjellin Fakultetin e Sigurisë në Shkup në veçanti rreth arsimit të lartë në përgjithësi. 

Në fund të takimit, të dy delegacionet u pajtuan që bashkëpunimi mes tyre në fushën e arsimimit në sigurinë publike të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke marrë pjesë kështu në programe dhe projekte të ndryshme të përbashkëta.

Përndryshe, Fakulteti i Sigurisë Publike i AKSP-së dhe Fakulteti i Sigurisë në Shkup i Universitetit “St. Kliment Ohridski” të Universitetit të Manastirit nga Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi që nga viti 2017, e cila është përtërirë edhe në 2022, përderisa kjo është hera e parë që realizohet shkëmbimi i stafit mësimdhënës ndërmjet të dyja institucioneve përmes fondeve të programit Erasmus+. Si rezultat i marrëveshjes ndërmjet të dyja institucioneve përmes Erasmus+, Dekani i FSP-së, Ferid Azemi dhe ligjëruesja e rregullt në këtë FSP Anita Zenuni,  gjatë këtij muaj kanë marr pjesë  në cilësinë e ligjëruesve në kuadër të mobilitetit të stafit për mësimdhënie në Fakultetin e Sigurisë në Shkup. Ndërsa nga tetori i këtij viti, një student i FSP-së do të qëndrojë për një semestër të plotë atje.

Erasmus+ është program i BE-së që përkrah arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin në Evropë. AKSP e përdor atë që nga viti 2016 për ndërkombëtarizimin e saj, ku kryesisht janë shkëmbyer studentë, pjesëtarë të stafit akademik dhe atij administrativ në gjashtë shtete nga rajoni dhe Evropa.

 

OSBE vazhdon të përkrah Akademinë

Vushtrri, 16 maj 2024 - Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë më misioni në Kosovë vazhdon ta ndihmojë  Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) përmes organizimit të trajnimeve si dhe duke dhuruar donacione të ndryshme që janë të nevojshme për Akademinë.  Gjatë kësaj jave OSBE ka trajnuar 18 zyrtarë,  përkthyese të gjuhëve, në Akademi,  për përdorimin e softuerit të përkthimit me ndihmën e kompjuterit, donacion ky i dhuruar nga kjo organizatë.  Qëllim i këtij donacioni është  të përmirësojë  dhe  të bëjë më të lehtë shërbimet e përkthimit në dy gjuhë serbisht dhe anglisht.


Zyrtarët nga Akademia kanë fituar njohuri nga ky trajnim i cili do t’ju ndihmojë në përkthim profesional të korrikulave, planeve mësimore  dhe materiale tjera për nevojat e Akademisë. 


Misioni i OSBE-së, së bashku me Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, vazhdon të sigurojë mbështetje për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve Zyrtare.

Në Akademi u mbajt mbledhja e radhës e bordit

Vushtrri, 15 maj 2024 – Anëtarët e bordi të  Akademisë së  Kosovës për Siguri Publike (AKSP) sot mbajtën takimin e radhës ku u diskutuan disa pika që kanë të bëjnë më trajnimet dhe arsimimin në fushën e sigurisë publike.


Pas aprovimit të rendit të ditës dhe procesverbaleve të takimit të 41 të  Bordit të AKSP-së, zv/Drejtori i Përgjithshme i Akademisë,  Kastriot Jashari, i njoftoi anëtaret e bordit  për aktivitetet dhe veprimet e ndërmarra të AKSP-së  gjatë muajve të fundit. Jashari u shpreh i gatshme që në bashkëpunim më gjitha institucionet e sigurisë publike tu ofrohet kushte sa më të mira pjesëmarrësve në trajnime.


Gjatë takimit anëtaret e bordit janë njoftuar rreth procesit  aktual të akreditimit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike.


 Udhëheqës i Divizionit për Sigurim të Cilësisë, Emin Uka,  i njoftoi anëtarët e bordit për fazat e vlerësimit ndërkombëtarë nga Asociacionin Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve, Trajnimit dhe Zbatimit të Ligjit (IADLEST) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


Po ashtu anëtarët e bordit u njoftuan edhe për procesin e akreditimin vendor të Akademisë, që është i vetmi institucion në Kosovë për ofrimin e arsimit, aftësimit profesional më trajnime të validuara dhe akreditimin e Akademisë si institucion i Arsimit të lartë.


Në mbledhjen e sotme anëtarët e bordit u njoftuan nga dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Ferid Azemi për korrikulen e re të programit bachellor të Fakultetit të Sigurisë Publike.  Azemi tha ky program është program unik, i integruar për sigurinë publike.


Tutje në këtë takim u fol edhe për procesin e trajnimeve , sidomos në theks të veçantë për trajnime profesionale aktuale që janë duke u mbajtur në Akademi.


Në mbledhjen e sotme u zgjodh kryesuesi i ri i bordit Ismail Dibranin, i cili njëheri është drejtor i Përgjithshëm i SHKK-së.   
Në këtë takim morën pjesë  zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë Kastriot Jashari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Sprovues të Kosovës Arsim Tahiri, Drejtori i Përgjithshëm i Inspektoratit Policor të Kosovës Kushtrim Hodaj,  Drejtori i Përgjithshëm i Doganës se Kosovës Agron Llugaliu,  Drejtori i Përgjithshëm i  Shërbimit Korrektues të Kosovës  Ismail Dibrani,  zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent Shefki Avdullahu, Dekani i Fakultetit të Sigurisë Ferid Azemi,  Drejtori i Departamentit për Rend dhe Siguri në OSBE me mision në Kosovë Edward Anderson si dhe zyrtarë të lartë nga institucionet  përkatëse.

 

Zëvendës ambasadorja e OSBE në Kosovë Cornelia Taylor vizitoi Akademinë

Vushtrri, 14 maj 2024-  Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Kastriot Jashari priti sot në takim zëvendës ambasadoren e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) më mision në Kosovë, Cornelia Taylor.

Qëllimi i vizitës ishte që të ofroj përkrahje edhe më tutje për Akademinë në realizimin e trajnimeve në fushën e sigurisë publike.


Zv/drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Kastriot Jashari u shpreh i lumtur për këtë vizitë. Drejtorit Jashari e njoftoi zv/ambasadoren Taylor  për aktivitetet dhe trajnimet aktuale që janë duke u mbajtur në Akademi.


Gjatë këtij takim Jashari e falënderoi OSBE-në për ndihmën dhe mbështetjen që jep Akademisë në vazhdimësi.


“Falë mbështetjes së partnerëve tanë ndërkombëtarë siç janë OSBE, ICITAP si dhe punës së palodhshme të stafit, Akademia sot ka arritur suksese të mëdha”, u shpreh Jashari.


Jashari përmendi që OSBE ka mbështetur  institucionet e sigurisë publike që nga themelimi e deri të avancimi i tyre për mes trajnimeve dhe donacioneve të shumta.


Zëvendës ambasadorja e OSBE më mision në Kosovë, Cornelia Taylor, falënderoi drejtorin Jasharin për pritjen, ndërkohë  përgëzoi  drejtorin për progresin dhe zhvillimet në Akademisë.


Ambasadorja Taylor shprehu interesimin e saj rreth trajnimeve të ofruara në Akademi e po ashtu edhe rreth inkuadrimit të gjinisë femërore në AKSP.


Në fund të takimi ajo shprehu mbështetje për Akademinë edhe në të ardhmen.

Në Akademi u mbajt tryezë me temën “Rendi i ri botëror dhe siguria kombëtare”

Vushtrri, 07 maj 2024-  Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP),  sot u mbajt tryezë me temën “Rendi i ri botëror dhe siguria kombëtare”,  ku u diskutua gjendja e sigurisë në vend.   

Kjo tryezë është organizuar nga Shoqata e Pensionistëve të TMK/FSK dhe Simpatizantëve “ELITA” në kuadër të javës së sigurisë. 

Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike  Kastriot Jashari, duke folur rreth situatës së sigurisë tha se është  shumë e rëndësishme për të debatuar  rreth sfidave më të cilat ballafaqohen institucionet e sigurisë publik. Ai tha se situata e sigurisë është sfidë e madhe për gjithë globin. 

Jashari vlerësoi se çdo diskutim që bëhet mund të kontribuojë për të gjetur faktorët të cilët mund të ndikojnë në sigurinë e përgjithshme të vendit. 

 “Akademia   është gjithmonë e gatshme që të përkrahë ngjarje të tilla që kanë një rëndësi të veçantë për sigurinë e vendit në përgjithësi”, tha drejtori Jashari.

Në këtë tryezë morën pjesë, përfaqësues të shoqatës në fjalë,   zëvendësministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës Shemsi Syla, zyrtarë nga institucionet e sigurisë  dhe shoqërisë civile në Republikën e Kosovës. 

Zëvendësministri Syla duke u vlerësuar lartë organizimin e kësaj tryezë, në fjalimin e tij temë ishte   “Mbrojtja gjithëpërfshirëse si koncept i kombinuar i shekullit XXI”, për të cilën tha se nënkupton që në gjendje lufte ose emergjence, të gjitha funksionet e shoqërisë, si ushtarake ashtu edhe ato civile, përfshihen në përpjekjet e mbrojtjes. 

Zv/ministri Syla foli për shtyllat e mbrojtjes totale, duke i sqaruar në detaje veç e veç, siç janë: mbrojtja ushtarake, mbrojtja civile, mbrojtja ekonomike, mbrojtja sociale, mbrojtja digjitale dhe mbrojtja psikologjike. 

Skender Agaj, Zyrtar për Marrëdhënie me Jashtë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike foli rreth rolit  dhe misionit të AKSP-së duke i njoftuar të pranishmit se Akademia është përgjegjës për ofrimin e trajnimit, arsimit të lartë dhe hulumtimit në fushën e sigurisë publike për institucionet e sigurisë në vend.  

Gjatë kësaj tryeze Agaj i njoftoi të pranishmit   edhe për bashkëpunimin vendor dhe  ndërkombëtar që ka Akademia më institucionet e sigurisë brenda dhe jashtë vendi. 

Po ashtu gjatë kësaj tryeze u  diskutuan edhe temat si ajo e sulmi serb në Banjskë të Mitrovicës,  Siguria kombëtare në dritën e konfliktit Ukrainë – Rusi etj .

Javën e sigurisë tashmë është aktivitet  tradicional i organizuar nga   Shoqata e Pensionistëve të TMK/FSK-së në Kosovës, ku zhvillohen disa aktivitete në disa qytete të vendit.

 

Në Akademi filloi trajnimin gjenerata e 60 e kadetëve të Policisë së Kosovës

Vushtrri, 29 prill 2024 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) sot filloi trajnimin themelor “zyrtar policor”,  gjenerata e 60 e kadetëve të policisë së Kosovës.

Kjo gjeneratë e cila numëron 460 kadetë, gjatë trajnimit do të marrin njohuritë e nevojshme sipas standardeve me të larta evropiane,  për t’i kryer detyrat me profesionalizëm në shërbim të qytetarëve.
 

Diplomoi gjenerata e 59-të e Policisë së Kosovës

Vushtrri, 18 prill  2024 – Pas përfundimit  të trajnimit për zyrtarë policor,  të mbajtur në Akademinë e Kosovës për  Siguri Publike (AKSP), 445 kadetët të gjeneratës së 59-të  të Policisë së Kosovës sot bënë betimin e tyre për t’i shërbyer Republikës së Kosovës.

Gjatë  ceremonisë së  diplomimit  ku morën pjesë të gjithë krerët e shtetit, kadetët u betuan së do të  kujdesën për sigurinë dhe paqen e gjithë qytetarëve të vendit, pa dallim.


Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, duke iu dëshiruar suksese në punë të sapo diplomuarve, tha se të kujdesesh për sigurinë e qytetarëve të vendit është sfidë dhe privilegj shumë i madh.

“Të jesh polic nuk është thjesht një profesion, është një mision e një kauzë për një mjedis ku të gjithë ndihen të sigurt e të lirë. Kjo punë kërkon guxim përballë vështirësive, dhembshuri e përkrahje në momente të caktuara dhe përkushtim të palëkundur ndaj betimit të cilin do ta bëni të gjithë sot”, tha presidentja Osmani.

Presidentja Osmani tha Kushtetuta e Republikës së Kosovës është udhërrëfyese  e punës së tyre.  “Do t’u bashkoheni radhëve të policisë për ta realizuar me vendosmëri përgjegjësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e republikës sonë...”, tha presidentja Osmani.


Policëve të rinj iu uroj suksese në punë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti.


Kryeministri Kurti tha se vendit tonë do t’i shtohen edhe 445 policë të rinj të cilët do të shërbejnë  në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.


“Të figura e policit janë të përbashkuara personifikimi i zbatimit të ligjit dhe i respektimit të rendit publik si dhe vet imazhi dhe autoriteti i shtetit dhe shoqërisë përkatëse”, tha kryeministri Kurti.


Gjatë fjalimit kryeministri Kurti u shpreh i lumtur që numri  I femrave që po inkuadrohen në Policinë e Kosovës është në rritje e sipër.

 “Kjo do të thotë se raporti gjinor i kësaj gjenerate është 1 me 4, apo çdo i pesti pjesëtar është police”, u shpreh kryeministri Kurti duke thënë se nga 445 policët që do të betohen sot, 345 janë djem dhe 100 vajza.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se kjo ditë është shumë  e rëndësishme për vendin dhe  Policinë e Kosovës.


“Ju do të jeni pjesë e një organizate të madhe, e ngritur mbi parimet e shërbimit të barabartë për të gjithë qytetarët tanë dhe garantimin e sundimit të rendit dhe ligjit në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës”, tha ministri Sveçla.


Ministri Sveçla tha se respektimi i Kushtetutës së Kosovës, mbrojta e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit janë parimet dhe vlerat e qarta të Policisë së Kosovës të cilat duhet t’i bartni në çdo ditë të punës suaj.


Kadetët të cilët që nga sot do t’i bashkohen Policisë së Kosovës i përshëndeti edhe Drejtorit i Përgjithshëm i Policisë Gazmend Hoxha, Drejtori Hoxha kërkoj nga ta që gjatë punës së tyre të respektojnë Kushtetutën e Kosovë, të kujdesën për rend dhe siguri për gjithë qytetarët e vendit tonë.

 



Drejtori Jashari u takua me një delegacion nga Byroja Ndërkombëtare e Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit

Vushtrri, 11 prill 2024 - Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) Kastriot Jashari, priti sot në takim Ellen Alegranti, zyrtare e Punëve te Jashtme për Kosovë dhe Shqipëri, nga Byroja Ndërkombëtare e Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), departamenti i shtetit amerikan, Patrice Lindor këshilltari i  programit për Shërbimin Korrektues dhe Zbatimin e Ligjit si dhe Diellza Azemin, asistente administrative nga Byroja Ndërkombëtare e Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit.

Qëllimi i vizitës ishte që të njihen më përse afërmi me rolin dhe përgjegjësit e Akademisë si institucion i trajnimit dhe arsimit të lartë për zbatuesit e ligjit në Republikën e Kosovës, për të arriturat dhe sfidat e Akademisë.
 
Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së së Kastriot Jashari, gjatë fjalimit hyrës e njoftoi delegacion për punën, sfidat dhe të arriturat e  Akademisë, shprehu falënderimin e pa rezervë për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën, e që përmes INL, ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ICITAP në vazhdimësi ka ofruar ndihmën dhe përkrahjen për Akademinë në ngritjen profesionale të pjesëtarëve të sigurisë publike, si dhe për gatishmërinë e tyre për t'i ofruar ndihmë Akademisë edhe në të ardhmen.

Pa kontributin e SHBA-ve, me theks të veçantë ICITAP-it, nuk do të ishte e mundur të mendohet zhvillimi i Akademisë deri në këtë stad, apo nivel të lartë të arritjes se standardeve ndërkombëtare.

Jashari siguroi të pranishmit se misioni dhe vizioni i Akademisë do të vazhdojë t'i ruaj standardet e larta të trajnimit dhe arsimit të lartë për të gjithë zyrtarët e sigurisë publike.
 
Gjatë kësaj vizite, delegacioni pati mundësinë të vizitoi edhe njërën prej klasave të Trajnimit Profesional për Zyrtar Korrektues të gjeneratës së 44-të si dhe kampusin e AKSP-së me objektet përcjellëse.



Në Akademi u mbajtën lojërat para sportive “Kosova 2024”

Vushtrri, 2  mars 2024 –Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) sot  u mbajtën  lojërat para sportive “Kosova 2024\", për personat më nevoja të veçanta, më qëllim të përgatitjes për Lojrat Paralimpike Paris 2024.



Kryetarja e Komitetit Paralimpik të  Kosovës, Njomza Emini falenderoj Akademinë e Kosovës për Siguri Publike,   Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Misioni i UNMIK në Kosovë,  që kanë mundësuar organizimin dhe  realizimin e kësaj ngjarje shumë të rëndësishëm.



Në theks të veçantë Emini, falënderojë Qeverinë e Republikës së Kosovës për mbështetjen e fuqishme që po ua bënë  Komitetit Paralimpik të Kosovës.

Ndërsa, drejtori i Departamentit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike Rrahim Rexha, tha se lojërat para sportive janë një aktivitet shumë i rëndësishëm që zhvillohen në Akademi.
“Akademi  ka qene dhe  është e gatshme të përkrah këtë komitet në realizimin e aktiviteteve të saja. Ne do të vazhdojmë  që edhe më tutje t’i përkrah  këto kategori” , u shpreh Rexha.



Halil Kurmehaj këshilltar i zëvendëskryeministrit tha se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë t’i përkrah personat me nevoja të veçanta.  “Si Qeveri e Kosovës po bëjmë përpjekje të vazhdueshme që të përmirësojmë jetën e personave më aftësi të kufizuar. Vetëm këtë vit kemi shumëfishuar fondet për sportet paralimpike të Kosovës. Kemi ndarë fonde të shumta për Komitetin Paralimpik të Kosovës, për federatat sportive  dhe ju premtojmë se nuk do të ndalemi me kaq, do ta vazhdojmë t’i përkrahim personat me nevoja të veçanta”, u shpreh Kurmehaj.
Lojërat të cilat do të marrin pjesë garuesit janë; Basketboll me karrige me rrota, Volejboll ulur, Tenis tavoline, Lojëra me shah, Gol për të verbëritë, Xhudo me rregulla paralimpike, Mundje krahu, Futboll i verbër, Vrapimi me karrocë etj.  

Këto lojëra u organizuan nga Komiteti Paralimpik i Kosovës, së bashku me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Misioni i UNMIK në Kosovë dhe u përkrahen nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike.