}

NewsArticle

31/03/2026

Në AKSP u mbajt punëtoria “Ndërtimi i një mjedisi të sigurt: Parandalimi i ngacmimeve seksuale”

 

Vushtrri, 31 mars 2026 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot u mbajt punëtoria me temë “Ndërtimi i një mjedisi të sigurt: Parandalimi i ngacmimeve seksuale”. Ky aktivitet u organizua nga Organizata Joqeveritare ArtPolis, në bashkëpunim me AKSP-në, me mbështetjen e Fondacionit “Kvinna till Kvinna”.

 

Qëllimi i punëtorisë ishte rritja e ndërgjegjësimit dhe forcimi i kapaciteteve institucionale për parandalimin dhe trajtimin e rasteve të ngacmimeve seksuale, si dhe promovimi i një mjedisi të sigurt dhe gjithëpërfshirës brenda institucioneve publike dhe arsimore.

 

Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime interaktive dhe shkëmbim përvojash, duke theksuar rëndësinë e rolit institucional në adresimin efektiv të rasteve të ngacmimeve seksuale. U trajtuan aspekte praktike lidhur me identifikimin, raportimin dhe menaxhimin e këtyre rasteve, si dhe u diskutuan mekanizmat e mbrojtjes për viktimat.

 

Një vëmendje e veçantë iu kushtua kornizës ligjore në fuqi dhe nevojës për zbatim të qëndrueshëm të saj, me theks të veçantë në Konventën e Stambollit si instrument ndërkombëtar obligativ për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore. Në këtë kontekst, u diskutua edhe procesi i hartimit dhe zbatimit të rregulloreve institucionale kundër ngacmimeve seksuale, sfidat juridike dhe institucionale që hasen në praktikë, si dhe roli i shoqërisë civile në mbështetjen e institucioneve.

 

Punëtoria gjithashtu theksoi domosdoshmërinë e ndërtimit të një kulture institucionale me tolerancë zero ndaj ngacmimeve seksuale, duke promovuar përgjegjësi, transparencë dhe reagim të menjëhershëm në çdo rast të raportuar.

 

Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të kapaciteteve të AKSP-së dhe institucioneve partnere në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe profesional për të gjithë.


 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Delegacioni nga Shërbimi i Burgjeve dhe Sprovues i Danimarkës vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike
Delegacioni nga Shërbimi i Burgjeve dhe Sprovues i Danimarkës vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike

 

Vushtrri, 26 mars 2026 – Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mirëpriti sot një delegacion nga Shërbimi i Burgjeve dhe Sprovues i Danimarkës (SHBSD), i kryesuar nga Gitte Møller Hansen, udhëheqëse për edukim në këtë institucion. Delegacioni u prit nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, Shpend Shabani, së bashku me bashkëpunëtorë të Akademisë dhe përfaqësues të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

 

Duke i uruar mirëseardhje mysafirëve, z. Shabani theksoi se vizita është dëshmi e partneritetit të fortë ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, veçanërisht në fushën e trajnimeve dhe zhvillimit profesional. Ai nënvizoi rëndësinë e marrëveshjes 10-vjeçare mes dy qeverive të nënshkruar në vitin 2022 dhe të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2024. Ai po ashtu shprehu gatishmërinë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira, si dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

 

Në fokus të diskutimeve ishte edhe mundësia e organizimit të trajnimit për 25 zyrtarë korrektues që pritet të angazhohen në Burgun e Gjilanit për realizimin e marrëveshjes në fjalë ndërmjet Danimarkës dhe Kosovës. Megjithëse kapacitetet trajnuese për vitin 2026 janë të planifikuara, drejtuesit e Akademisë u shprehën të hapur për shqyrtimin e kësaj kërkese.

 

Gjatë takimit, përfaqësuesit e AKSP-së dhe SHKK-së prezantuan institucionet e tyre përkatëse, duke përfshirë programet trajnuese dhe aktivitetet zhvillimore, me ç’rast theksuan se Akademia ofron një gamë të gjerë trajnimesh dhe arsimin e lartë në nivel bachelor për zyrtarët e sigurisë publike.

 

Nga ana tjetër, delegacioni danez vlerësoi lartë punën dhe arritjet e Akademisë në përgatitjen e kuadrove profesionale.

 

Znj. Gitte Møller Hansen prezantoi projektet e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, përfshirë pilot-projektin në Burgun e Gjilanit dhe iniciativën e “POP-UP” shkollave për trajnimin e zyrtarëve korrektues.

 

Ndërkaq, z. Søren Jacobsen shpjegoi modelin danez të trajnimit, duke theksuar kombinimin e njohurive bazike me trajnimin praktik sipas standardeve dhe legjislacionit danez.

 

Vizita u karakterizua nga një frymë bashkëpunimi dhe angazhimi për thellimin e mëtejmë të partneritetit në fushën e sigurisë dhe trajnimeve.


 

Lexo më shumë
Logo

Na ndiqni në rrjetet sociale!

Lokacioni:

Rr: "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", Nr.60, 42000 Vushtrri, Republika e Kosovës