}

NewsArticle

26/03/2026

Delegacioni nga Shërbimi i Burgjeve dhe Sprovues i Danimarkës vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike

 

Vushtrri, 26 mars 2026 – Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mirëpriti sot një delegacion nga Shërbimi i Burgjeve dhe Sprovues i Danimarkës (SHBSD), i kryesuar nga Gitte Møller Hansen, udhëheqëse për edukim në këtë institucion. Delegacioni u prit nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, Shpend Shabani, së bashku me bashkëpunëtorë të Akademisë dhe përfaqësues të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

 

Duke i uruar mirëseardhje mysafirëve, z. Shabani theksoi se vizita është dëshmi e partneritetit të fortë ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, veçanërisht në fushën e trajnimeve dhe zhvillimit profesional. Ai nënvizoi rëndësinë e marrëveshjes 10-vjeçare mes dy qeverive të nënshkruar në vitin 2022 dhe të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2024. Ai po ashtu shprehu gatishmërinë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira, si dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

 

Në fokus të diskutimeve ishte edhe mundësia e organizimit të trajnimit për 25 zyrtarë korrektues që pritet të angazhohen në Burgun e Gjilanit për realizimin e marrëveshjes në fjalë ndërmjet Danimarkës dhe Kosovës. Megjithëse kapacitetet trajnuese për vitin 2026 janë të planifikuara, drejtuesit e Akademisë u shprehën të hapur për shqyrtimin e kësaj kërkese.

 

Gjatë takimit, përfaqësuesit e AKSP-së dhe SHKK-së prezantuan institucionet e tyre përkatëse, duke përfshirë programet trajnuese dhe aktivitetet zhvillimore, me ç’rast theksuan se Akademia ofron një gamë të gjerë trajnimesh dhe arsimin e lartë në nivel bachelor për zyrtarët e sigurisë publike.

 

Nga ana tjetër, delegacioni danez vlerësoi lartë punën dhe arritjet e Akademisë në përgatitjen e kuadrove profesionale.

 

Znj. Gitte Møller Hansen prezantoi projektet e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, përfshirë pilot-projektin në Burgun e Gjilanit dhe iniciativën e “POP-UP” shkollave për trajnimin e zyrtarëve korrektues.

 

Ndërkaq, z. Søren Jacobsen shpjegoi modelin danez të trajnimit, duke theksuar kombinimin e njohurive bazike me trajnimin praktik sipas standardeve dhe legjislacionit danez.

 

Vizita u karakterizua nga një frymë bashkëpunimi dhe angazhimi për thellimin e mëtejmë të partneritetit në fushën e sigurisë dhe trajnimeve.


 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike filloi trajnimi i gjeneratës së 46-të të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës
Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike filloi trajnimi i gjeneratës së 46-të të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës

 

Vushtrri, 11 mars 2026 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ka filluar zyrtarisht trajnimi profesional për gjeneratën e 46-të të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës.Ky trajnim përfaqëson një hap të rëndësishëm në përgatitjen profesionale të zyrtarëve korrektues, të cilët në të ardhmen do të angazhohen në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës.

 

Programi i trajnimit është hartuar në përputhje me standardet bashkëkohore profesionale dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, me theks të veçantë në respektimin e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit, etikën profesionale dhe menaxhimin korrektues.

 

Gjatë muajve sa do të zgjasë trajnimi, kadetët do të pajisen me njohuri teorike dhe praktike, si dhe do të zhvillojnë shkathtësi dhe kompetenca profesionale të nevojshme për ushtrimin e detyrave të tyre.

 

Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës ndër vite kanë ndërtuar një bashkëpunim të qëndrueshëm institucional, i cili ka kontribuar në zhvillimin dhe avancimin e vazhdueshëm të programeve të trajnimit dhe në rritjen e cilësisë së përgatitjes profesionale të stafit korrektues.

 

Trajnimi për gjeneratën e 46-të do të zgjasë 23 javë dhe do të vijohen nga gjithsej 100 kadetë të Shërbimit Korrektues të Kosovës, prej të cilëve 82 meshkuj dhe 18 femra. Përmes këtij programi trajnues, kadetët do të përgatiten profesionalisht për të kontribuar në forcimin e profesionalizmit, sigurisë dhe integritetit në sistemin korrektues të Republikës së Kosovës.

 

 

 

Lexo më shumë
Logo

Na ndiqni në rrjetet sociale!

Lokacioni:

Rr: "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", Nr.60, 42000 Vushtrri, Republika e Kosovës