Sot diplomoi gjenerata e re e kadetëve të Doganës së Kosovës
Vushtrri, 12 gusht 2025- Pas pëfundimit të trajnimit profesional në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, sot në një ceremoni solemne diplomoi gjenerata e re e kadetëve të Doganës së Kosovës. 108 kadetë doganor prej tyre, 69 meshkuj dhe 39 femra nga sot do të jenë në shërbim të mbrojtjes së shtetit, ekonomisë dhe sigurisë së qytetarëve, duke zbatuar praktikat më të mira profesionale.
Ceremonia solemne e diplomimit të 108 kadetëve doganor, njëherësh shënoi edhe 26 vjetorin e themelimit të Doganës së Kosovës ku morën pjesë personalitetet të larta shtetërore, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, zyrtarë të Doganës së Kosovës, zyrtarë të lartë të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, si dhe familjarët e kadetëve doganor të sapodiplomuar.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, në fjalën e rastit në ceremonin e diplomimit të kadetëve doganor vlerësoi lartë punën e Doganës së Kosovës, ndërsa theksoi se me diplomimin e kadetëve të rinj, Dogana fiton jo vetëm staf të ri, por edhe energji të re, mendim të freskët dhe motivim për të ecur bashkë përpara.
Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, në fjalën e tij gjatë ceremonisë, vuri në pah të arriturat e Doganës së Kosovës përgjatë viteve, ndërsa shprehu mirënjohje për të gjithë punonjësit për angazhimin dhe punën me integritet e profesionalizëm.
Gjithashtu ai uroi kadetët e sapodimplomuar ndërsa shprehu bindjen se do të punojnë me integritet e përkushtim në realizimin e misionit të tyre, mbrojtjen e ekonomisë dhe sigurisë së shtetit.
Kadetët e sapodimplomuar i përgëzoi edhe Eva Palatova, ushtruese e detyrës së shefes së BE-së në Kosovë, ndërsa vlerësoi përparimin në reformat e rekrutimit dhe operacioneve të Doganës.
Kadetja e sapodimplomuar Shkurte Hajredini, me emocione foli për rrugëtimin e saj dhe kolegëve, përgjatë muajve të trajnimit në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, duke theksuar se aty morën njohuri të thella për punën që do ta kryejn nga sot.
“Përvoja në AKSP ishte një bazë e fortë e cila u ndërtua çdo ditë e më shumë me ligjërata të mbajtura nga profesionistët me përvojë, me ushtrime praktike e diskutime të hapura që na ndihmuan të kuptonim thelbin e punës sonë. Në AKSP, jo vetëm se morëm njohuri, por aty mësuam kulturën e shërbimit, ndershmërinë, korrekëtësinë dhe përkushtimin ndaj detyrës”, tha kadetja Hajredini.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Shpend Shabani, me bashkëpunëtorët nga menaxhmenti i lartë.