Drejtori për Rend e Siguri Publike i OSBE-së Bertram Welsing vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike
Vushtrri, 19 gusht 2025 - Drejtori i sapoemëruar i Departmantit për Rend dhe Siguri Publike (DRSP) pranë Misionit të OSBE-së në Kosovë, Bertram Welsing, vizitoi sot Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ku u prit nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, Shpend Shabani me bashkëpunëtorë.
Drejtori Shabani, fillimisht i uroi mirëseardhje dhe suksese në detyrë z. Welsing, ndërsa u shpreh falënderues për mbështetjen e vazhdueshme të OSBE-së për Akademinë në realizimin e projekteve dhe programeve në fushën e sigurisë publike në Republikën e Kosovës.
“Zhvillimi dhe arritjet në AKSP janë falë ndihmës dhe kontributit që OSBE ka dhënë edhe pas kalimit të kompetencave tek vendorët, respektivisht në të gjitha fazat e saj. Akademia është ndihmuar në vazhdimësi, prandaj OSBE është një ndër partnerët kryesorë strategjik me të cilin ne bashkëpunojmë dhe kemi pasur ndihmën e këtij misioni në të gjitha aspektet dhe etapat e zhvillimit deri më sot”, u shpreh z. Shabani.
Drejtori Shabani theksoi nevojën e bashkëpunimit të AKSP-së me institucionet homologe ndërkombëtare, në këtë rast edhe me institucionet gjermane të fushës së arsimit të sigurisë publike, për çka kërkoi edhe arritjen e një marrëveshjeje formale të mundshme bashkëpunimi.
Gjatë takimit u prezantua në pika të shkurtëra misioni dhe vizioni i Akademisë, roli, përgjegjësitë, të arriturat e AKSP-së dhe bashkëpunimet në nivel ndërkombëtarëduke nënvizuar rolin kyç të saj në ngritjen e kapaciteteve të sigurisë publike në Republikën e Kosovës.
Nga ana e tij z. Welsing, kujtoi kohën kur ishte në Kosovë si misionar në vitet e para të pasluftës ndërsa, shprehu admirim për nivelin e zhvillimit të Akademisë dhe përgatitjen profesionale të pjesëtarëve të sigurisë publike.
Ai, përgëzoi udhëheqjen e AKSP-së për angazhimin dhe të arriturat në përgatitjen e resurseve njerëzore në shtimin e efikasitetit në sigurinë publike, duke u zotuar se mbështetja këshilldhënëse e profesionale nga OSBE nuk do të mungojë që Akademia të vazhdojë të jetë institucion kredibil për përgatitjen e gardës zbatuese të ligjit, garantuese e sigurisë shtetërore e qytetare.
Gjithashtu z. Welsing shprehu interesin e vazhdimit të bashkëpunimit të OSBE-së me Akademinë në nivelin strategjik, në formën e partneritetit të përbashkët.