11/07/2025
Sot diplomoi gjenerata e 62-të e Policisë së Kosovës
Vushtrri, 11 korrik 2025 - Sot diplomoi gjenerata e 62-të e kadetëve të Policisë së Kosovës.
279 zyrtarë policor të trajnuar në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike,nga sot do veshin uniformën e Policisë së Kosovës për të shërbyer në mbrojtjen dhe sigurinë e vendit dhe të të gjithë qytetarëve.
Në ceremonia solemne të diplomimit të kadetëve morën pjesë personalitetet të larta shtetërore, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, eprorë dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, zyrtarë të lartë të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, si dhe familjarët e kadetëve të sapodiplomuar.
Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 62-të të kadetëve të Policisë së Kosovës, tha se për 26 vite me radhë që nga krijimi, Policia e Kosovës shërben me përkushtim e integritet.
“Ky institucion po forcohet e radhët e saj po shtohen çdo herë e më shumë. 62 gjenerata të diplomuara përfshirë këtë të sotmen, të cilat udhëhiqen nga profesionalizmi, në mbrojtje të Republikës, ligjeve e Kushtetutës së vendit, sovranitetit e integritetit territorial. Të jesh pjesë e Policisë së Kosovës është nder dhe përgjegjësi e lartë. Kjo uniformë dhe ky institucion është më shumë sesa zbatuese e ligjit, por edhe përfaqësuese e vlerave të disiplinës ndaj punës, integritetit dhe atdhedashurisë.” u shpreh zëvendëskryeministri Bislimi.
Ai shtoi se kadetët i përbashkon misioni e qëllimet e njëjta, ndërsa në realizimin e tyre do ta kenë përherë qeverinë përkrah.
Ndërkaq ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, tha se kjo gjeneratë që sot jep betimin si pjesëtarë të Policisë së Kosovës, janë mbështetja e vizionit tonë të përbashkët për një polici profesionale që garanton rend e ligj, që respekton e mbron qytetarët tanë dhe që me integritet e disiplinë mbron besimin e qytetarëve të ndërtuar ndër vite për Policinë e Kosovës
“Policia jonë, jo vetëm që është institucioni me besimin më të lartë, por është shembull në rajon për partneritetin dhe suksese në operacionet ndërkombëtare në luftimin e grupeve kriminale”, tha minsitri Sveçla.
Ministri, uroi policët e rinj, ndërsa shprehu besimin se ata do të shërbejnë me përgjegjësi e integritet të lartë duke respektuar ligjet në mbrojtjen dhe sigurinë e vendit dhe qytetarëve.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Gazmend Hoxha, duke iu drejtuar kadetëve të rinj tha se nga sot keni hyrë në një kapitull të ri të jetës suaj personale dhe profesionale.
“Uniforma policore nuk është një previlegj, por mbi të gjitha është një përgjegjësi shumë e madhe. Njëkohësisht është një emicion, një krenari, duke pranuar detyrën e shërbimit të shenjtë ndaj qytetarëve të vendit”, tha drejtori Hoxha.
Ai u kujtoi kadetëve që çdo veprim që do të ndërmarrin të jetë në harmoni me ligjin.
“Qytetarët në uniformën tuaj shohin shpresë, guximin, presin mbrojtje dhe siguri, e ju duhet të jeni atje e të zbatoni ligjin” tha Hoxha.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Shpend Shabani.
Gjatë ceremonisë së diplomimit kadetët e gjeneratës së 62-të të Policisë së Kosovës morën certifikatat për pranimin e detyrës së re, duke u betuar se me profesionalizëm, përgjegjësi e integritet do të kujdesen për sigurinë dhe paqen e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.