Në Fakultetin e Sigurisë Publike diplomuan pesëdhjetë e një studentë

24.06.2022

Vushtrri, 24 qershor 2022 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike sot diplomuan pesëdhjetë e një studentë të gjeneratës së pestë të Fakultetit të Sigurisë Publike. Gjatë ceremonisë së diplomimit u vlerësua se edukimi dhe trajnimi i pjesëtarëve të sigurisë publike luan një rol të rëndësishëm në sigurinë e qytetarëve dhe të vendit.  

 

Të diplomuarit janë zyrtarë nga të gjitha agjencionet e sigurisë publike, nga Policia e Kosovës, Shërbimi Korrektues i Kosovës, Shërbimi Sprovues i Kosovës, Dogana e Kosovës, Agjencioni i Menaxhimit Emergjent dhe Inspektorati Policor i Kosovës. 

 

Ministri i Punëve  të Brendshme Xhelal Sveçla i uroj të diplomuarit për suksesin e arritur.  “Jam i nderuar që jam para jush në një rast ku ju po hapni një kapitull të ri për ju,  por edhe për shtetin tonë. Ceremonia e përfundimit  të angazhimit tuaj për  ngritjen tuaj  akademike në fakt është vetëm fillimi i ngritjes suaj, tashmë në një nivel shumë më të lartë”, u shpreh Sveçla duke thënë se siguri e vendit tonë shpesh është cenuar nga faktorët e ndryshëm duke vlerësuar kështu si shumë të domosdoshme ngritjen e kapaciteteve në menaxhimin e çfarë do lloj situate. 

 

Ministri Sveçla tha se gjenerata e sapo diplomuar diturinë e fituar gjatë studimeve në Fakultetin e Sigurisë Publike do ta përdorin për të rritur vigjilencën në sigurinë e vendit.  "Tash e katër muaj është duke ndodhur një luftë jo vetëm e padrejtë, por edhe e pabarabartë një agresion edhe  i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës. Ky është rast ku ne si akterë të sigurisë ballafaqohemi me situata të reja, për ne edhe jo të panjohura, është edhe një dëshmi që ne duhet të jemi vigjilente dhe të përgatitur për çdo situatë të mundshme. Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës patjetër që ka ndikuar në sigurinë tonë duke marrë parasysh që Serbia është pozicionuar përkrah agresorit  dhe në vazhdimësi ka bërë përpjekje për destabilizimin e vendit tonë”,  u shpreh ministri Sveçla duke thënë se ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët  pa dallime është mision i përbashkët i të gjitha agjencioneve të sigurisë publike. 


Zëvendësuesi i Drejtori të Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Kastriot Jashari tha se synimi i vetëm i Akademisë është që tu ofroj trajnime dhe arsimim në nivelin më të lartë për të gjithë zyrtarët e sigurisë publike. 

“Ju uroj mirëseardhje në këtë tempull të dijes, në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Institucioni në të cilin gjendeni ju sot, është udhëhequr gjithmonë nga një vizion i qartë për avancimin e vazhdueshëm të nivelit të arsimit në fushën e sigurisë publike, përkatësisht të zbatimit të ligjit”, u shpreh  Jashari duke thënë se zyrtaret e sigurisë  publike që kanë dalë nga Akademia kanë qenë të gatshëm për t’u ballafaquar me sfida dhe dinamika të paparashikueshme gjithnjë në funksion të një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, religjioni, regjioni, moshe apo gjinie.  “Akademia është institucion me kredibilitet dhe identitet të qartë i krahasueshëm ndërkombëtarisht në cilësinë e dijes akademike dhe i konfirmuar me Çmimin e Ekselencës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Jashari.


Edhe, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu gjatë fjalimit të saj u shpreh e lumtur që të sapo diplomuarit pavarësisht sfidave kanë arritur sukses. Më këtë rast Haxhiu tha se do të krijojnë kushte edhe më të mira  për çdo zyrtarë  në institucionet e sigurisë. 

"Jam e lumtur që shtetit tonë po i shtohen gjenerata të reja, me qëllim të kontributit dhe angazhimit në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, por edhe sundimit të ligjit, sidomos në një situatë tejet të vështire për të cilën foli edhe ministri Xhelal Sveçla. Të gjithë bashkë jemi zotuar se do të rrisim kapacitetet tona në siguri, por edhe në drejtësi, dhe duhet të angazhohemi për kushte më të mira të punës brenda institucioneve tona duke qenë të bindur që vetëm në këtë mënyrë do të arrimë të krijojmë ambient dhe kushte të punës që i motivojnë zyrtarët tanë”, u shpreh Haxhiu duke thënë se Shërbimi Korrektues i Kosovës ka një partneritet dhe bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. 


Kurse Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti  tha se çdo zyrtarë i sigurisë publike kanë rol kyç në avancimin e institucioneve të sigurisë. Drejtori Mehmeti tha se zhvillimi dhe avancimi i kuadrove të sigurisë në Institucionet e zbatimit të ligjit ndikon në ndërtimin e Institucioneve kredibile.

“Edukimi dhe trajnimi kanë rol të rëndësishëm, sidomos me formësimin në kuadër profesional në mënyrë që të kemi zhvillim institucional, ashtu siç e përmendi edhe ministri Sveçla jemi para sfidave të mëdha të sigurisë globale, sigurisë rajonale që natyrisht kanë influencë në vendin tonë”,  tha Mehmeti.

 

Dekani i Fakultetit  për Siguri Publike Bejtush Gashi tha se studentët e sapo diplomuar janë promotor i avancimit  dhe zhvillimit të sigurisë publike në Republikën e Kosovës. Dekani Gashi foli edhe për proceset që ka kaluar dhe është duke kaluar Fakulteti i Sigurisë Publike. Gashi  tha se FSP është edhe në proces të hapjes së programit master në fushën e sigurisë publike. 

“Synimet tona shkojnë më teje, duke dëshiruar inkuadrimin e të gjithë institucioneve tjera të sigurisë, ne kemi arritur dhe të shquhemi për sukseset prandaj do të vazhdojmë të punojmë për një ambient edhe më mirë si për profesorët ashtu edhe për studentët”, tha Gashi.  Në fund dekani i uroj studentët për diplomimin e tyre dhe sukses në punën.


Ndryshe gjatë ceremonisë u ndanë certifikatë për dy studentë të dalluar. Në emër të studentëve foli Qëndresë Ramadani e cila u shpallë edhe studentë e dalluar, tha gjatë periudhës katër vjeçare kanë përfituar dhe janë ngritë profesionalisht. “Kemi punuar shumë që të japim më të mirë nga vetja për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve të vendit”, tha Ramadani. 

Në fund të ceremonisë janë ndarë çertifikatat për të gjithë të diplomuarit e nivelit bachelor.  


Në ceremoninë e diplomimit morën pjese edhe zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit  Korrektues të Kosovës Sami Gashi, zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Sprovues të Kosovës Arsim Tahiri, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent Shefki Abdullahu, drejtori i Departamentit në Doganat e Kosovës Bashkim Arifi, udhëheqësi i Departamentit në Inspektorati Policor të Kosovës Bajram Fetahu, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Vushtrrisë Maliq Ferizi, drejtori i Departamentit për Rend dhe Siguri Publike në misionin e OSBE-së në Kosovë Edward Anderson, këshilltari i lartë për Policinë e Kosovës në ICITAP Timot përfaqësues nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë si dhe zyrtarë të lartë të Akademisë.