Historiku

 

Kampusi i sotëm i Akademisë ka ekzistuar që nga mesi i të 60-tave. Deri më 1971 ka shërbyer si Institut Trajnimi për Ushtrinë Jugosllave. Nga viti 1971 e deri 1989 ka qenë Akademi Policore (shkollë e mesme). Përderisa përgjatë viteve të 90-tave të shekullit të 20 është shfrytëzuar si bazë ushtarake e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë.

Shkolla e Shërbimit Policor të Kosovës (SHSHPK) u themelua në vitin 1999. Pas luftës në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999, komuniteti ndërkombëtar ishte përgjegjës për themelimin dhe udhëheqjen e institucioneve të ruajtjes së rendit në Kosovë. Kështu, Misioni i OSBE-së në Kosovë do ta merrte detyrën e rekrutimit dhe trajnimit të Shërbimit të ri Policor të Kosovës (SHPK), përderisa Kombet e Bashkuara do të zhvillonin organizatën (së bashku me Policinë Civile Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara) dhe do të ofronin trajnim fushor deri në kohën kur SHPK do të ishte e gatshme të merrte përgjegjësitë si një shërbim policor plotësisht i organizuar dhe i qëndrueshëm për Kosovën, sipas parimeve tëpolicimit demokratik dhe të orientuar nga komuniteti.

Gjatë kësaj kohe dallojmë dy faza:

-    Faza emergjente (1999 - 2002) që karakterizohet me trajnime rapide dhe vendosjen e policëve vendorë, pra Shërbimin Policor të Kosovës.

-   Faza tranzitore (2002 - 2005) kur institucioni u transformua nga një Shkollë e Shërbimit Policor në një institucion trajnues i sigurisë publike, ku përveç për zyrtarët e policisë mbaheshin trajnime edhe për zyrtarët e doganës dhe të korrektuesve  Gjatë kësaj faze u ngritën kapacitetet e stafit vendor në të gjitha nivelet.

Më 1 janar 2006 ka përfunduarfaza e transferimit të kompetencave dhe përgjegjësive nga ndërkombëtarët tek vendorët, kur institucioni zyrtarisht u emërtua Qendra e Kosovës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim (QKSPEZH).

Më 26 mars 2008, Udhëzimi Administrativ nr. 2008/3 dhe Rregulloret nr. 2008/17 dhe nr. 2008/18, ligjërisht e themelojnë Qendrën e Kosovës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim (QKSPEZH) si agjenci ekzekutive të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nën ombrellën e së cilës mbahen trajnime të përbashkëta për të gjithë zbatuesit e ligjit, duke u fokusuar veçanërisht në trajnimin themelor, të avancuar, të specializuar, dhe atë të menaxhimit dhe lidershipit. Kurse më 18 tetor 2010, Ministri i Punëve të Brendshme nënshkruan Udhëzimin Administrativ për Organizimin dhe Strukturimin e Brendshëm të QKSPEZH.

Më 10 dhjetor 2011 ka hyrë në fuqi Ligji Nr. 04/L-053 për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP). Sipas këtij Ligji, AKSP është institucion i vetëm publik arsimor përgjegjës për ofrimin dhe zbatimin e politikave dhe strategjive të trajnimit, arsimit të lartë, hulumtimit si dhe zhvillimin e kapaciteteve për të gjitha institucionet e sigurisë publike në Kosovë, por pa u kufizuar vetëm në: Policinë e Kosovës (PK), Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK), Shërbimin Sprovues të Kosovës (SHSK), Doganën e Kosovës (DK), Agjencinë e Menaxhimit Emergjenct (AME) dhe Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).