Qendra e Kosovës për Siguri Publike anëtarësohet në INTERPA

04.07.2011

Vushtrri, 04 korrik ’11 – Qendra e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim (QKSPEZH) është anëtarësuar në Asociacionin Ndërkombëtar të Akademive Policore (INTERPA). Kështu ka bërë të ditur Kryeshefi Ekzekutiv  i Qendrës së Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim, Sheremet Ahmeti, pas kthimit të tij nga vizita zyrtare dy ditore në Republikën e Turqisë.
Kryeshefi Ahmeti i shoqëruar nga drejtori i Departamentit të Trajnimeve për Përkrahje Programore Dukagjin Dinaj, gjatë vizitës zyrtare të tyre në Turqi kanë marrë pjesë në nënshkrimin e draft protokollit për themelimin e Asociacionit Ndërkombëtar të Akademive Policore (INTERPA), i cili u nënshkrua në Stamboll me 2  korrik ku përveç pjesëmarrjes në këtë nënshkrim QKSPEZH edhe u bë anëtare e këtij asociacioni.
Asociacioni Ndërkombëtar i Akademive Policore (INTERPA) ka për qëllim të themeloj platformën e komunikimit, bashkëpunimit, shkëmbimit dhe koordinimit të përvojave me shtetet anëtare të këtij asociacioni. 
Qëllimi i themelimit të këtij asociacioni është lufta kundër krimit, kundër terrorizmit, kontrabandës, trafikimit me njerëz dhe gjitha dukurive tjera negative.
Menaxhmenti i lartë i QKSPEZH-it në kuadër të vizitës së tyre zyrtare në Turqi kanë marrë pjesë edhe në një ceremoni të Akademisë Policore Kombëtare Turke në Ankara. Gjatë kësaj ceremonie kryeshefi Ahmeti ka pasur takim miqësor edhe me presidentin e Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl, dhe kryeministrin  Recep Tayyip Erdogan. Përveç tjerash kryeshefi Ahmeti është takuar me përfaqësuesit e lartë të Akademisë Policore turke ku kanë diskutuar  për vazhdimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqisë. Ahmeti tha se gjatë takimeve është vlerësuar lartë bashkëpunimi bilateral midis dy vendeve dhe është shprehur gatishmëria për ngritjen dhe thellimin e marrëdhënieve në gjitha fushat e në theks të veçantë në fushën e sigurisë, në fushën e trajnimeve.