Lajmet

Lajmet

Sot u shënua 20 vjetori i themelimit të Akademisë


Vushtrri, 06 shtator 2019 –  Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot shënoi 20 vjetorin e themelimit të saj, ku u vlerësua se gjatë kësaj periudhe ka pasur shumë të arritura sa i përket trajnimeve dhe arsimit në fushën e sigurisë publike. 


Në ceremoni morën pjesë  Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Policisë në Shqipëri Bilbil Mema, Menaxherja e Programit të ICITAP-it në Kosovë Kimberly Riffe, Zëvendës udhëheqësi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) më mision në Kosovë Kilian Wahl, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Calaj, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektuese Nehat Thaçi, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës Bahri Berisha, Kryeshefja Ekzekutive e Inspektoratit Policor të Kosovës Miradije Kelmendi, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent Fadil Kodra,  ish udhëheqësit e Akademisë si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. 


Me rastin e njëzet vjetorit të Akademisë e cila atëherë është quajtur Shkolla e Shërbimit Policor të Kosovës, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në zhvillimin e Akademisë.


Drejtori Smakiqi tha se këtë vit shumë institucione në Kosovë festojnë njëzet vjetorin e fillimit të punës së tyre, por vlerësoj se njera prej institucioneve më të rëndësishme të vendit, në fushën e sigurisë publike është ish Shkolla e Shërbimit Policor të Kosovës, tani Akademia e Kosovës për Siguri Publike. 


“Në muajin gusht të vitit 1999, misioni i OSBE-së në Kosovë filloi procesin e rekrutimit të punonjësve në OSBE, ndërsa më 6 shtator 1999 OSBE e hapi  Shkollën e Policisë dhe ka filluar trajnimin e kadetëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Gjenerata e parë e kadetëve numëroi 176 pjesëtarë”, tha Smakiqi. 



Smakiqi tha se gjatë këtyre 20 viteve historia e Akademisë është historia e formimit, plotësimit të kapaciteteve njerëzore dhe zhvillimeve të Agjencive të Sigurisë Publike, të cilat merren me zbatimin e ligjit në Kosovë.


“Mandati i Akademisë, institucion përgjegjës për ofrimin e trajnimeve dhe arsimit të lartë, në fushën e sigurisë publike, për të gjitha institucionet e sigurisë publike, është padyshim vlera më e lartë e këtyre njëzet viteve, në fushën e arsimimit të institucioneve të sigurisë publike”, tha Smakiqi.


Drejtori Smakiqi falënderoi OSBE dhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës  për ndihmën që i ka barë Akademisë që nga themelimi e deri me tani. 



“Më lejoni të shpreh konsideratën më të lartë për ju dhe institucionet të cilat ju i udhëhiqni, për kontributin e jashtëzakonshëm për Akademinë. Ju dhe institucionet tuaja, në faza të ndryshme të zhvillimit të Akademisë keni udhëhequr Akademinë, që nga themelimi i saj, keni mbështetur dhe keni këshilluar Akademinë”, u shpreh Smakiqi.

Drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së Ismail Smakiqi, tha se 2019-ta shënon historinë më të re të Akademisë me mbajtjen e trajnimeve profesionale të akredituara në Autoritetin kombëtar të kualifikimeve, bazuar në Kornizën Kombëtare dhe Evropiane të Kualifikimeve, si dhe të Akreditimit të Akademisë nga Asociacion Ndërkombëtar i drejtorëve të standardeve dhe trajnimit të Zbatimit të ligjit (IADLEST) të SHBA-ve. “Akreditimi nga IADLEST, siç dihet është akreditimi i parë i një akademie jashtë SHBA-ve”, tha Smakiqi


Po ashtu drejtori Smakiqi falënderoi edhe ministrinë e Punëve të Brendshme Ekrem Mustafa si dhe kryetarin e Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, për përkrahjen e Akademisë  në zhvillimet e saj.

Një falënderim të veçantë drejtori Smakiqi ka bërë për drejtorin e parë të Akademisë, Steve Bennett  i cili ka qenë siç tha Smakiqi njëri ndër kontribuuesit më  të mirë të zhvillimit të Akademisë.  



Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues Nehat Thaçi i cili njëherit është edhe kryesuesi i Bordit të AKSP-së, tha se Akademia është tempull i dijës i cili prodhoi president, lider, udhëheqës të institucioneve të sigurisë. “Akademia  është tempull në të cilën linden sportistë të cilët zbardhen fytyrën e  Akademisë  dhe shtetit tonë në arenat ndërkombëtare, tempull i dijes që prodhoi njerëz të cilët ngritën kulturën familjare dhe edukatën familjare”, u shpreh Thaçi duke e inkurajuar Akademinë dhe stafinë për punën e tyre. 


“Ju inkurajoj në emër të bordit që të vazhdoni  të prodhoni produktin i cili garanton sigurinë kombëtare të vendit tonë”,  përfundoi Thaçi. 


Në ceremoninë e 20 vjetorit të themelimit të Akademisë ka folur edhe  zëvendës udhëheqësi i misionit të OSBE-së në Kosovë Kilian Wahl.  Më këtë rast Wahl  vlerësoi lartë të arriturat e Akademisë, duke thënë se gjatë kësaj përiudhe ka pasur mjaftë të arriturat në Akademi.  

Wahl tha se Akademia është bërë ofruesi kryesor i trajnimit dhe edukimit për Policinë e Kosovës, për Shërbimin Korrektues, Doganat, Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave dhe Inspektoratit Policor të Kosovës. 


“OSBE ka vazhduar të jetë ofruesi i vetëm dhe më i madh ndërkombëtar i trajnimeve për sigurinë publike dhe Agjencitë e zbatimit të ligjit, duke u përpjekur të mbështesë punën e Akademisë. Mesatarisht që nga viti 2006 misioni ka ofruar afër 60 trajnime të specializuara dhe të avancuara profesionale për cdo vit\", tha ai duke thënë se OSBE-ja bashkëpunojë me të gjitha palët e interesit, për të siguruar që kjo Akademi të ofrojë cilësi të konsiderueshme dhe të sigurojë shërbimet më të mira të mundshme të sigurisë.


Edhe Menaxherja e Programit të ICITAP-it në Kosovë Kimberly Riffe vlerësoj lartë punën e Akademisë për gjatë këtyre 20 viteve. Riffe tha se ICITAP do të vazhdojë ta përkrah Akademinë edhe më tutje. 


Ajo tha se akreditimi ndërkombëtarë i Akademisë është një arritur e madhe, ndërsa vlerësoj se hapi tjetër i madh është që Akademia të ri akreditohet. 


Riffe tha se Akademia duhet  të vazhdojë që të punojë  më përkushtimin të ofroj trajnime  në fushën e sigurisë për të gjithë zbatuesit e ligjit.  


Kurse Steve Bennett  e cili ishte drejtori  i parë i Akademisë e cila atëherë është quajtur Shkolla e Shërbimit Policor të Kosovë, tha se për këto vite Akademia ka përparuar shumë. 


“Jam shumë i emocionuar, kjo ditë ma kujton të kaluarën time. Nuk besoj që janë shtatë janë më mijëra që kanë kontribuar në arritjen këtu dhe meritat e tyre që kanë punuar gjatë gjithë kohës. Ky ka qenë një përkushtim ekipor, grupor dhe përkrahja e institucioneve financiare kanë bërë të mundur këto arritje. Jam shumë krenar për këtë. Me duket vetja siku prind kur e shoh se çka ka ndodhur këtu. Ndihemi krenar që kam qenë këtu që nga fillimi, që nga lindja e Akademisë, mirëpo kjo është rritur dhe është bërë profesionistë dhe po njihet ndërkombëtarësh”, u shpreh Bennett.


Ndërkaq ish drejtori i Policisë së Kosovës dhe i Akademisë, Sheremet Ahmeti ka falënderuar të gjitha ata që kanë kontribuar në zhvillimin e shtetit.  “Nuk duhet harruar ndihmën e madhe që OSBE-ja dha vazhdimisht  në ngritjen dhe përkrahjen në të gjitha kapacitet e Policisë së Kosovës. Përshëndes të gjithë ata që kanë ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve të të gjithë zyrtarëve të sigurisë publike. “Nuk ka asgjë më të shenjtë së sa t'i shërbesh vendit tanë, qytetarëve të vendit”, tha Ahmeti


Në fund Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi ka nda mirënjohje partnerëve të Akademisë OSBE-së dhe ICITAP-it, si dhe ish udhëheqësve të AKSP-së. Për të shënuar 20 vjetorin e themelimit të Akademisë u prezantua edhe një dokumentarë ku u pasqyruan të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe. 




 

27 punonjës të IPK-së u trajnuan nga agjentë të FBI për luftim të korrupsionit

Vushtrri, 29 gusht 2019 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), përfundoi trajnimi i realizuar nga ICITAP-i amerikan ku morën pjesë 27 punonjës të IPK-së.   


Ky trajnim është vazhdimësi e përkrahjes së IPK-së nga ICITAP-i amerikan në fuqizimin e kapaciteteve profesionale në fushën e hetimeve.


Ligjërues të këtij trajnimi ishin ekspertë të lartë të FBI-së (Federal Bureau of Investigation – Byroja Federale e Hetimeve) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në ceremoninë e diplomimit mori pjesë  edhe Kryeshefja e IPK-së  znj. Miradije Kelmendi e cila në fjalën e saj të rastit falënderoi ekspertët dhe zyrtarët e ICITAP-it për kontributin e tyre në rritjen e profesionalizmit në IPK.


Pjesë e ceremonisë ishin gjithashtu edhe udhëheqësja e programit të ICITAP-it në Kosovë znj. Kimberly Rife dhe Drejtori i AKSP-së z. Ismail Smakiqi të cilët vlerësuan lart rëndësinë e fuqizimit të kapaciteteve të IPK-së në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

Rihapet konkursi për pranimin e studentëve në Fakultetin e Sigurisë Publike

Vushtrri, 27 gusht 2019 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP),  rihapet  konkursi për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve bachelor, në Fakultetin e Sigurisë Publike për vitin akademik 2019/2020.

Konkursi mbyllet më datën 05.09.2019

Më gjerësisht lexo: Konkursi


                                 Manuali

Linku për aplikim: http://smu.aksp-ks.net


 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike

Vushtrri, 21 gusht 2019 - Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot e vizitoi Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli, i cili u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi, Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Bejtush Gashi, drejtorët e departamenteve të Akademisë si dhe udhëheqësit e departamentit të trajnimeve të Policisë së Kosovës në Akademi.

 

Drejtori Smakiqi e njoftoi kryetarin e Kuvendit të Kosovës Veseli për aktualitetet në Akademi, ku është duke u zhvilluar trajnimi profesional për Policë të Ri, të cilin e ndjekin 416 kadet të Policisë së Kosovës. Gjithashtu ai shtoi se gjatë vitit 2019 në Akademi kanë përfunduar trajnimet profesionale 17 kadet të  Inspektoratit Policor të Kosovës si dhe 119 kadet të Shërbimi Korrektues i Kosovës, po ashtu siç tha drejtori Smakiqi në Fakultetin e Sigurisë Publike ndjekin studimet 240 student.

Drejtori Smakiqi e informoi  Veseli për akreditimin ndërkombëtar të cilin e fitoi Akademia nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit (IADLEST) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në maj të vitit 2018, pas vlerësimit gati një vjeçar nga ekipi i ekspertëve i këtij Asociacioni. Të gjitha Programet Profesionale janë akredituar në Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve, kurse Programi Studimor është akredituar dhe Ri akredituar nga Agjencia e Akreditimit e Kosovës, përfundoi Smakiqi.

 Ndërsa kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli, i inkurajoi kadetët e Policisë së Kosovës për vendimin e tyre që të i bashkëngjiten Policisë së Kosovës, e cila sic tha ai e ka kredibilitetin e institucionit më të besueshëm në Kosovë dhe regjion. “Ju po ashtu ndjekeni trajnimin në një Akademi e cila ka programe të akredituara dhe e cila prinë në regjion për cilësi”, tha kryetari Veseli.

 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli vizitoi edhe hapësirat e Akademisë duke takuar dhe biseduar me zyrtar të Akademisë, të Agjencive të Sigurisë Publike, student dhe kadet të agjencive.

 


Shpallen rezultatet e studentëve të pranuar në Fakultetin e Sigurisë Publike

Vushtrri, 15 gusht  2019 - Komisioni përzgjedhës për pranimin e studenteve, pas vlerësimit të testeve publikon rezultatet për pranimin e studentëve në Fakultetin e Sigurisë Publike për vitin akademik 2019/2020.

 

Lista: Kliko këtu

Shtyhet afati për regjistrimin e studentëve në vitin e parë të studimeve, për vitin akademik 2019 – 2020

Vushtrri, 31 korrik 2019 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, shtyhet afati për regjistrimin e studentëve në vitin e parë të studimeve bachelor në Fakultetin e Sigurisë Publike, për vitin akademik 2019 – 2020.


Konkursi për regjistrimin e studentëve mbetet i hapur deri me datën 10.08.2019.

Ndërsa, provimi pranues do të mbahet në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, më datën 15.08.2019 duke filluar prej orës 10:00.

Aplikimi bëhet  online  në adresën elektronike http://smu.aksp-ks.net


Dokumentet duhet të dorëzohen në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, në objektin e ri Fakulteti i Sigurisë Publike, nr. i Zyrës 111.

Më gjerësisht lexo: Konkursi
                                  
                               Manuali

Linku për aplikim: http://smu.aksp-ks.net
 

Në Akademi diplomoi gjenerata dyzetenjë e Shërbimit Korrektues të Kosovës

Vushtrri, 30 korrik 2019 –  Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) sot diplomuan njëqindenëntëmbëdhjetë kadetë të  Shërbimit Korrektuese të Kosovës.

Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë Ministri i Ministrisë së Drejtësisë Abelard Tahiri, Kryetari i Këshillit Prokurorial Bahri Hyseni, Drejtori i  Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës  Rashit Qalaj, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës Nehat Thaqi, Kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës Miradije Kelmendi, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës  Bahri Berisha, Përfaqësuesi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Methew Jones, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë se Menaxhimit Emergjent Shefki Abdullahu si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Në fjalën e tij, ministri Tahiri ka theksuar se pjesë e trashëgimisë së tij, krahas ligjeve vitale për qytetarët, është pikërisht avancimi në sistemin korrektues të Republikës së Kosovës.

\"Infrastruktura ka shënuar përmirësim të plotë dhe vazhdon të përmirësohet edhe sot.  Qendra të reja janë hapur e ato të vjetrat janë rinovuar. Kemi menaxhim efikas të procedurave standarde të veprimit, dhe kemi ulur për herë të parë në një nivel të plotë, dukuritë negative brenda burgjeve. Sot Qendrat Korrektuese, nuk janë as për së afërmi ato që kanë qenë dikur, dhe të njëjtat i kemi vendosur në një kurs të pakthyeshëm drejt avancimit, standardeve dhe respektimit të ligjit\", ka thënë ministri Tahiri.

Ministri Tahiri ka uruar gjeneratën e re të kadetëve, duke kërkuar nga ta që të përkushtohen në zbatimin e ligjit.

\"Ngjashëm do të definohet nga përkushtimi juaj për t'i dhënë njeriut dinjitetin që i takon, pavarësisht faktit se ai mbahet në korrektim. Dhe në mes të kësaj pune, përkushtimi juaj, është ai që do bëjë diferencën, në rast se Qendrat tona Korrektuese do jenë referencë e sundimit të ligjit, apo degradimit të tij. Prandaj, për fund, duke ju dëshiruar sukses në karrierë, avancim dhe ngritje profesionale në të ardhmen, ju ftoj që të jepni maksimumin tuaj që këtij segmenti të rëndësishëm të zbatimit të ligjit, t'i jepni dimension kuptimplotë, efikas e të përgjegjshëm\", ka thënë ministri  Tahiri.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi u shpreh i lumtur  që kadetët  e sapo diplomuar të Shërbimit Korrektues të Kosovës janë të parët  që përfunduan  programin profesional  të validuar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve. Smakiqi tha se këto programe janë hartuar bazuar në kompetencat e nevojshme për punë profesionale të zbatuesve të ligjit në vendet e tyre të punës.

“Kjo ceremoni renditet në ngjarjen e radhës e cila shënon historinë e Akademisë, për arsye se 119 kadetët e Shërbimit Korrektues të Kosovës, të parët po përfundojnë një Program Profesional të validuar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, në Akademinë e akredituar - institucion përgjegjës për ofrimin e këtyre trajnimeve për të gjitha institucionet e sigurisë publike”, tha Smakiqi.

Drejtori Smakiqi duke uruar Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës Nehat Thaqi, për përfundimin e Trajnimit Profesional të 119 zyrtarëve korrektues tha: “ I nderuari drejtor Thaçi iu ftoj ju dhe kolegët e agjencive të punojmë së bashku në ngritjen e cilësisë së trajnimeve në Akademi, me synimin e fundit të ngritjes të shërbimeve të sigurisë për qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës Nehat Thaçi tha se është detyrë dhe përgjegjësi e madhe t’i shërbesh vendit.

“Të jesh pjesëtarë i Shërbimit Korrektues të Kosovës për veç që është privilegj për t’i shërbyer vendit,  është detyrë të shërbesh për siguri duke garantuar të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e vendit, pra edhe atyre që janë të privuar nga liria duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, u shpreh Thaçi duke thënë se puna e pjesëtarëve të sigurisë publike është një punë e shenjtë.

“Më punën dhe përkushtimin tonë së bashku do të ngritim imazhin e Shërbimit Korrektues të Kosovës”, tha Thaçi.

Kadetët në ceremoninë e diplomimit i përshëndeti edhe përfaqësuesi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Methew Jones, i cili përgëzoi Akademinë dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës për diplomimin e gjeneratës së dyzetenjë të zyrtarëve korrektues. Jones kujtoj kohën e themelimit të Akademisë me gjeneratat e para të kadetëve të Policisë së Kosovës dhe progresin e arritur gjatë këtyre viteve në Akademi dhe Agjencitë e Sigurisë Publike.

 

U hap konkursi për pranimin e studentëve në Fakultetin e Sigurisë Publike për vitin akademik 2019/2020

Vushtrri,  18 korrik 2019 – Në Akademinë  e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) , u hap konkursi për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve bachelor, në Fakultetin e Sigurisë Publike për vitin akademik 2019/2020.

Të drejtë aplikimi në këtë konkurs kanë zyrtarët e Policisë së Kosovës, Doganës së Kosovës, Shërbimit Korrektues të Kosovës si dhe zyrtarët nga Shërbimi Sprovues i Kosovës.

Aplikimi bëhet online në adresën elektronike: http://smu.aksp-ks.net:8090/

Dokumentet duhet të dorëzohen në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, në Objektin e ri Fakulteti i Sigurisë Publike Nr. i Zyrës 111.

                                            
Më gjerësisht lexo: Konkursin
                                  

                                 Manuali


Linku për aplikim: http://smu.aksp-ks.net

                                        

                              
 

Bordi i Akademisë mbajti takimin e radhës

Vushtrri, 10 korrik 2019 – Bordi i Akademisë së  Kosovës për Siguri Publike mbajti sot takimin e radhës ku u diskutuan disa pika që kanë të bëjnë më arsimimin në fushën e sigurisë.

Në këtë takim morën pjesë  Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Sprovues të Kosovës Bajram Bujupi,  Kryeshefja  Ekzekutive e Inspektoratit Policor të Kosovës Miradije Kelmendi,  Drejtori i Përgjithshëm i Doganës se Kosovës  Bahri Berisha,  Drejtori i Përgjithshëm i  Shërbimit Korrektues të Kosovës  Nehat Thaqi,  Drejtor i Përgjithshëm  i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent Fadil Kodra, Dekani i Fakultetit të Sigurisë Bejtush Gashi,  Drita Perezic nga ICITAP, si dhe zyrtarë të lartë nga institucionet  përkatëse..

Gjatë takimit, anëtarët e bordit kanë diskutuar për përcaktimin e kuotave për institucionet e sigurisë publike në studimet themelore bachelor për vitin akademik 2019/20 në Fakultetin e Sigurisë Publike në Akademi.

Në fillim të takimit anëtarët e bordit propozuan dhe e votuan  për kryesues  të bordit Nehat Thacin Drejtori i Përgjithshëm i  Shërbimit Korrektues të Kosovës. 

Në vazhdim të takimit të Bordit të AKSP-së drejtori Smakiqi i njoftoi anetaret  rreth ecurisë së punës së grupit punues për analizimin, zbërthimin dhe hartimin e rekomandimeve konkrete për implementimin e politikave të përbashkëta për realizimin e fushëveprimit të ligjit të AKSP-së për përmbushjen e standardeve të akreditimit.

Drejtori Smakiqi e njoftoi Bordin e AKSP-së për komunikimin për mes shkresave me Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve, gjegjësisht kërkesën e Autoritetit për plotësimit të kushteve të dhëna nga AKK për të gjitha programet profesionale, me qëllim të validimit të këtyre programeve profesionale dhe akreditimit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike.
Anëtarët e Bordit gjatë diskutimeve theksuan domosdonë e plotësimit të këtyre kushteve nga ana e Akademisë dhe Agjencive të Sigurisë Publike duke u zotuar në avancimin edhe të më tejmë të Akademisë si institucion përgjegjëse për ofrimin e trajnimeve dhe arsimit të lartë për të gjitha institucionet e sigurisë publike.

Drejtori Smakiqi po ashtu njoftoi Bordin e AKSP-së rreth pjesëmarrjes në konferencën vjetore të IADLEST në SHBA si dhe rreth takimit të zhvilluar me Northwestern University (SHBA) lidhur me krijimin e Programit Studimor të Masterit nga fusha e Menaxhmentit - Lidershipit i cili do të bazohet në programin e “Shkollës së Stafit Policor dhe Komandës”.

Ideja e krijimit të Programi Studimor të Masterit – nga fusha e Menaxhmentit (Lidershipit)” i cili do të bazohet në programin gjegjësisht kurikulen e kursit të “Shkolla e Stafit Policor dhe Komandës”, ka lindur në vitin 2017, gjatë mbajtjes të trajnimit dhjetë javor të Shkollës së Stafit dhe Komandës Policore, në periudhën 20 shkurt deri më 18 maj 2017, i cili në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike u mbajt për të pestën herë me radhë.

“Kurse gjatë zhvillimit të punimeve të konferencës në Milwaukee, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për Siguri Publike të Universitetit Northwestern   David Bradford shprehi gatishmërinë për përkrahjen e Akademisë në krijimin e një “Programi Studimor të Masterit – nga fusha e Menaxhmentit (Lidershipit)” i cili do të bazohet në programin gjegjësisht kurikulen e kursit të ‘Shkolla e Stafit Policor dhe Komandës’”, tha drejtori Smakiqi

 

Një delegacion nga shteti i Katarit vizitoi Akademinë


Vushtrri, 02 korrik 2019 – Akademinë e Kosovës për Siguri Publik (AKSP) sot e vizitoi një delegacion nga Ministria e Brendshme e shtetit të Katarit, i udhëhequr nga  Kolonel Ali Hassan Al-Kubaisi, drejtor i Departamentit të Krimeve Ekonomike dhe Elektronik ku u takuan më Drejtorin e Përgjithshëm të Akademisë Ismail Smakiqi.

Delegacioni gjatë vizitës ishte i shoqëruar edhe nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme Abduselami Shkodra si dhe Amir Ahmeti ushtrues detyre i ambasadorit të Kosovës në shtetin e Katarit.

Delegacioni nga Katari ishe i përbërë edhe nga kolonel Mohammed Ahin Ali -Ahin drejtor gjeneral i Mbrojtjes Civile, kapiten Issa Saleh Abdullah Al- Khualifi  drejtor gjeneral i Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë Publike, toger Saud Mohammed Saud  Al -Dulaimi nga Instituti Policor për Trajnime dhe toger Khalid Mohammed Al-Sahl nga Departamenti për Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Qëllimi i vizitës ishte që të njihen për së afërmi më punën fushë veprimtarinë e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike.

Gjatë takimi mes të dyja palëve u bisedua rreth gjetjes së mënyrë së bashkëpunimit  në fushën e sigurisë mes Akademisë së Kosovës dhe Akademisë së Sigurisë Publike të Katarit.

Më ketë rast zëvendësministri i Punëve të Brendshme Abduselami Shkodra, e falënderoi drejtorin Smakiqi për pritje, ndërkohë që e përgëzojë për punën e bërë në Akademi.

“Drejtori Smakiqi është meritor për zhvillimin e Akademisë, zhvillimin e kuadrove këtu, por është meritor edhe për krijimin e bashkëpunimit më partnerët ndërkombëtarë”, tha  Shkodra i cili më këtë rast u shpreh i gatshme për Bashkëpunim me shtetin e Katarit.


Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi e njoftoj delegacionin për të arriturat e saj, për sfida si dhe për zhvillimin e trajnimeve që bëhen në AKSP. 

Drejtori Smakiqi e njoftoi delegacionin për zhvillimet dhe për proceset e  rëndësishme të Akademisë, për funksionimin e Fakultetit të Sigurisë, për dy projektet e binjakëzimit të cilat tashmë kanë përfunduar më sukses.

Po ashtu në kuadër të kësaj vizite delegacioni u njoftua edhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm që ka Akademia më akademitë policore evropiane dhe më gjerë.


Duke e njoftuar delegacionin për bashkëpunimin ndërkombëtarë që ka Akademia, drejtori Smakiqi u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me shtetin e Katarit, konkretisht me Akademinë e Sigurisë Publike atje. Siç tha ai bashkëpunimi mund të jetë në shkëmbimin e  përvojave mes dy akademive në fushën e sigurisë për zyrtarët e agjencioneve të sigurisë publike. 

“Një bashkëpunim i tillë është i mirëseardhur”, u shpreh Smakiqi.

Kurse delegacioni nga Katari shfaqen interesimin e tyre rreth procesit të regrutimit të zyrtarëve të sigurisë publike në Kosovë si dhe rreth zhvillimit të trajnimeve në Akademi. Edhe delegacioni në fjalë shfaqen interesimin e tyre për bashkëpunim.

“Ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit dhe  ndërtimit të urave bashkëpunuese. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë më ju në shkëmbimin e përvojave në fushën e sigurisë”, tha Kolonel Ali Hassan Al-Kubaisi, drejtor i Departamentit të Krimeve Ekonomike dhe Elektronik.

Në fund delegacioni bëni një vizitë nëpër ambientin e Akademisë.

Në seminarin në Oranienburg të Gjermanisë morën pjesë 14 zyrtarë nga Kosova


Vushtrri, 01 korrik 2019 - 
Një delegacion i përbërë nga zyrtarët e  lartë të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), duke përfshirë edhe stafin akademik  tw  Fakultetit të Sigurisë Publike pranë Akademisë dhe ligjërues të angazhuar nga Policia e Kosovës si nga pjesa e trajnimeve profesionale, ashtu edhe nga ajo e studimeve të larta, morën pjesë në seminarin “Sjellja në situata të jashtëzakonshme”.

Seminari në fjalë u mbajt nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Policisë së Shtetit të Brandenburgut në Oranienburg të Gjermanisë, në kuadër të bashkëpunimit që ka AKSP me këtë institucion përmes programit Erasmus+, përkatësisht përmes Mobilitetit Ndërkombëtar të Kredive (ICM) të këtij programi.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi të AKSP-së me këtë Universitet nga Gjermania, bazuar në financimin përmes programit Erasmus+, është arritur që përveç 14 zyrtarëve në fjalë, të dërgohen në të njëjtin seminar edhe 35 zyrtarë të tjerë të Policisë së Kosovës, qoftë studentë të Fakultetit të Sigurisë Publike të AKSP-së, apo edhe zyrtarë policorë të ndërlidhur me sistemin e trajnimit dhe arsimit në kuadër të Akademisë.


 

Në Akademi përfundoi trajnimi “Shkolla e Stafit Policor dhe Komandës”


Vushtrri, 28 qershor  2019 - 
Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP),  dyzet e dy oficer dhe zyrtar të lart të agjencive të sigurisë publike të Kosovës  sot përfunduan  trajnimin  “Shkolla e Stafit Policor dhe Komandës”, i organizuar dhe mbajtura nga “Qendra për Siguri Publike të Universiteti Northwestern” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

 
Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë  Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës  Philip S. Kosnett,  Ministri i Punëve të Brendshme  Ekrem Mustafa, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike  Ismail Smakiqi,  Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës  Rashit Qalaj, Udhëheqësja e Programit të ICITAP-it për Kosovë  Kimberley Riffe ,  zyrtarë të lartë të  agjencioneve të sigurisë publike në Kosovë si  dhe përfaqësues të Universitetit “Northwestern”.

Në trajnimin “Shkolla për Stafin Policorë dhe Komandës”  i cili mbahet  për  herë të gjashtë, përveç dy udhëheqësve të lartë të Akademisë e kanë ndjekur edhe   zyrtarë nga Policia e Kosovës,  Inspektorati Policor, Shërbimit Korrektues të Kosovës, Agjencisë së Menaxhimit Emergjent,  zyrtarë  nga Forca e Sigurisë së Kosovës si dhe Dogana e Kosovës.


Të pranishmit  vlerësuan lartë mbajtjen e këtij trajnimi duke thënë se zyrtarët pjesëmarrës kanë pasur mundësi të përforcojnë njohurit e tyre  në fusha e sigurisë publike.

Ndryshe  gjatë këtij  trajnimi pjesëmarrësit kanë ndjekur  tetë modulet të cilat ndihmojnë  zyrtarët  në avancimin e punës së tyre dhe të organizatave të tyre; lidershipi, alokimi i burimeve, sjellja organizative, trafiku dhe etika, buxhetimi, vendimmarrja, menaxhimi i projektit etj.

Trajnimi i cili ka zgjatur dhjetë javë është organizuar nga ICITAP-i dhe Ambasada Amerikane në Kosovë, ndërsa ligjërues në këtë trajnim ishin profesor nga Universiteti Northwestern.
Në fund u shpërndan certifikata  për pjesëmarrësit e trajnimit,