Në QKSPEZH u mbajt Miniolimpiada për persona me aftësi të kufizuara

19.06.2010

Vushtrri, 19 qershor ’10 – Për të gjashtën herë me radhë në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim (QKSPEZH) po mbahet Miniolimpiada për persona me aftësi të kufizuara  e cila është  organizuar nga OPFAKOS. Në këtë miniolimpiad janë duke marrë pjesë rreth 450 persona, të përcjellë nga familjarët dhe organizatorët e kësaj Miniolimpiade.
Në hapjen zyrtare të Miniolimpiadës të pranishëm ishin  zyrtarë të Qendrës, zyrtarë nga OSBE-ja si dhe pjesëtarë të KFOR-it. Në emër të OPFAKOS-të të pranishmit i ka falënderuar kryetari i kësaj organizate, Gani Mehmeti. Ai gjatë fjalimit të tij ka theksuar se është shumë e rëndësishme që këta persona kanë gjetur përkrahje nga QKSPEZH-i dhe OSBE. “ Kjo  përkrahje që po bëhet tani  është një shembull shumë i mirë të cilin duhet ndjekur”, tha Mehmeti. Duke falënderuar në vazhdim stafin e QKSPEZH-it të cilët në mënyrë vullnetare kanë shprehur gatishmërinë të punojnë gjatë këtyre dy ditëve sa do të zgjasë Miniolimpiada, z. Mehmeti ka shprehur dëshirën që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen. “ Tani gjashtë vjet gjejmë përkrahje të madhe nga Qendra e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim. U jemi  shumë mirënjohës donatorëve që kanë përkrahur këtë miniolimpiad siç janë  OSBE-ja MPB, QKSPEZH dhe departamenti i sportit në Ministrin e Kulturës  Rinisë dhe Sportit’’,tha Mehmeti.
Të pranishmëve u kanë dëshiruar mirëseardhje menaxhmenti i Qendrës duke i siguruar ata se do ta kenë mbështetjen e plotë të Qendrës. Drejtori i Departamentit për Përkrahje Programore  z.Ali Bajgora, duke folur në emër të Qendrës ka shprehur falënderimin për katër agjencionet brenda qendrës që kanë ndihmuar, përkrahur organizimin e kësaj miniolipiade. Po ashtu me këtë rast z. Bajgora  ka falënderuar edhe OSBE-në për përkrahje financiare të miniolipiadës. Ai gjithashtu ka shfaqur shpresën se pjesëmarrësit në këtë miniolimpiad gjatë këtyre dy ditëve do ti realizojnë të gjitha aktivitet e tyre.
“Besojë se gjatë këtyre dy ditëve me përkrahjen vullnetare të stafit të qendrës ju do ti realizoni shumë aktivitete dhe do të ndiheni mirë ashtu sikurse në shtëpitë e juaja“ tha Bajgora.
Pas hapjes zyrtare, pjesëmarrësit kanë vazhduar garat në aktivitete të ndyshme sportive si vrapim me karrocë, basketboll, hendboll, goll-boll, pikado, shenjëtari etj. Miniolompiada do të zgjasë edhe nesër ku do t`u shperndahen medalje dhe mirënjohje garuesve më të mirë. QKSPEZH edhe kësaj radhe është sponsor gjeneral i Miniolimpiadës, ndërsa pjesëmarrësit janë mbështetur me transport, akomodim dhe ushqim.