Mbahet trajnimi “Bashkëpunimi ndërkombëtar i zbatimit të ligjit për luftimin e krimit të organizuar”

18.05.2022

Prishtinë,  16 maj  2022 – Në kuadër të projektit  Partneriteti i Ballkanit Perëndimor kundër Krimit dhe Terrorizmit (WB PaCT), Agjencia e Bashkimit Evropian për Trajnim në zbatimin e Ligjit (CEPOL) e përkrahur nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), është duke mbajtur trajnim “Bashkëpunimi ndërkombëtar i zbatimi i ligjit për luftimin e krimit të organizuar”, ku përfitues janë të gjitha institucionet që merren me zbatimin e ligjit në Kosovë, konkretisht ata që janë përgjegjës për sigurinë publike në vend. 

 

Qëllimi i trajnimi është shkëmbimin e përvojave dhe avancimi i bashkëpunimit në mes zbatuesve të ligjit dhe prokurorëve përgjatë hetimeve dhe luftës kundër krimit të organizuar. në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.  

 

Në hapjen e këtij trajnimi të pranishmit vlerësuan se trajnimi “Lufta kundër krimit të organizuar” është shumë i rëndësishëm për institucionet e sigurisë publike në Kosovë. 

 

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Dejan Janković duke përshëndetur të pranishmit  falënderoi CEPOL-in për organizimin e trajnimit.  Janković tha se Policia e Kosovës ka kapacitete të plota që të jetë një partner kredibil për sigurinë rajonale. ‘Këtë trajnim e konsideroj shumë të rëndësishëm dhe shpresoj që ky trajnim do të na ndihmoj të marrim rezultate sa më të mira”, tha Janković

 

Ndërsa Massimiliano Prozzo nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë  falënderoi CEPOLI-n dhe EUROPOLI-n për organizimin e trajnimit dhe gjithë pjesëmarrësit për bashkëpunim. Prozzo në fjalimin e tij gjatë hapjes së këtij trajnim tha se luftimi i krimit të organizuar është prioritet i Bashkimit Evropian.  “BE-ja është e gatshme të mbështetës çfarë do veprimi kur bëhet fjalë për luftimin e krimit të organizuar”, u shpreh Prozzo duke thënë se bashkëpunimi mes institucioneve të BE-së dhe agjencive për zbatimin e ligjit do të fuqizohet për të zhvilluar përgjigje  gjithëpërfshirës kundër krimit të organizuar. 

 

Peter Krajnyak, Menaxher i Projektit Partneriteti i Ballkanit Perëndimor kundër Krimit dhe Terrorizmit (WB PaCT),  falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në trajnim po ashtu  falënderoi institucionet e sigurisë publike konkretisht Policinë e Kosovës për bashkëpunim.  Krajnyak vlerësoi se gjatë këtyre ditëve pjesëmarrësit do të kenë mundësi të shkëmbejnë përvojat e tyre gjatë luftimit të krimit të organizuar. 

 

Në këtë trajnim i cili ka filluar me datën 16 maj 2022 dhe i cili do të vazhdojë deri më datën 20 maj 2022 janë duke marrë pjesë pjesëmarrës nga Policia e Kosovës, Doganat e Kosovës, Gjyqtarë, Njësia e Inteligjencës Financiare, Administrata Tatimor e Kosovës si dhe nga organizata dhe mekanizmat ndërkombëtar me mision në Kosovë si Zyra e BE-së në Kosovë, EULEX, përfaqësuesi nga projekti “CSC” në kuadër të IPA-2019.

 

Ndryshe projekti Partneriteti i Ballkanit Perëndimor kundër Krimit dhe Terrorizmit (WB PaCT), përveç Kosovë ky projekt do të implementohet për 36 muaj, nga 19 tetori 2020 deri më 18 tetor 2023 edhe në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni Veriore dhe Serbi. Qëllimi i projektit është ngritja e kapaciteteve të autoriteteve në Ballkanin Perëndimor për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin, duke përfshirë parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm përmes ngritjes së bashkëpunimit brenda regjionit dhe me BE-në.