Diplomoi gjenerata e 58 e kadetëve të Policës së Kosovës
Vushtrri, 14 korrik 2023 – Pas përfundimit të trajnimit për zyrtarë policor, të mbajtur në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, sot diplomuan 417 kadetët të gjeneratës së 58 të Policisë së Kosovës.
Të sapo diplomuarit, në mesi e të cilëve janë 47 femra, në mënyrë ceremoniale bënë betimin e tyre për t’i shërbyer vendit dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallime.
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, duke iu dëshiruar suksese në punë të sapo diplomuarve, tha se të diplomosh në akademinë e policisë nuk është një arritje e vogël. Osmani tha se kjo kërkon disiplinë, këmbëngulje dhe një dëshirë të vendosur për t`i mbështetur parimet e drejtësisë, të sigurisë dhe të shtetit të së drejtës.
“Veprimet tuaja do ta krijojnë perceptimin publik, teksa angazhimi juaj për rend dhe ligj do të përcaktojë legjitimitetin e institucioneve tona të zbatimit të ligjit”, tha Osmani duke u shprehur e lumtur që në mesin e të sapo diplomuarve është një numër i madhe i femrave.
“Sa më shumë gra në institucionet e sigurisë, aq më shumë siguri për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim. Natyrisht që përderisa numri i sotëm është për t’u admiruar, ne duhet të punojmë të gjithë bashkë që të rrisim edhe më shumë numrin e vajzave e të grave, por edhe të komuniteteve jo shumicë në policinë tone”, u shpreh presidentja Osmani.
Policëve të rinj iu uroj suksese në punë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti. Kryeministri Kurti, tha se Policia e Kosovës vazhdon të jetë një ndër institucionet më të besueshme për qytetarët tanë.
“Vazhdon të zbatojë me sukses misionin kushtetues që të mbrojë jetën dhe pronën e qytetarëve, të mbajë rendin dhe qetësinë publike, të parandalojë dhe zbulojë krimin, të mbrojë të drejtat dhe liritë e njeriut, e të trajtojë në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët pa dallim etnie, religjioni, gjinie a moshe”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti tha se qeveria që ai udhëheqë është zotuar për luftë të pakompromis ndaj korrupsionit, për luftim ndaj çdo lloj krimi të organizuar, për ruajtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të republikës sonë. “Policia jonë, për këto dy vite, ka qenë maksimalisht e angazhuar në realizimin e këtyre prioriteteve të përbashkëta”,tha kryeministri Kurti.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i siguroi kadetët e sapo diplomuar që së bashku do të presin secilin sukses e do të ballafaqohen me secilën sfidë të Policisë së Kosovës. Duke iu ofruar përkrahje ministri Sveçla tha se Policia e Kosovës do vijojë të zbatojë misionin e saj në garantimin e sundimit të ligjit, ruajtjen e rendit e qetësisë publike, mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve tanë, pa dallim.
Suksese në punë policëve të rinj iu dëshiroi edhe drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha. Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë edhe përfaqësues të insitucioneve ndërkombëtare më mision në Kosovë.