Në Akademi diplomuan 46 kadetë të SHKK-së

27.01.2023

Vushtrri, 27 janar 2023 -  Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), diplomoi gjenerata e 42 e kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), ku nga  sot këtij shërbimi ju bashkuan edhe 46 zyrtarë të rinj. 

 

Gjatë ceremonisë së diplomimit kadetët morën përkrahje dhe urime të shumta nga të pranishmit.

 

Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës të Sigurisë Publike,  Kastriot Jashari, tha se Akademia do të vazhdojë të ofroj trajnimi për gjithë zyrtarët e sigurisë publike. 

 

 “Në emër të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, kadetëve iu uroj përfundimin e trajnimit profesional të Shërbimit Korrektues të Kosovës. Akademia në bazë të vizionit dhe misionit të saj ofron trajnime për të gjitha institucionet e sigurisë publike”, tha Jashari. 

Drejtorit Jashari tha se  korrikulat, programet trajnuese që janë trajnuar kadetët e Shërbimit Korrektues të Kosovës  krahasohen më programe ndërkombëtare. 

 

“Nga sot ju jeni zyrtarë korrektues me certifikatat që lëshohen nga Akademia përmes një bashkëpunimi të shkëlqyer që kemi pasur më shërbimin korrektues, ky bashkëpunim nuk do të mund të arrihej pa përkrahjen e dy ministrave, ministres  Albulena Haxhiu dhe ministrit Xhelal Sveçla”, u shpreh Jashari i cili tha se gjatë këtyre shtatë muajve sa ka zgjatur trajnimi qëllimi kryesor ka qenë mësimdhënia dhe mësimnxënia. 

 

“Uroi që aftësitë, shkathtësitë dhe kompetencën që e keni fituar gjatë trajnimit të mos vije në shprehje që ta përdorni, mirëpo, po erdhi  në shprehje jam i bindur që do t’i përdorni në mënyrë më profesionale përballë çdo sfide më të cilat ju mund  të ballafaqoheni”, tha Jashari.

 

Ndërsa, Albulena Haxhiu ministre e Drejtësisë, gjatë ceremonisë së diplomimit të kadetëve të Shërbimin Korrektues të Kosovës,  tha se aspiratat për të ndërtuar një sistem më efikas me institucione më të përgjegjshme që shërbejnë drejtë dhe më profesionalizëm për rezultojnë më sukses. 

 

Haxhiu tha se  zyrtari korrektues është përgjegjës për sigurinë e të dënuarve dhe atyre që janë në paraburgim. Po ashtu ministrja Haxhiu tha se zyrtaret korrektues  japin kontribut të jashtëzakonshëm edhe në risocializimin dhe riedukimin e personave që kanë rënë ndesh me ligjin.  

 

“Këto  misionet e shenjta mund të kryhen më sukses vetëm nga zyrtaret profesional, të cilët kryejnë detyrat  duke respektuar të drejtat dhe liritë e secilit në mënyrë të barabartë, pa diskriminime në bazë të racës, gjinisë, gjuhës, moshës, fesë, etnisë, gjendjes ekonomike,  orientimit seksual apo ndonjë statusi tjetër personal”, tha ministrja Haxhiu. 

 

Ministrja Haxhiu tha se gjatë këtij mandatit dy vjeçar janë bërë reforma të mëdha  në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

 

“Për herë të parë Shërbimi Korrektues i Kosovës trajtohet më ligj të veçantë, ligj ky i cili parasheh trajtim të dinjitetshem të zyrtarëve të SHKK-së”, tha Haxhiu duke iu uruar të sapo diplomuarve suksese në punën e tyre. 

 

Ajo tha se Ministria e Drejtësisë do të përcjell me vëmendje zhvillimet në SHKK duke quar përpara reformat. Haxhiu po ashtu tha se nuk do të toleron asnjë shkelje që bie ndesh me ligjin.

 

Edhe, Jeta  Tela, shefe e  kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Svecla uroi kadetët e Shërbimit Korrektues të Kosovës për diplomimin e tyre.

 “Sot, këtij profesioni fisnik po i bashkohen edhe 46 vajza e djem në të mirë të sigurisë publike, për të quar përpara angazhimin e gjithmbarshëm në fushën e  rritjes dhe përmirësimit të sigurisë publike”, u shpreh Tela duke thënë se Ministria e Punëve të Brendshme ka prioritet luftimin e krimit dhe korrupsionit.

 

“Padyshim që ju dhe ata të cilët ushtrojnë këtë profesion do të jeni pjesë e këtij misioni. Shërbimi të cilët ju po i bashkëngjitni është një hallkë tepër e rëndësishme e sigurisë publike. Ju jeni ata që në rrethana jo të lehta duhet ta kryeni punën duke respektuara parimet kushtetuese, po ashtu  të siguroheni që trajtimi i të dënuarve të bëhet në mënyrë më humane”, u shpreh Tela para kadetëve të SHKK-së. 

 

Tutje, ajo tha se Ministria e Punëve të Brendshme përmes Akademisë së Kosovës për Sigurisë Publike do të vazhdojë përkushtimin në ngritjen e vazhdueshme të nivelit të trajnimeve dhe të edukimit në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. 

 

Edhe zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Korrektues të Kosovës,  Sami Gashi, kadetëve të  iu uroj suksese gjatë  kryerjes së punës  së tyre. 

“Vendimi i juaj për të shërbyer në Shërbimin Korrektues të Kosovës është vendim për t’i shërbyer sigurisë dhe qytetarëve të vendit. Nga ju kërkohet që të kryeni detyrën në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë”, tha Gashi.  

 

Në ceremoni e diplomimit morën pjesë përfaqësues tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.