Në Akademi u mbajt takimi i radhës së bordit

15.07.2021

Vushtrri, 15 korrik 2021 –  Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, sot anëtaret e Bordit të Akademisë mbajtën takimin e radhës ku temë diskutimi ishte rrjedha e trajnimeve si dhe procesi i ri-akreditimit të programit të Fakultetit të Sigurisë Publike. 


Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Arton Berisha duke përshëndetur anëtaret e bordit,  tha se rrjedha e trajnimeve dhe zhvillimeve të aktiviteteve tjera është duke shkuar sipas planë programit të Akademisë. 


Pas aprovimit të procesverbalit të takimit të fundit të bordit, drejtori  Berisha  pasqyroj të gjitha  aktivitete dhe të arriturat e Akademisë që nga janari i vitit 2020 e deri me tani. 


Në fillim të mbledhjes anëtarët e bordit propozuan dhe zgjodhën kryesuesin e ri të tyre Samedin Mehmetin i cili është  Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës. 


Mehmeti pasi u zgjodh kryesues falënderoj anëtaret e bordit të Akademisë  dhe u shpreh i gatshëm për bashkëpunim. 


Temë më rëndësi gjatë takimi ishte edhe raportimi rreth procesit të ri-akreditimit të programit bachelor të Fakultetit të Sigurisë Publike, ku rreth këtij procesi anëtarët e bordit u njoftuan nga dekani i Fakultetit Bejtush Gashi. Gashi tha se deri më tani  rreth ri-akreditimit janë dhënë komente pozitive.


Gjithashtu gjatë takimit  u  diskutua  edhe caktimi i kuotave për regjistrimin  e studentëve në Fakultetin e Sigurisë Publike  për vitin akademik 2021/22. 


Anëtaret e bordit po ashtu u informuan edhe  rreth aprovimit  të standardeve të profesionit për trajnimet profesionale nga Këshilli Drejtues i Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve  dhe me procesin e rishikimit të planit të trajnimeve të AKSP-së për vitin 2021.

 Anëtarët e Bordit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike gjatë takimit vlerësuan se Akademia është shembull për organizimin e mirë jo vetëm në rajon, por edhe më lartë. Ata tha se deri më tani në Akademi është bërë një punë e shkëlqyeshme. 


Të pranishmit i ka përshëndetur edhe Drejtori i Departamentit për Rend dhe Siguri misioni i OSBE-së në Kosovë Erward Anderson, i cili i inkurajoj anëtarët e bordit dhe stafin e Akademisë për diskutimet dhe punën e bërë. 


Në këtë takim morën pjesë  Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Arton Berisha, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin  Mehmeti, zv e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Sprovues të Kosovës Metije Ademi,   Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës Kushtrim Hodaj,   Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës  Agron Llugaliu, ud i Drejtorit të  Përgjithshëm të  Shërbimit Korrektues të Kosovës  Rasim Selmani,  Drejtori i Përgjithshëm  i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent Fadil Kodra, Drejtori i Departamentit për Rend dhe Siguri misioni i OSBE-së në Kosovë Erward Anderson si dhe zyrtarë të lartë nga institucionet  përkatëse.