Studentët e UBT-së vizituan Akademinë

09.06.2021Vushtrri,  09 qershor 2021 -  Një  grup i studentëve të Kolegjit Universitar të Biznesit dhe Teknologjisë (UBT) të udhëhequr nga profesor Arian Kadriu, sot vizituan  Akademinë e Kosovës  për Siguri Publike (AKSP) ku u takuan me Dekanin e Fakultetit të Sigurisë  Publike (FSP)  Bejtush Gashin,  prodekani Nexhat Jasharin dhe stafin tjetër të FSP-së.

Qëllimi i vizitës ishte që studentët të njihen më për se afërmi me funksionimin e Fakultetit të Sigurisë Publike.

Gjatë kësaj vizite para studentëve të  UBT-së u bë një prezantim për rolin, misionin e Akademisë dhe për programin studimor të FSP-së.  


Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Bejtush Gashi para studentëve   bëri një përmbledhje  në pika të shkurta rreth historikut dhe sfidave më të cilat janë përballur gjatë procesit  deri në hapjen e Fakultetit të Sigurisë Publike.

Dekani Gashi duke folur rreth programit të arsimit të lartë në fushën e sigurisë publike për të gjithë zbatuesit e ligjit, tha se  programi i cili zbatohet në Fakultetin e Sigurisë Publike është  në përputhje me procesin e Bolonjes, përkatësisht me standardet evropiane.  “Është program që më parë nuk kishte ekzistuar jo vetëm në Akademi, por as në Kosovë dhe në Regjion”, tha Gashi.

Studentet e UBT-së gjatë kësaj vizite patën rastin të shkëmbejnë përvoja dhe të shtjellojnë çështje të ndryshme me stafin akademik të Fakultetit të Sigurisë Publike.