Në Akademi u mbajt takimi i radhës i Bordit

01.10.2020

Vushtrri, 30 shtator 2020 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot u mbajt takimi i radhës i Bordit ku temë diskutimi ishte çështjet që lidhen me fushën e arsimit të lartë  dhe zhvillimin e trajnimeve për zyrtarët e sigurisë publike.

Në këtë takim morën pjesë  Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës Nehat Thaci, Kushtrim Hodaj ushtrues detyre  i Kryeshefit Ekzekutiv në  Inspektoratin  Policor të Kosovës,  Ushtrues detyre i Drejtorit të  Përgjithshëm të Doganave të Kosovës Ibrahim Xhakaj,  Drejtori i Përgjithshëm  i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent Fadil Kodra, Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Bejtush Gashi, Kadri Haliti zëvendës i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Sprovues të Kosovës,  Bylent Ribari nga OSBE-ja si dhe zyrtarë të lartë nga institucionet  përkatëse.

Duke përshëndetur të pranishmit kryesuesi i bordit, Nehat Thaci, fillimisht kërkoi që të miratohet rendi i ditës, për të cilat pika u diskutua veç e veç.

Gjatë këtij takimi pas një diskutimi u bë miratimi i standardeve profesionale për institucionet e sigurisë publike.

Pos tjerash bordi më vota unanime themeloj edhe grupin punës për rishikimin e kurrikulave të profesioneve  për institucionet e sigurisë publike.

Ndërkohë gjatë takimi  Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike paraqiti raportin gjashtë mujor të punës së Akademisë për periudhën janar- qershor 2020.

Smakiqi tha se edhe pse kohë pandemie, falë angazhimit profesional Akademia ka arritur të zhvillojë aktivitetet e saj komforë  rregullave të parapara.


“Të arriturat e punës raportuese janë si rezultat i punës së stafit të Akademisë të cilët kanë dhënë kontributin e tyre qoftë individual apo grupor në kryerjen më përgjegjësi dhe profesionalizëm të plotë të detyrave të punës dhe njëkohësisht duke falënderuar për punën dhe bashkëpunimin e institucioneve të sigurisë dhe organizatave ndërkombëtare të cilat na kanë mbështetur në arritjen e sukseseve tona”, u shpreh Smakiqi.


Drejtori Smakiqi tha se të gjitha aktivitetet dhe veprimet që i ndërmerr Akademia, janë të koordinuara dhe të prezantuara përmes planit vjetor të punës së AKSP-së për vitin 2020, strategjisë zhvillimore dhe planit të veprimit të AKSP-së 2019/2022.

“Si e arritur e veçantë për këtë periudhë mund të veçojmë: Trajnimin profesional për Polic i Ri gjenerata e 55 me gjithsej 446 kadetë; mbajtja e konferencës së shtatë ndërkombëtarë ‘Sfidat e mobiliteti të transportit dhe sigurisë publike’, e organizuar nga kolegji ‘Tempulli’ në bashkëpunim më Akademinë; Nënshkrimi i marrëveshjes bashkëpunimi me ‘Kolegjin  AAB’ me Universitetin ‘Kadri Zeka’, nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit më Akademinë e Drejtësisë, krijimin e platformës digjitale ‘mësimi nga distanca’ etj”, u shpreh Smakiqi.



Gjithashtu gjatë takimit u diskutua edhe rreth ecurisë së procesit të konkursit për pranimin e studentëve në studimet themelore bachelor për vitin akademik 2020/2021 në Fakultetin e Sigurisë Publike.