Diplomoi Gjenerata e 37-të e Policisë së Kosovës
Vushtrri, 24 Prill 2009 - Pas një trajnimi të modifikuar 12 javor, në QKSPEZH diplomoi gjenerata e 37-të e zyrtarëve të rinj të Policisë së Kosovës. Kjo gjeneratë numëron 80 pjesëtarë, të cilët u trajnuan me planprogramin e dizajnuar në bazë të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe sundim të ligjit.
Në ceremoni të diplomimit morën pjesë: ministri i Brendshëm, Zenun Pajaziti, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Sheremet Ahmeti, përfaqësues nga EULEX-i, KFOR-i, OSBE-ja, zyrtarë të lartë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës si dhe familjarë të të diplomuarëve.
Ministri Pjaziti përgëzoi zyrtarët e rinj policorë për diplomimin duke theksuar se policia është dhe do të mbetet edhe më tutje polici shumetnike. Ai më tutje vlerësoi se Policia e Kosovës do të vazhdojë të jetë tregimi më i mirë i institucioneve dhe kjo vetëm si rezultat i punës që bëjnë.
Në vazhdim ministri Pajaziti theksoi se Policia e Kosovës mbetet institucioni më i rëndësishëm që në Kosovë të kemi një jetë të mirë dhe një lëvizje të lirë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Sheremet Ahmeti, vlerësoi se edukimi dhe trajnimi luajnë rol të rëndësishëm në formimin e kuadrit profesional. Ai në vazhdim theksoi se është kënaqësi të shohësh mundësinë që kemi sot për tu trajnuar sipas standardeve më të larta të zbatimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut së bashku me të gjitha agjencionet e zbatimit të ligjit në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim.
Ndërsa, zëdhënësi i gjeneratës së tridhjeteshtatë të policisë, oficer Muharrem Kelmendi, tha se do të përpiqemi që ti mbrojmë të drejtat e qytetarëve, pa dallim etnie, race apo gjinie, si dhe pronat e tyre duke u bazuar dhe zbatuar me përpikshmëri ligjet e Republikës së Kosovës.
Pas shpërndarjes së diplomave, kapitenët e klasëve dorëzuan flamujt të cilët simbolizonin të arriturat akademike, disiplinën si dhe arritjet në të gjitha lëmitë përgjatë 3 mujorit të trajnimit. Këta flamuj iu dorëzun drejtorit të Drejtoratit për Trajnime Mandatore, nënkolonel Driton Zabërgja. Në fund të ceremonisë, instruktori i paradës dhe disiplinës liroi gjeneratën e re të policisë.