QKSPEZH priti një delegacion nga Ekipi për Ndërlidhje dhe Monitorim (LMT) i KFOR-it

18.10.2010

Vushtrri, 18.10.2010.- Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim e vizitoi një delegacion nga Ekipi për Ndërlidhje dhe Monitorim (LMT) i KFOR-it i përbërë nga  Nënkolonel z. Hansen Bjarne dhe Major Z. Srečko Matovič. Delegacioni u prit nga u.d. Kryeshefi Ekzekutiv i QKSPEZH, z. Sheremet Ahmeti dhe Drejtori për Trajnime Mandatore nga Policia e Kosovës në QKSPEZH, Nënkolonel Driton Zabërgja.
Në fjalën e tij, z. Ahmeti e njoftoi delegacionin e KFOR-it për organizimin e Qendrës, aktivitetet e saj trajnuese për të katër agjencitë e sigurisë publike pjesë të Qendrës, si dhe për aktivitetet që bëhen në QKSPEZH nga institucione të tjera publike, si dhe organizata të ndryshme qeveritare e joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare, të cilat kanë për qëllim ngritjen e bashkëpunimit ndërmjet komunitetit dhe institucioneve të sigurisë publike në vend. Në vazhdim, z. Ahmeti ju foli mysafirëve për projektet të cilat priten të realizohen për ngritjen e kapaciteteve trajnuese dhe akomoduese në Qendër. Ai po ashtu i informoi të pranishmit për bashkëpunimin ndërkombëtar, para së gjithash me dy partnerët kryesorë të QKSPEZH, OSBE-në dhe ICITAP-in, si dhe me institucione të tjera të ngjashme në Evropë. “Qëllimi ynë”, tha Z. Sheremet Ahmeti, “është që kjo Qendër të marrë karakter regjional në Evropën Jug-Lindore për studime në fushën e sigurisë publike, pasi që këtu ka pasur shumë pjesëtarë të agjencive të sigurisë publike nga vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi.”
Ndërsa Majori Matovič i informoi nikoqirët për takimet e rregullta javore që i kanë me stafin udhëheqës të Policisë së Kosovës në Komunën e Vushtrrisë.  Delegacioni  u nda  kënaqur me të arriturat e Qendrës dhe me gatishmërinë e stafit të saj udhëheqës për bashkëpunim ndërkombëtar. “Ideja kur policia ka qenë mbi popull ka kaluar”, tha Majori Matovič, duke i dhënë rëndësi të veçantë policisë së orientuar në komunitet. “Kosova”, tha Z. Matovič, “është shtet që shkon në rrugë të drejtë dhe që meriton t’i ndihmohet”.
Në vazhdim të takimit, Z. Ahmeti vuri theksin në rëndësinë e trajtimit të barabartë të të gjithë qytetarëve, dhe shtoi se duhet të respektojmë ligjin që të kemi ardhmëri më të ndritshme.
Mysafirët  ishin  të kënaqur me vizitën. U hap rruga e mëtejmë e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve (LMT, KFOR dhe QKSPEZH), për të cilën gjë u pajtuan të dy palët.