Lajmet
Lajmet
Drejtori Smakiqi ka qenë për një vizitë zyrtare në SHBA
Vushtrri, 13 qershor 2016 Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Ismail Smakiqi, i shoqëruar nga Drita Perezic, këshilltare e lartë e ICITAP-it pranë menaxhmentit ekzekutiv të MPB-së kanë marrë pjesë në konferencën vjetore të Asociacionit Ndërkombëtar të Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit (IADLEST) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Akademia e Kosovës për Siguri Publike, gjegjësisht drejtori Smakiqi është anëtar i këtij Asociacioni. Konferenca e cila ka zgjatur nga data 05 deri me datën 08 të këtij muaj, është mbajtur në qytetin Grand Rapids, Michigan të SHBA-ve.
Asociacioni IADLEST është organizatë e njohur që shërben si katalizator i përmirësimit të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Drejtorët e akademive, trajnimeve dhe standardeve gjatë gjithë vitit shkëmbejnë përvoja, këshillohen, pyesin dhe kërkojnë përgjigje për organizatat e tyre të zbatimit të ligjit.
Në këtë konferencë teme ka qenë trajnimi i çështjeve më të ngutshme për menaxherët dhe drejtuesit e trajnimeve.
Konferenca e Asociacionit organizohet në seancë plenare (dita e parë) me tema bosht të konferencës dhe tryeza të rrumbullakëta (dita e dytë dhe tretë) me tema të ndryshme. Këtë vit temë boshte ishte Policimi në Komunitet.
Në njërën prej tryezave të rrumbullakëta lidhur me trajnimet ndërkombëtare, Drita Perezic nga ICITAP në Kosovë ka bërë prezantimin me temën Ekipet e Veprimit të Sigurisë në Komunitet, i cili ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm nga vendet pjesëmarrëse në konferencë dhe është kërkuar si model i sigurisë në komunitet.
Përveç anëtarëve të IADLEST nga SHBA, në konferencë kanë marrë pjesë edhe anëtarë të IADLEST nga vende të ndryshme nga të gjitha kontinentet. Nga regjioni i Ballkanit, përveç Kosovës ka marrë pjesë Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina.
Drejtori Smakiqi ka zhvilluar takime me pjesëmarrësit e konferencës, me theks të veçantë ka kërkuar përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, nga zyrtarët e Pakistani, Afrika e Jugut, Kolumbia, Filipinet, Bosnjë e Hercegovina dhe Algjeri.
Gjatë kësaj vizite në SHBA, drejtori Smakiqi dhe Perezic kanë vizituar Akademinë e Drejtësisë Penale - Schoolcraft College dhe Departamenti i Policisë Westland ku janë pritur nga kryetari i qytetit Westland, William Wild. Vizitat janë mundësuar dhe përkrahur John Goci, shqiptaro amerikan, i cili në legjislacionin e kaluar ka qenë anëtar i kuvendit të qytetit Westland.
Gjatë kësaj vizite, drejtorit Smakiqi i është ndarë mirënjohje e veçantë nga shteti i Michigan, për pjesëmarrje në konferencën e IADLEST, që ka mbështetur në mënyrë efektive qëllimet e arsimit e ka zbatuar si duhet funksionet që i janë besuar Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, si dhe që ka bërë forcat e Policisë së Kosovës një ekip profesional dhe transparent të zbatimit të ligjit.
Vizitën në SHBA e ka mundësuar Programi në Kosovë i ICITAP, i cili gjatë gjithë viteve të pas luftës është përkrahës dhe partner i përhershëm i Akademisë.
Pas kthimit nga vizita, drejtori Smakiqi ka falënderuar Asociacionin IADLEST për ftesën në Konferencë, për përvojat e jashtëzakonshme dhe shkëmbimet reciproke me anëtarët e IADLEST, si dhe ICITAP-in për përkrahjen për pjesëmarrje në konferencën në fjalë.
Drejtori Smakiqi ka falënderuar edhe dy shqiptarë amerikanet Goci dhe vëllezërit Dervishaj për organizimin e vizitës në Institucionet e Sigurisë Publike si dhe Kryetarin e Komunës, Zotërin Wild.
Bordi i Akademisë vizitë zyrtare në Finlandë dhe Estoni
Vushtrri, 30 maj 2016 Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Ismail Smakiqi, i shoqëruar nga përfaqësuesit e Bordit të Akademisë, në kuadër të projektit të ri të binjakëzimit ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Estoni dhe Finlandë.
Në kuadër të Projektit të dytë të Binjakëzimit në Akademi, i cila ka për qëllim përkrahjen e mëtejme të arsimit në sigurinë publike në Kosovë, nën komponenten e parë, respektivisht nën aktivitetin mbështetja e mëtejme e Bordit të AKSP-së si mekanizëm koordinues për zbatimin e trajnimeve profesionale për të gjithë agjencionet e sigurisë publike në Kosovë, gjatë qëndrimit në Estoni dhe Finlandë është organizuar dhe zhvilluar vizita studimore.
Organizimi i kësaj vizite është bërë nga shtetet anëtare të zbatimit të Projektit të Binjakëzimit, siç janë Finlanda dhe Estonia, si model organizativ i ngjashëm me atë të AKSP-së.
Qëllimi i kësaj vizite ishte, që anëtaret e Bordit të AKSP-së të njoftohen me përvojat, rreth rolit dhe rëndësisë së bordeve në Estoni përkatësisht në AESHS, rolit të tyre në procesin e vendimmarrjes, rreth trajnimeve profesionale të agjencive të sigurisë publike si dhe shkëmbimi i përvojave ndërmjet agjencive të sigurisë publike të Kosovës dhe Estonisë.
Gjatë vizitës pjesëmarrësit vizituan disa institucione arsimore të sigurisë publike që ofrojnë trajnime dhe arsim të lartë për zbatuesit e ligjit në Estoni.
Delegacioni nga Kosova i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, vizituan edhe Akademinë e Shkencave të Sigurisë në Estoni, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Burgun e Virussë, Drejtorinë e Policisë, Drejtorinë e Shpëtimit të Estonisë, Drejtorinë e Taksave dhe Doganave, Kolegjin e Drejtësisë të AESHS-së, Qendrën e Shpëtimit në Rakvere dhe Shkollën e Shpëtimit në kuadër të kolegjit etj.
Në vizitën e tij zyrtare, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, mori pjesë në 25 vjetorin e Universitetit Laurea të shkencave të Aplikuara në Finlandë, ku më këtë rast u organizua ceremonia e diplomimit të studentëve nga ky universitet.
Të pranishëm në vizitën studimore në Estoni, përveç Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë, Ismail Smakiqi, ishin edhe Aleksandër Lumezi, Kryeprokurori i Shtetit, Lulzim Rafuna, Drejtor i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës dhe njëherit Kryesues i Bordit të AKSP-së, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Shpend Maxhuni, Zëvendësdrejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Shemsi Hajrizi, Bajram Bujupi, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Sprovues, Fadil Kodra, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave si dhe nga një përfaqësues Udhëheqës të grupeve punuese nga secila prej 7 agjencive të sigurisë publike të lartëcekura duke përfshirë edhe Inspektoratin Policor të Kosovës.
Përfundoi trajnimi rajonal Vija e gjelbër kufitare
Vushtrri, 20 maj 2016 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot përfundoi trajnimi rajonal Vija e gjelbër kufitare, i cili zgjati një javë. Në trajnim morën pjesë 25 oficer policor nga vendet e regjionit siç janë; Shqipëria, Serbia, Mal i Zi, Maqedonia, Bosnja Hercegovina dhe Kosova.
Trajnimi është organizuar nga ICITAP-it (Programi Ndërkombëtar i Ndihmës së Trajnimit të Hetimit Penal) të Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në ceremoninë e çertifikimit morën pjesë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Greg Delawie, zëvendësministri i Punëve të Brendshme Valdet Hoxha, Cameron Fisher menaxher i Programit të ICITAP-it, Shpend Maxhuni, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kastriot Jashari drejtor për Trajnime dhe Përkrahje Arsimore si dhe zyrtar tjerë vendor e ndërkombëtarë.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovës, Greg Delawie shfrytëzoi rastin që të ripërsëris rëndësinë që Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në vazhdim, ai falënderoi të pranishmit për përpjekjet e tyre të përditshme për të mbikëqyrur kufinjë të sigurt, kujdesin e tyre dhe zbulimin e krimet ndërkufitare, hetimin dhe prokurorinë. Shtetet e Bashkuara janë të sfiduara dhe jemi të kënaqur që të përkrahim kurset regjionale sikur ky për t`ju ndihmuar për të forcuar aftësitë tuaja për të kryer këtë detyrë. Të gjithë ne këtu, të angazhuar në shërbimin publik, po e kryejmë punën tonë për të ju shërbyer qytetarëve tanë dhe vendeve tona , tha Delawie.
Delawie tha se zhvillimi dhe forcimi i efikasitetit operacional dhe zbatimi i rregulloreve në kufijtë rajonal kanë rëndësi thelbësore. Ai tha se puna e përbashkët është shumë e rëndësishme për vendet që janë fqinje në mes veti. Shpresoj që ky trajnim ju ka përgatitur më mirë për vëzhgimin dhe analizimin e situatës dhe për ti ndaluar veprimtaritë e paligjshme, u shpreh ambasadori Delawie.
Ndërsa zëvendësministrit i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha duke e vlerësuar lartë mbajtjen e këtij trajnimi tha se të gjitha vendet pjesëmarrëse në këtë trajnim janë përfitues.
Gjithashtu është shprehur i kënaqur që në këtë trajnim kanë marrë pjesë të gjitha vendet e rajonit, duke i tejkaluar sfidat dhe duke krijuar ura të komunikimit, ura ndërlidhëse mes veti. Gjithmonë i lumtur që ky trajnim organizohet këtu në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike me kushte shumë të mira për trajnim dhe i lumtur që Policia e Kosovës tashmë është një nga institucionet më të besueshme në bazë të shumë anketave në vend dhe të shumë marrëveshjeve të bashkëpunimit , tha zëvendësministri Hoxha,
Ai tha se trajnimet e tilla janë permanente në përgatitjen e vazhdueshme të mekanizmave të sigurisë. Zëvendësministri Hoxha i inkurajoi pjesëmarrësit e trajnimit dhe shfaqi shpresën që këto përvoja do ti bartin në shtetet e tyre, konkretisht në agjencionet të cilat punojnë.
Ndërkaq duke i përshëndetur të pranishmit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tha se mes njohurive avancimit profesional përmbushen objektivat në një segment mjaft specifik siç është menaxhimi i integruar i kufijve.
Maxhuni falënderoi qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës, Policisë së Kosovës në zbatimin e ligjit. Falë kësaj mbështetje ne kemi arritur këtë nivel profesional, duke synuar ta avancojmë edhe me tutje policinë, u shpreh Maxhuni duke thënë se një trajnim i tillë ku marrin pjesë të gjitha vendet e rajonit është një shembull i mirë për të siguruar paqe në çdo vend.
Sot siguria paraqet një çështje mjaft komplekse e cila tejkalon përmasat nacionale dhe kjo përbërje të cilën jeni ju është shembulli më i mire se si duhet të bashkëpunojmë dhe bashkëveprojmë në mënyrë të sigurisë së përgjithshme, u shpreh Maxhuni.
Në funde u ndanë çertifikata për vijuesit e trajnimit, po ashtu zoti Cameron Fisher menaxher i projektit të ICITAP-it ndau mirënjohje për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike dhe Drejtorin e Përgjithshëm, Ismail Smakiqi.
Një delegacion nga Byro për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit vizitoi Akademinë
Vushtrri, 4 prill 2016- Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP),sot e vizitoi një delegacion nga Byro për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit për Evropë dhe Azi Qendrore nga Departamenti i Shtetit të SHBA-ve, të udhëhequr nga Judith Campbell, drejtoreshë e BÇNN-së.
Po ashtu delegacioni ishte i shoqëruar edhe nga zyrtaret e ICITAP-it në Kosovë.
Drejtori Smakiqi gjatë këtij takimi e informoi delegacionin për procese të rëndësishme të Akademisë, për hapjen e Fakultetit të Sigurisë, bashkëpunimin ndërkombëtarë si dhe projektin e binjakëzimit IPA II- të financuar nga bashkimi Evropian.
Me këtë rast drejtori Smakiqi ka falënderuar delegacionin veçanti ICITAP-in për ndihmën e pakursyer që po japin Akademisë në ngritjen profesionale të pjesëtarëve të sigurisë, për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm, si dhe për gatishmërinë e tyre për t'i ofruar ndihmë Akademisë edhe në të ardhmen.
Delegacioni nga Byro për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit, për Evropë dhe Azi e inkurajuan drejtorin Smakiqi për të arriturat, ku po ashtu ata shprehen gatishmërinë e tyre për bashkëpunim dhe përkrahje edhe në të ardhmen.
Përkrahja për Akademinë është suksese jo vetëm i Akademisë, por edhe i yni. Ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë Akademinë sa herë kanë nevojë, tha Campbell. Në fund delegacioni bëri një vizitë nëpër kampusin e Akademisë.
Diplomoi gjenerata e 53-të e kadetëve të Policisë së Kosovës
Vushtrri, 25 mars 20016 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), pas një trajnimi gjashtë mujor sot diplomoi gjenerata e 53-të e kadetëve të Policisë së Kosovës.
Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme (MPB),Skender Hyseni, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK),Rrahman Rama, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, drejtori i Përgjithshëm i Inspektoratit Policor të Kosovës, Fitim Shishani, drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Lulëzim Rafuna, drejtuesit e agjencioneve të Sigurisë Publike dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Skender Hyseni, gjatë ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së 53-të, të kadetëve tha se Policia e Kosovës është një forcë demokratike, shumë funksionale dhe më e mira në rajon.
Ministri Hyseni, duke i inkurajuar kadetët e sapo diplomuar, tha se Policia e Kosovës është një organizatë, është një forcë policore profesionale e ndërtuar në pajtim me standarde më të larta ndërkombëtare. Ai tha se Qeveria e Kosovës nuk do të kursej asgjë që Policia e Kosovës të jetë edhe më e përsosur, që të jetë e gatshme të përballet me të gjitha sfidat që i sjellë koha.
Hyseni ka falënderuar të gjitha organizatat ndërkombëtarë që kanë dhënë përkrahje të pakursyer në formimin e policisë, kanë dhënë përkrahje për një polici çfarë ka sot Kosova.
Mirësevini në organizatën tuaj të cilën jam i sigurt që do ta pasuroni, ajo sot do të bëhet për 280 kadetë me e pasur, u shpreh ministri Hyseni në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 53-të të Policisë së Kosovës. Ai tha se Policia e Kosovës është institucion, është palcë kurrizore e shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) Ismail Smakiqi, tha se shërbimi në Policinë e Kosovës është vendim shumë i rëndësishëm që t i shërbeni familjeve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës në përgjithësi.
Ai tha se Akademia tani më është qendër e fortë e të gjitha llojeve të trajnimit me bashkëkohore për të gjitha Agjensionet e Sigurisë Publike.
Smakiqi tha se qytetarët me padurim presin inkuadrimin e juaj në Policinë e Kosovës radha është e juaja, të dëshmoni shkathtësitë dhe diturit që i keni arritur në Akademi, dëshmojeni veten, se jeni gjenerata që vendin tuaj e doni të jetë vend demokratik dhe me respektim të plotë të drejtave të njeriut.
Drejtori Smakiqi tha se Akademia gjithmonë është e gatshme dhe me padurim pret gjeneratën e re të Policisë së Kosovës, sepse siç tha ai kadetët janë ata që i japin hijeshi Akademisë.
Meritoni pritjen e qytetarëve dhe ruajeni përjetësisht të drejtën që qytetarin ta shikoni në sy. Bëjeni krenar Akademinë dhe familjet tuaja, kështu u shpreh Smakiqi para kadetëve të sapo diplomuar.
Ndërkaq drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës (PK), Shpend Maxhuni, në ceremoninë e diplomimit tha se kadetët e sapo diplomuar do të shërbejnë në organizatën me të respektuar në vend, siç është Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës ka nevojë për ju, jeni të përgatitur dhe të motivuar për ti shërbyer komunitetit me profesionalizëm, etik, nderë dhe krenari, u shpreh Maxhuni duke thënë se trajnimet e policisë bëhen më standarde më të larta evropiane.
Më këtë rast Maxhuni ka kërkuar nga kadetët që punën e tyre ta kryej me përgjegjësi, profesionalizëm, korrektësi, efikasitet, objektivitet dhe ndershmëri.
Vizioni ynë është zbatimi i ligjit është në interesin e të gjithëve, është rruga e drejtë, prandaj ndiqeni këtë rrugë që të realizoni këtë vizion, tha Maxhuni për të shtuar se sundimi i rendit dhe ligjit sot është një parakusht esencial në të gjitha aspektet e shoqërisë.
Në Akademi u mbajt seminari i Projektit të Binjakëzimit
Vushtrri, 16 mars 2016 -Në Akademinë e Kosovës për siguri Publike sot u mbajt seminari i fillimit të Projektit të Binjakëzimit Përkrahja e mëtejme e arsimit të sigurisë publike. Ky projekt është i financuar nga Bashkimi Evropian si pjesë e programit të Instrumentit për Ndihmë Para Anëtarësimit (IPA), projekt i cili do të implementohet nga Finlanda dhe Estonia.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë z. Ismail Smakiqi duke ju falënderuar te pranishmëve për përkrahje, theksoi se ky projekt vjen si rezultat i projektit të parë të binjakëzimit Përmirësimi i Arsimit në Sektorët e Sigurisë dhe Rendit Publik , i cili ka mundësuar akreditimin e programit studimor Bachelor të sigurisë publike për periudhën 3 vjeçare, si dhe hapjen e Fakultetit të Sigurisë Publike i cili ofron arsim të lartë për zyrtarët e agjencive.
Ai tha se projekti i dytë i binjakëzimit, të cilin sot po e promovojmë Përkrahja e mëtejme e arsimit në siguri publike në Kosovë është projekt i Bashkimit Evropian, IPA 2014-2020, projekt i cili do të implementohet nga shtetet anëtare Finlanda dhe Estonia gjegjësisht: Kolegji Universitar i Policisë- Finlandë, Akademia e Estonisë e Shkencave të Sigurisë, Agjencia e Sanksioneve Penale-Finlandë dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara Kolegji për Arsim të Mësimdhënësve.
Siguria publike, gjegjësisht lufta kundër krimit dhe të gjitha dukurive negative të shoqërisë, mund të arrihet vetëm me zbatues të ligjit të trajnuar mirë dhe me arsim të lartë sipas standardeve të njohura ndërkombëtare tha Smakiqi.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme z. Skender Hyseni potencoi se sot po lansojmë një seminar tjetër të projektit të binjakëzimit në këtë tempull të nxënies së mësimeve akademike në fushën e sigurisë. Ministri Hyseni citoi se:
E konsideroj të rëndësisë së veçantë çdo gjë që zhvillohet brenda këtij projekti të binjakëzimit, sepse e shoh si mundësi tjetër shumë të rëndësishme që standardet që aplikohen në fushën e dijeve në rrafshin e sigurisë në Kosovë, të barazohen tërësisht me standardet që aplikohen në vendet e Bashkimit Evropian. Është jetike që Kosova të filloj të ndërtoj strukturat e veta edukativo-arsimore në pajtim të plot me standardet evropiane, tha Hyseni .
Nërsa Christof Stock shef i Seksionit të Bashkëpunimit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë tha se implementimi i këtij projekti është mjaftë me rëndësi për Akademinë konkretisht për zyrtarët e sigurisë publike.
Arsimimi në të gjitha fushat, dhe veçanërisht arsimimi në fushën e zbatimit të ligjit është prioritet për ne dhe ne do të vazhdojmë këtë përkrahje, pasi që edhe investimi në projektin e kaluar të binjakëzimit për këtë arsimim të specializuar ka qenë investim shumë i mirë.
Përveç arsimit të lartë, ai tha se do të vazhdohet përkrahja në mësimin gjatë tërë jetës në arsimin profesional në sigurinë publike. Përmes projektit të ri, arsimi i sigurisë publike në Kosovë do të jetë edhe më efektiv dhe efikas. Jam i impresionuar, shtoi Stock, me përkushtimin e plotë të stafit të Akademisë. Njerëzve që punojnë në këtë institucion ju pëlqen puna të cilën e bëjnë dhe janë plotësisht të angazhuar për të realizuar misionin e Akademisë.
Ambasadorja e Finlandës në Kosovës Anne Huhtamaki tha se është kënaqësi që gjendet sot në Akademi në këtë seminar të Projektit të Binjakëzimit të financuar nga Bashkimi Evropian, dhe Finlanda si shtet përfitues i këtij projekti do të jep mbështetje të mëtutjeshme në realizimin e suksesshëm të këtij projekti.
Ne presim që nga ky projekt të arrihen rezultate të larta dhe të suksesshme në fushën e sigurisë dhe edukimit të lartë. Finlanda edhe më tutje përmes ekspertëve do të vazhdoj ti mbështesë projektet e tilla në fushën e sigurisë dhe edukimit të lart për zbatuesit e ligjit, tha Huhtamaki.
Në hapje të seminarit ishin ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi, Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Nazmi Iballi, Christof Stock nga Zyra e Bashkimit Evropian, Ambasadorja e Finlandës Anne Huhtamaki, udhëheqësja e projektit të binjakëzimit Krista Haak, përfaqësues nga agjencionet e sigurisë si dhe ekspertët e projektit të binjakëzimit.
U mbajt takimi i Bordit të Akademisë
Vushtrri, 14 mars 2016- Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike u mbajte takimi i katërmbëdhjetë i Bordit të Akademisë, ku u diskutuan çështje që kanë të bëjnë me trajnimet, projektin e binjakëzimit dhe funksionimin e Akademisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi gjatë këtij takimi prezantoi raportin një vjeçar të punës për vitin 2015. Në theks të veçantë ai foli për të arriturat e Akademisë, projektin e ri të binjakëzimit IPA II, të financuar nga Bashkimi Evropian e që ka të bëjë me përmirësimin e arsimit në fushën e sigurisë, bashkëpunimin ndërkombëtarë si dhe zhvillimin e trajnimeve nga agjencionet e sigurisë.
Gjatë këtij takimi drejtori i Zyrës Ligjore të Akademisë, Shpend Shabani bëri prezantimin e draft-planit të punës së Akademisë për vitin 2016.
Po ashtu para Bordit të Akademisë eksperti afatshkurtër i projektit të binjakëzimit, Lauri Tabur bëri një prezantim rreth qëllimit të projektit në fjalë.
Në mbledhjen e Bordit pikë e rendit të ditës ishte edhe zgjedhja e kryesuesit të ri për vitin 2016, i cili u zgjodh me shumicë votash Lulzim Rafuna i cili njëherit është edhe Drejtor i Doganës së Kosovës.
Në këtë takim morën pjesë: Kryeprokurori i Shtetit Aleksander Lumezi, Drejtorët e agjencioneve të sigurisë publike, Drejtori i Departamentit për Rend dhe Siguri Publike në OSBE Karl Ake Roghe si dhe Ritva Vahakoski këshilltare rezidente e projektit të binjakëzimit.
OSBE i dhuron 300 libra Akademisë së Kosovës për Siguri Publike
Vushtrri, 10 mars 2016- Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë (OSBE), në vazhdën e donacioneve dhe përkrahjes sot dhuroi 300 tituj librash donacion, Akademisë së Kosovës për Siguri Publike.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi, priti në vizitë zëvendës shefen e misionit të OSBE-së në Kosovë znj. Paivi Nikander dhe zëvendës shefen e Ambasadës Gjermane në Kosovë znj. Cristina Gehlsen. Në takim morën pjesë edhe Ake Roghe, Drejtor i Departamenti për Rend dhe Siguri Publike OSBE, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës, Dejan Saviq dhe Ritva Vahakovski Këshilltare Rezidente e Projektit të Binjakëzimit.
Vizita u realizua me rastin e dorëzimit të treqind librave donacion i OSBE. Dorëzimi i librave ishte njeri prej 4 aktiviteteve të financuara nga Ambasada Gjermane dhe implementuar nga OSBE, mision në Kosovë.
Në kuadër të këtij projekti Akademia ka vizituar Universitetin Policor të Gjermanisë ne Muenster si dhe ka qenë nikoqire e këtij Universiteti, kurse në muajin tetor 2015 në Prishtinë është mbajtur Konferenca Ndërkombëtare \"Ndërlidhja me Rrjete dhe Qasja krahasuese në arsimimin e policisë.
Drejtori Smakiqi falënderoi misioni e OSBE-së në Kosovë për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë në ngritjen e kapaciteteve të Akademisë si dhe kontributin që po vazhdon të jap në trajnimin dhe arsimimin e pjesëtareve të sigurisë publike.
Pranimi i 300 titujve të librave është një dhuratë shumë e veçantë dhe e çmueshme për ne si Akademi dhe për studentët e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, u shpreh Smakiqi.
Më këtë rast drejtori Smakiqi ka folur edhe për fillimin e projektit të dytë të binjakëzimi i cili ka për qëllim përkrahjen e mëtejshme të arsimit në sigurinë publike në Kosovë.
Ky projekt vjen si rezultat i përfundimit me suksese të projektit të parë të binjakëzimit Përmirësimi i arsimit në sektorët e sigurisë dhe rendit publik IPA 2009, i cili ka mundësuar akreditimin e programi studimor në Akademi si dhe hapjen e Fakulteti të Sigurisë Publike i cili ofron arsim të lartë për zyrtarët e Agjencive të Sigurisë Publike, tha drejtori Smakiqi.
Ai tha se Akademia falë punës së palodhshme të stafit dhe përkrahjes nga partnerët e saj të përhershëm OSBE dhe ICITAP është në rrugë të mirë të realizoi vizionin e saj, në vitin 2020 Akademia do të njihet nga palët e interesit të saj kombëtarë dhe ndërkombëtarë si një institucion parësor për të gjitha nivelet e arsimit në sektorët e rendit dhe sigurisë publike .
Ndërsa zëvendës ambasadorja e OSBE-së në Kosovë, Paivi Nikander, gjatë fjalimit të saj u shpreh shumë e lumtur që Akademia ka shënuar të arritura në fushën e trajnimeve të pjesëtarëve të sigurisë publike. Ajo tha se ndihet e lumtur që OSBE sot dhuron libra Akademisë ku përmes se cilave pjesëtarët e sigurisë kanë mundësi të fitojnë njohuri në fushat përkatëse.
Edhe zv/ambasadorja e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë Cristina Gehlsen, ka përgëzuar Akademinë për të arriturat e sajë. Para se të vij në Akademi unë kamë dëgjuar fjalë shumë të mira për institucionin tuaj. Sot është hera e par që vizitoj Akademinë dhe jam shumë e impresionuar, prej rendit shtëpiak e deri të trajnimet dhe arsimimin që zhvilloni për studentët tha Gehlsen. Ajo shprehi gatishmërinë për ta ndihmuar dhe përkrahur Akademinë edhe më tutje.
Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi mes Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe Akademisë Policore të Malit të Zi
Vushtrri, 04 mars 2016 - Ndërmjet dy institucioneve të arsimimit të sigurisë publike, Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) dhe Akademisë Policore të Republikës së Malit të Zi, është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, e cila ka për qëllim fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit reciprok në mes këtyre dy institucioneve për të përkrahur objektivat strategjike në fushat e trajnimit, studimit, hulumtimit dhe zhvillimit, si dhe në marrëdhëniet me publikun.
Kjo marrëveshje është nënshkruar gjatë një vizite zyrtare tre ditore që Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi pati në Mal të Zi.
Delegacioni nga Kosova është pritur nga drejtori i Akademisë Policore në Danillovgrad, Rajko Pekoviq si dhe këshilltarët e lartë të misionit të OSBE-së në Mal të Zi.
Gjatë kësaj vizite drejtori Smakiqi si dhe drejtori Pekoviq u deklaruan për përkrahjen e tyre për përfitime të përbashkëta për institucionet ku ata udhëheqin. Të dyja palët u shprehen të gatshëm për të kontribuar në rritjen e lidhjeve kulturore, arsimore, hulumtuese dhe zhvillimore ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Sipas tyre marrëveshja krijonë bazë për bashkëpunim të ardhshëm në disiplinat e përbashkëta për të dya institucionet në fushëveprimet e arsimit në tri nivele; (arsimin profesional, arsimin e vazhdueshëm profesional dhe arsimin e lartë); fushëveprimin e hulumtimit, shkëmbimit të informatave dhe rezultateve si dhe në fushëveprimin e këmbimeve të personelit akademik, studentëve, programeve të trajnimeve si dhe programeve studimore në fushën e Sigurisë Publike.
Gjatë kësaj vizite me kërkesë të Akademisë Policore të Mali të Zi, drejtori Smakiqi i dorëzoi drejtorit Pekoviq programin studimor Bechelor të sigurisë publike, ligjin për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike si dhe rregulloren për funksionalizimin e arsimit të lartë në AKSP-së.
Për nderë të kësaj vizite kadetët e Akademisë Policore të Malit të Zi demonstruan para delegacionit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike.
Po ashtu gjatë kësaj vizite zyrtare, delegacioni nga Kosova i kryesuar nga drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi, vizituan Ministrinë e Punëve të Brendshme të Malit të Zi, ku u priten nga drejtor i Përgjithshëm për Çështjet të Sigurisë, Mbrojtjes dhe të Mbikëqyrjes në këtë ministri, Millosh Vukqeviq, Më këtë rast drejtori Vukqeviq shprehi kënaqësinë për bashkëpunim mes dy akademive dhe nevojën e këmbimit të eksperiencave në fushën e sigurisë publike.
Ai e falënderoi drejtorin Smakiqi për ofrimin e programin studimor Bechelor të Sigurisë Publike.
Në vizitën zyrtare në Mal të Zi, e cila është mbështetur nga misioni i OSBE-së në Kosovës, drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi është shoqëruar edhe nga drejtor i Departamentit Ligjor i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Naim Shala, drejtori i Departamentit për Burime Njerëzore në Policisë e Kosovës, nënkolonel Agron Rukiqi, nga dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike, Nazmi Iballi, drejtori i DTPA Kastriot Jashari nga mësimdhënësja e FSP-së Florentina Shala. Në vizitë morën pjesë këshilltaret e larta të OSBE-së, Shpresa Muharremi, Shpresa Mulliqi dhe Bulent Ribari.
Filloi seminari tre ditor në Akademi
Vushtrri, 23 shkurt 2016- Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot filloi seminari treditor për anëtaret e grupeve punese për kurrikula të projektit të binjakëzimit të Komisionit Evropian IPA II.
Drejtori i Përgjithshëm i AKSP Ismail Smakiqi iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti duke i falënderuar ata për bashkëpunimin e treguar në projektin e binjakëzimit IPA I. Me këtë rast drejtori Smakiqi uroi fillim të suksesshëm të projektit të ri të binjakëzimit IPA II, i cili ka për qëllim Përkrahjen e mëtejshme të arsimit në siguri publike në Kosovë.
Smakiqi vlerësoi lartë projektet e Bashkimit Evropian duke theksuar se fal ndihmës dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në AKSP sot ofrohet edhe arsimimi i lartë për të gjithë agjencionet e sigurisë publike.
Në këtë seminare tre ditor pjesëmarrës janë ekspertë të projektit, zyrtarë nga Akademia si dhe përfaqësuese të agjencioneve të sigurisë publike. Seminari do të fokusohet në teorinë, parimet dhe kushtet për zhvillimin e kurrikulës.
Gjithashtu gjatë këtij seminari do të trajtohen edhe metodat për përcaktimin e rezultateve të mësuarit për secilin trajnim, si dhe kushtet për validimin dhe implementimin e kurrikulave të reja.
KFOR-i gjerman vizitoi Akademinë
Vushtrri, 19 shkurt 2016 Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) sot e vizitoi një delegacion nga kontingjenti gjerman i KFOR-it në Prizren, i kryesuar nga komandanti, Von Keyserlingk, ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi e njoftoj delegacionin në fjalë, për të arriturat e Akademisë, përfshirë të gjitha periudhat që nga themelimi e deri më sot. Smakiqi vuri në pah zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me themelimin e Fakultetit të Sigurisë Publike tash së fundmi edhe me fillimin e projektit të dytë të binjakëzimit. Me këtë rast, delegacioni u informua lidhur me bashkëpunimin që AKSP ka më të gjitha institucionet e sigurisë qofshin ato vendore apo ndërkombëtare.
Ndërkaq komandanti i kontingjenti gjerman i KFOR-it në Prizren, Von Keyserlingk, shprehi interesimin e tij për shumë çështje që lidhen me trajnimet në Akademi.
Ai përgëzoj drejtorin Smakiqi për të arriturat dhe tha se Akademia e Kosovës për Siguri Publike, është institucioni më i mirë për trajnime në fushën e sigurisë.
Delegacioni shprehu përshtypjet më të mira për Akademinë si një institucion i mirëfilltë në fushën e arsimit në siguri publike.
Smakiqi falënderoi komunitetin ndërkombëtar për ndihmën që i kanë dhënë AKSP-së, përfshirë KFOR-in, shtetin gjerman dhe organizma e institucione të tjera.
KFOR-i gjerman vizitoi Akademinë
Vushtrri, 19 shkurt 2016 Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) sot e vizitoi një delegacion nga kontingjenti gjerman i KFOR-it në Prizren, i kryesuar nga komandanti, Von Keyserlingk, ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi e njoftoj delegacionin në fjalë, për të arriturat e Akademisë, përfshirë të gjitha periudhat që nga themelimi e deri më sot. Smakiqi vuri në pah zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me themelimin e Fakultetit të Sigurisë Publike tash së fundmi edhe me fillimin e projektit të dytë të binjakëzimit. Me këtë rast, delegacioni u informua lidhur me bashkëpunimin që AKSP ka më të gjitha institucionet e sigurisë qofshin ato vendore apo ndërkombëtare.
Ndërkaq komandanti i kontingjenti gjerman i KFOR-it në Prizren, Von Keyserlingk, shprehi interesimin e tij për shumë çështje që lidhen me trajnimet në Akademi.
Ai përgëzoj drejtorin Smakiqi për të arriturat dhe tha se Akademia e Kosovës për Siguri Publike, është institucioni më i mirë për trajnime në fushën e sigurisë.
Delegacioni shprehu përshtypjet më të mira për Akademinë si një institucion i mirëfilltë në fushën e arsimit në siguri publike.
Smakiqi falënderoi komunitetin ndërkombëtar për ndihmën që i kanë dhënë AKSP-së, përfshirë KFOR-in, shtetin gjerman dhe organizma e institucione të tjera.