Ministri i MPB-së Agim Veliu vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike
Vushtrri, 16 korrik 2020 – Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi priti sot në takim ministrinë e Punëve të Brendshme Agim Veliun ku teme diskutimi ishte fillimi i trajnimit bazik i kadetëve të gjeneratës së 55 të Policisë së Kosovës. Ministri Veliu gjatë kësaj vizite u njoftua më zhvillimet e fundit si dhe me proceset nëpër të cilat po kalon Akademia.
Ministri Veliu ishte i shoqëruar nga Bajram Gecaj shef i kabinetit dhe këshilltarë të tij, ndërsa në takim të pranishëm ishin edhe dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Bejtush Gashi si dhe udhëheqësit e lartë të Akademisë Rrahim Rexha, Kastriot Jashari, Shpend Shabani dhe Avni Istrefi.
Në fillim të takimit drejtori Smakiqi e njoftoi ministrin Veliu me aktivitetet dhe veprimet e ndërmarra të AKSP gjatë periudhës së pandemisë COVID 19.
Lidhur me këto aktivitete dhe veprime të ndërmarra drejtori Smakiqi tha se "përveç punëve të përditshme dhe rutinore, Akademia ka hartuar ‘Planin e vijimësisë së qeverisjes për AKSP’ si dhe ‘Protokolli për implementimin e rekomandimeve të MSH-së dhe IKSHP-së në vendin e punës’. I gjithë personeli ka marrë pjesë në ligjëratën (prezantimin) ‘Vetëdijesimi i zyrtarëve lidhur me sëmundjen COVID-19, masat mbrojtëse dhe higjienën’ të cilën e ka bërë mjeku i Akademisë”.
Kurse lidhur me aktivitetet e Akademisë nga fushë veprimtaria e saj, drejtoi Smakiqi njoftoi ministrin me mësimet të cilat po i zhvillojnë studentët e FSP si dhe kadetët e gjeneratës së 55 të Policisë së Kosovës. “Pas ndërprerjes të procesit arsimor në AKSP, mësimdhënësit e Fakultetit të Sigurisë Publike kanë vazhduar të zhvillojnë mësimin me studentë nga distanca, kurse më datën 06.07.2020 filloj trajnimit profesional 'Polic i ri', mësimi vijon online përmes platformës së mësimit në distance E-trajnimi”, tha Smakiqi.
Drejtori Smakiqi po ashtu bëri një prezantim të Akademisë; misionin, të arriturat dhe sfidat e Akademisë. Duke folur për të arriturat e Akademisë drejtori Smakiqi ne theks të veçantë foli për krijimin e programit studimor Bachelor Siguria Publike, Akreditimin e këtij programi studimor dhe akreditimin institucional të Akademisë nga Agjencia e Kosovës së Akreditimit; Themelimin e Fakultetit të Sigurisë Publike; Krijimin e Programeve Profesionale për gjashtë Agjenci të Sigurisë Publike. Po ashtu drejtori Smakiqi foli edhe për akreditimin e Akademisë dhe validimin e programeve profesionale nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve si dhe Akreditimin Ndërkombëtarë nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (IADLEST).
Gjithashtu drejtori Smakiqi e njoftoi ministrin Veliu për procesin e ri akreditimit për vitin 2021 të gjitha këtyre programeve dhe ri akreditimin institucional të Akademisë. Në ndërkohë drejtori Smakiqi kërkoi përkrahjen e ministrit në procesin e ri akreditimit, gjegjësisht plotësimin e kushteve të kërkuara nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, me qëllim të ri akreditimit.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu pasi dëgjoi këto prezantime e inkurajoj drejtorin për punën e bërë. “Unë jam këtu sot me bashkëpunëtoret e mi që t’ju siguroi se vëmendja ime si ministër i Punëve të Brendshme është dhe do të jetë kah Akademia, në mënyrë që të arriturat e deritashme të Akademisë, që janë të shumta, t’i ruajmë prej çdo ndikimi, çfarëdo qoftë ai dhe të kujdesemi që bashkërisht ta ruajmë dhe ta ngrisim një institucion i cili tashmë ka bë emër jo vetëm në Kosovë, por edhe në arenën ndërkombëtare”, tha ministri Veliu.
Duke shprehur kënaqësinë për partneritetin e Akademisë në rrafshin ndërkombëtar dhe pjesëmarrjen e Akademisë në rrjete të asociacioneve ndërkombëtare ministri Veliu tha “unë dua të falënderoi edhe partnerët tanë ndërkombëtar që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për ngritjen e Akademisë, sikurse janë OSBE-ja, ICITAP-i, të cilët vazhdimisht në takimet që i kam me ta, e kanë një kujdese të jashtëzakonshme, një vëmendje të veçantë për Akademinë”
Duke falënderuar drejtorin Smakiqi për pritje ai tha “unë edhe këtu iu premtoi edhe një herë që do ta kem vëmendjen e veçantë për Akademinë, do ta keni mbështetjen time të pakursyer edhe në ngritjen e Akademisë edhe në nevojat që Akademia i ka, sepse është e natyrshme që Akademia ka nevoja edhe kërkesa që shteti duhet të i përmbushë”.
Gjatë vizitës që mistri Veliu i bëri kampusit të AKSP-së, ai pa nga afër ushtrimet e kadetëve në qendren e simulimeve me armë zjarri si dhe mori pjesë në zhvillimin e një ore mësimi online me kadetët e gjeneratës së 55 të Policisë së Kosovës. Me këtë rast ministri iu drejtua kadetëve duke i motivuar që të kryejnë me sukses trajnimin e tyre dhe të i bashkëngjiten kolegëve të tyre në punët e përditshme të Policisë së Kosovës.