Lajmet
Lajmet
Diplomoi gjenerata e parë e pjesëmarrësve të trajnimit për menaxhim ekzekutiv
Vushtrri, 03 Korrik 2009 Pas një trajnimi intensiv katër javor, sot në ora 10:00, në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim, u mbajt ceremonia e diplomomimit të gjeneratës së parë të pjesëmarrësve që ndoqën trajnimin për Lidership të Nivelit Ekzekutiv. Ky trajnim u organizua në qendër me përkrahjen e disa këshilltarëve të OSBE-së. Planprogrami mësimor përfshinte aftësitë komunikuese, ndërtimin e ekipeve, mendimin strategjik, studimin e rasteve të incidenteve madhore si dhe lëmi të tjera të menaxhmentit ekzekutiv. Ligjeruesit ishin ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë të lëmive përkatëse. Ndërsa, pjesëmarrësit e këtij trajnimi ishin kryesisht udhëheqës departamentesh të ndryshme nga agjencionet e sigurisë publike si Policia e Kosovës, Doganat e Kosovës, Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti për Menaxhimin e Emergjencave.
Në ceremoni të diplomimit ishin të pranishëm zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z.Dejan Jankovic, drejtori i Departamentit për Siguri dhe Çështje të Sigurisë në OSBE, z.Carsten Twelmayer, si dhe zyrtarë të lartë nga agjencionet e zbatimit të ligjit.
Përveç ceremonisë së diplomimit, sot u bë edhe tranzicioni i planprogramin mësimor të Departamentit për Menaxhimin dhe Zhvillimin e Lidershipit, nga OSBE tek Qendra e Kosovës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim. Ky Departament ishte themeluar në vitin 2006 dhe që nga ajo kohë ishte në mbikqyrjen e OSBE-së.
Sot është një ditë e vecantë, sepse materiali i OSBE-së, që nga sot i dorëzohet Departamentit për Menaxhimin dhe Zhvillimin e Lidershipit, që të zhvillojë më tej aftësi menaxheriale brenda agjensioneve të sigurisë publike, në mënyrë që të përmirësojnë dhe afirmojnë shërbimet e tyre për qytetarët, tha z.Twelmayer.
Në vazhdim, z.Twelmayer premtoi se mbështetja për zhvillimin e menaxhmentit dhe lidershipit, nuk do të mungojë as në të ardhmen nga departamenti që ai udhëheq.
Ndërkaq, zëvendësdrejtori i policisë z.Jankoviq falenderoi QKSPEZH-in dhe OSBE-në për organizimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të trajnimeve të ndryshme.
Pjesëmarrësve të kursit ju dëshiroj punë të suksesshme që edhe në të ardhmen të japin kontributin ashtu si deri më tani, tha për fund z.Jankoviq.
Ndërsa, u.d. e kryeshefit ekzekutiv të QKSPEZH, Taibe Canolli vlerësoi se ky është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e vazhdueshëm të akterëve kyç për ruajtjen e sigurisë së vendit. Ajo tha se organizimi i këtij trajnimi është i një rëndësie të veçantë jo vetëm për Qendrën e Kosovës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim, por edhe për të gjtiha institucionet ku ju shërbeni. Realizimi i këtij projekti i kontribon krijimit të një sistemi të qëndrueshëm të edukimit, duke qenë i drejtuar në ndërtim të kapaciteteve vendore për lidership të nivelit të lartë dhe trajnim të stafit menaxherial , tha znj.Canolli.
Departamenti për Menaxhim dhe Lidership deri më tani ka zhvilluar nivelin e ulët dhe të mesëm të menaxhmentit si dhe disa seminare një javore për nivelin e lartë ekzekutiv. Ndërsa, ky është trajnimi i parë i këtij lloji që do të vazhdojë të mbahet edhe për gjeneratat e ardhshme.
Ambasada Çeke dhuroi pajisje për hulumtimin dhe simulimin e vendngjarjes së krimit
Vushtri, 19 qershor 2009-Sot, më 19 qershor 2009 në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike,Edukim dhe Zhvillim ,në Vushtrri,ambasada Çeke dorëzoi në mënyrë solemne një donacion, që përmban dhomë dhe pajisje për hulumtimin dhe simulimin e vendngjarjes së krimit.
Në këtë ceremoni ishin prezent ambasadorja e Çekisë, znj.Janina Hrebícková, ambasadori i OSBE-së z.Ëerner Almhofer zv/kryetarja e komunës së Vushtrisë, z.Xhevahire Ismaku si dhe zyrtarë të tjerë të lartë vendor e ndërkombëtarë.
Në fjalën e saj ambasadorja e Çekisë znj.Hrebiçkova vlerësoi lartë të arriturat e Policisë së Kosovës që nga formim. Ajo tha se Republika Çeke cdo here ka mbështetur zhvillimin e Kosovë. Ne jemi të interesuar që së pari të përmirësohen raportet ndër etnike dhe të zhvilloj Policinë në hetimin e krimit. Kjo është mënyra më e mirë për tu arritur siguri jo vetëm në vend, por edhe në rajon, tha ndër të tjera znj. Hrebickova.
OSBE dhuron pajisje për hulumtimin dhe simulimin e vendngjarjes së krimit
Vushtri, 18 qershor 2009-Neser, më 19 qershor 2009 në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike,Edukim dhe Zhvillim ,në Vushtrri, OSBE do të dorëzoj në mënyrë solemne një donacion, që përmban pajisje për hulumtimin dhe simulimin e vendngjarjes së krimit.
Në këtë ceremoni do të jetë prezent edhe ministri i Punëve të Brendshme z.Zenun Pajaziti, zv/ministri i MPB-së, z.Fatmir Xhelili, ambasadori i OSBE-së, z.Werner Almhofer, ambasadorja e Çekisë, znj. Janina Hrebícková, drejtori i përgjithëshëm i Policisë së Kosovës, z.Sheremet Ahmeti, kryetari i komunës së Vushtrisë, z.Bajram Mulaku si dhe zyrtarë të tjerë të lartë vendor e ndërkombëtarë.
Ceremonia e dorëzimit të donacionit fillon në ora 10:00
Ftohen mediat që ta përcjellin këtë ngjarje
Sot në QKSPEZH diplomuan 20 zyrtarë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Shqipërisë, në kursin Bazik të Hetimeve
Vushtrri, 5 maj 2009-Sot, në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim, pas një trajnimi intensiv katër javorë, u çertifikuan 20 pjesëmarrës, në kursin bazik të Hetimeve, zyrtarë të lartë të Drejtorisë së Shërbimit për Kontroll të Brendshëm të Shqipërisë.
Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë drejtori i përgjithëshëm i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Shqipërisë, z. Astrit Halilaj, kryeshefi ekzekutiv i Inspektariatit të Policisë së Kosovës, z.Enver Rrustemaj, përfaqësuesi i ICITAP në Shqipëri, z.Leon Strigote, Petrit Bushi nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, përfaqësues i ICITAP në Qendër z.Alex Rivera, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Qendrës së Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim, Policisë së Kosovës dhe Inspektariatit Policor të Kosovës.
Drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Shqipërisë, z.Astrit Halilaj falenderoi Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës për realizimin e këtij trajnimi, ai thë se ky trajnim shënon një urë bashkëpunimi, ndërmjet dy shteteve tona të pavarura dhe demokratike , që i përkasim të njëjtit komb dhe flasim të njëjtën gjuhë. Është i pari kurs që zhvillohet jashtë shtetit pa patur nevojë për përkthyes
Në vazhdim drejtori Halilaj vlerësoi këtë trajnim tejet të rëndësishëm për konsolidimin e bashkëpunimit reciprok në të gjitha fushat, me theks të veçant në fushën e zbatimit të ligjit dhe krijimin e standardeve të përbashkëta. Shkëmbimi i modeleve dhe eksperiencave të ngjashme ndërmjet Agjencive të Ligjit të dy shteteve tona, është i rëndësishëm për bashëkpunim reciprok. Ky trajnim do të forcojë edhe më tej, bashkëpunimin tonë me Inspektariatin Policor të Kosovës, pasi që IPK dhe SHKB janë dy agjencitë ligjore përgjegjëse për mbikëqyrjen e punës së Shërbimeve Policore të të dy vendeve, tha ndër të tjera drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Shqipërisë, z.Astrit Halilaj.
Driton Zabërxha nga Policia e Kosovës theksoi se Policia e Kosovës dhe Policia e Shqipërisë janë dy institucione shumë të rëndësishme, të cilat kanë bashkëpunim të mirë dhe janë në rrugë të drejtë të zhvillimit, duke punuar me zell për një rajon të sigurt dhe demokratik
Ndërkaq përfaqësuesi i ICITAP në Shqipëri z.Leon Strigote vlerësoi lartë punën e Inspektariatit Policor të Kosovës dhe tha se Demokracia dhe liria nuk janë të barabarta me korrupcionin, nuk mund të jemi shoqëri demokratike nëse nuk kemi agjenci që lufton krimin. Ju jeni expert në luftimin e krimit, por duke parë punën e mirë të IPK-së është inicuar ky trajnim dhe pasi që ju jeni në front të luftimit të korrupcionit shpresojmë se së bashku me homologët kosovar do të vendosni një standard, që do të jetë model, jo vetëm për vendet tuaja, por për tërë Europën Juglindore, tha përfaqësuesi i ICITAP në Shqipëri.
Pjesëmarrësit i përshendeti edhe Petrit Bushi nga ambasada e Shqipërisë në Kosovë.
Një delegacion Holandez i kryesuar nga amabsadori i Holandes në Prishtinë Henk Voskamp, vizitoi sot Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim
Vushtrri, 26 maj 2009-Sot Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim e vizitoi ambasadori i Holandës në Prishtinë z. Henk Voskamp, i shoqëruar nga zëvendës ambasadorja znj. Emma Key dhe z. Caspar Velkamp drejtor i Drejtorisë për Ballkanin Perëndimor, i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës.
Delegacionin Holandez e priti u.d. i drejtorit të QKSPEZH znj. Taibe Canolli, e cila i njoftoi mysafirët për të gjitha aktivitetet që i zhvillon Qendra e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim, për kapacitetet dhe mundësitë që i ofron kjo Qendër në trajnimin e pjesëtarëve të policisë dhe të agjencioneve të tjera të Sigurisë Publike.
Në vazhdim të takimit komandanti i NATO Training Team( NTT) Vincenzo Matina, e njoftoi delegacionin për të gjitha aktivitetet që po zhvillohen në trajnimin e FSK-së.
Delegacioni nga Mbretëria e Holandës vizitoi edhe ambientet e Qendrës për tu njohur më afër me punët e kësaj Qendreje.
Taibe Canolli u emërua u.d. e Kryeshefit Ekzekutiv në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim
Vushtrri 22 maj 09 - Në mbështetje të nenit 145 (2) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në bazë të Rregullores së UNMIK-ut 2006/26 të dt. 27 prill 2006, Rregullores së UNMIK-ut 2008/17, Urdhëresës Administrative nr. 2008/3 për themelimin e Qendrës së Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim neni 3, si dhe Rregullores së UNMIK-ut 2001/36 për Shërbimin Civil në Kosovë, ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme nxori këtë vendim:
I. Në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim që vepron si Agjenci Ekzekutive, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme emërohet znj.Taibe Canolli.
II. Znj. Taibe Canolli do ta ushtrojë këtë funksion deri në përfundim të procedurave të rregullta të rekrutimit të Kryeshefit të kësaj Agjencie. Mandatin e saj/tij, Kryeshefi Ekzekutiv do ta ushtrojë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi.
III. U.d. i kryeshefit Ekzekutiv i përgjigjet Ministrit të Punëve të Brendshme.
Në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim diplomuan 23 pjesëtarë të Shërbimit Zjarrfikës
Vushtrri, 15 maj 2009 - Pas një trajnimi të 2 javor, në QKSPEZH diplomuan zyrtarët e rinjë zjarrfikës.
Në ceremoni të diplomimit morën pjesë: sekretarja permanente e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Sebahate Muharremi, u.d. i drejtorit të Departamentit për Menaxhimin e Emergjencave, Ramadan Krasniqi, Lulzim Fushtica u.d.i drejtorit të QKSPEZh, Driton Zabërgja nga Policia e Kosovës, Tahir Krasniqi nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, Heinz Schneider nga OSBE, kryetari i komunës së Mamushës Arif Bytyqi si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të QKSPEZh.
Sekretarja permanente e MPB-së përgëzoi zyrtarët e rinjë zjarrfikës për diplomimin, duke falenderuar me theks të vecant pjesëtarët serb dhe turk për bashkëngjitjen e tyre në Shërbimin Zjarrfikës.
Lulzim Fushtica në emër të QKSPEZh dhe MPB-së i uroi të sapo diplomuarit dhe tha se përkushtimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme do të vazhdojë në mbështetjen e Agjencioneve të Sigurisë Publike, në mënyrë që në të ardhmen këto agjencione të pavarësohen në përmbushjen e misionit të tyre
Ndërkaq z. Heinz Schneider i cilësoi zjarrfikësit si hero, me një rol kyq në mbrojtjen e jetës dhe pasurisë së qytetarëve. Do ti inkurajoj insitucionet e Kosovës për të përkrahur Shërbimin Zjarrfikës, me që roli i tyre në mbrojtjen e jetës dhe pasurisë së qytetarëve është kyq, tha z. Schneider.
Në ceremoninë e sotme, në emër të pjesëtarëve serb foli njëri nga të diplomuarit e sotëm , po ashtu pjesëtarë i nacionalitetit serb, cili u shpreh i kënaqur për kohën e kaluar në QKSPEZh gjatë këtyre dy javëve. Në emër të nacionalitetit serb , ju falenderojë për trajtimin që na është bërë gjatë këtyre javëve, jemi ndjerë si në shtëpinë tonë, tha njëri nga pjesëmarrësit serb.
Kjo gjeneratë numëron 23 pjesëtarë, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë nga komuna e Hanit të Elezit dhe Mamushës , komuna këto të cilat janë në formim e sipër të Shërbimit Zjarrfikës.
Gjashtë prej pjesëmarrësve janë të nacionalitetit serb dhe kjo është hera e parë që Shërbimit Zjarrëfikës i bashkëngjiten pjesëtarë të këtij nacionaliteti.
Në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim, organizohet Kampi Multietnik për fëmijët e zyrtarëve të Policisë së Kosovës
Vushtrri, 14 maj 2009 Më 15, 16 dhe 17 maj të këtij viti në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim në Vushtrri, Policia e Kosovës në bashkëpunim me organizatën joqeveritare Terre de Hommes organizon kampin multietnik , për fëmijët e zyrtarëve të Policisë së Kosovës.
Në këtë kamp, i cili përfshinë lojra dhe aktivitete të ndryshme, do të marrin pjesë rreth 120 fëmijë, të moshës 12-14 vjeçare dhe do të përfaqësojnë të gjashtë rajonet e Policisë së Kosovës.
Pjesëmarrës në këtë kamp do të jenë edhe Trupat Operative Shumëkombëshe-Lindje (Multi-National Task Force-East -MNTF-E), të cilët do të mbështesin këtë kamp.
Hapja solemne e këtij kampi, do të bëhet në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim, më 15 maj, në ora 18:30. Të shtunën, përkatësisht më 16 maj në orën 11, fëmijët do të dërgohen në Parkun e Bajgorës ku edhe do të realizohen këto lojra dhe aktivitete.
Ftohen mediat që të marrin pjesë në hapjen solemne të këtij kampi.
Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim e vizitoi zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku
Policia e Kosovës është pikë reference si një storie suksesi
Vushtrri, 5 maj 09- Sot Qendrën e Kosovës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim e vizitoi zëvendësministrja e Punëve të Jashtme Vlora Çitaku, e shoqëruar me këshilltarin e saj Besfort Rrecaj.
Zëvendësminstren e Punëve të Jashtme e priti u.d. i drejtorit të QKSPEZH, Lulzim Fushtica cili e njoftoi për të gjitha aktivitetet që i zhvillon Qendra e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim, për kapacitetet dhe mundësitë që i ofron kjo Qendër në trajnimin e pjesëtarëve të policisë dhe të agjencioneve të tjera të Sigurisë Publike.
Gjatë kësaj vizite zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku u takua me student kadet të Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Me këtë rast zv/ministrja Çitaku vlerësoi lartë të arriturat dhe sukseset e Policisë së Kosovës, duke theksuar se ju shpeshëherë na bëni të ndjehemi krenar. Policia e Kosovës është pikë reference si një storie suksesi. Ne ju kemi borxh dhe ju siguroj se kushtet tuaja do të përmirësohen hap pas hapi u tha zv/minstrja Çitaku, studentëve të Policisë së Kosovës.
Ndërkaq gjatë vizitës që zv/ministrja Çitaku u bëri kadetëve të FSK-së, i cilësoi ata me shumë fat, me që do të jenë gjenerata e parë e ushtrisë së Shtetit. Ju keni një bazament të fort, një trashëgimi të respektueshme, jam e sigurt që do të bëheni ushtri e fort, që do ti kontribuoni paqes, jo vetëm në vend, por edhe në rajon, shtoi ndër të tjera zv/ministrja e Jashtme Çitaku.
Zv/minstrja Çitaku vizitoi edhe ambientet e Qendrës për tu njohur më afër me punët dhe aktivitetet e kësaj Qendreje.
Trajnimit për Zjarrfikje dhe Shpëtim për herë të parë i bashkëngjiten pjesëtarë të nacionalitetit serb
Vushtrri, 4 maj '09 - Sot në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim filloi trajnimi bazik për Zjarrfikje dhe Shpëtim.
Kjo gjeneratë numëron 23 pjesëtarë, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë nga komuna e Mamushës dhe Hanit të Elezit, komuna të cilat janë në formim e sipër të Shërbimit Zjarrfikës.
Gjashtë prej pjesëmarrësve janë të nacionalitetit serb, kjo është hera e parë që Shërbimit Zjarrëfikës i bashkëngjiten pjesëtarë të këtij nacionaliteti. Trajnimi bazik do të zgjasë 2 javë.
Diplomoi Gjenerata e 37-të e Policisë së Kosovës
Vushtrri, 24 Prill 2009 - Pas një trajnimi të modifikuar 12 javor, në QKSPEZH diplomoi gjenerata e 37-të e zyrtarëve të rinj të Policisë së Kosovës. Kjo gjeneratë numëron 80 pjesëtarë, të cilët u trajnuan me planprogramin e dizajnuar në bazë të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe sundim të ligjit.
Në ceremoni të diplomimit morën pjesë: ministri i Brendshëm, Zenun Pajaziti, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Sheremet Ahmeti, përfaqësues nga EULEX-i, KFOR-i, OSBE-ja, zyrtarë të lartë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës si dhe familjarë të të diplomuarëve.Ministri Pjaziti përgëzoi zyrtarët e rinj policorë për diplomimin duke theksuar se policia është dhe do të mbetet edhe më tutje polici shumetnike. Ai më tutje vlerësoi se Policia e Kosovës do të vazhdojë të jetë tregimi më i mirë i institucioneve dhe kjo vetëm si rezultat i punës që bëjnë.
Në vazhdim ministri Pajaziti theksoi se Policia e Kosovës mbetet institucioni më i rëndësishëm që në Kosovë të kemi një jetë të mirë dhe një lëvizje të lirë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Sheremet Ahmeti, vlerësoi se edukimi dhe trajnimi luajnë rol të rëndësishëm në formimin e kuadrit profesional. Ai në vazhdim theksoi se është kënaqësi të shohësh mundësinë që kemi sot për tu trajnuar sipas standardeve më të larta të zbatimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut së bashku me të gjitha agjencionet e zbatimit të ligjit në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim.
Ndërsa, zëdhënësi i gjeneratës së tridhjeteshtatë të policisë, oficer Muharrem Kelmendi, tha se do të përpiqemi që ti mbrojmë të drejtat e qytetarëve, pa dallim etnie, race apo gjinie, si dhe pronat e tyre duke u bazuar dhe zbatuar me përpikshmëri ligjet e Republikës së Kosovës.
Pas shpërndarjes së diplomave, kapitenët e klasëve dorëzuan flamujt të cilët simbolizonin të arriturat akademike, disiplinën si dhe arritjet në të gjitha lëmitë përgjatë 3 mujorit të trajnimit. Këta flamuj iu dorëzun drejtorit të Drejtoratit për Trajnime Mandatore, nënkolonel Driton Zabërgja. Në fund të ceremonisë, instruktori i paradës dhe disiplinës liroi gjeneratën e re të policisë.
Qendra e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim përkrah Ditën ndërkombëtare të vajzave
Vushtrri, 23 prill 09 - Sot u shënua \"Dita Ndërkombëtare e Vajzave\" e cila për herë të dytë u mbajt në Kosovë, projekt i Organizatës Gjermane për Bashkëpunim Teknik dhe Ministrisë së Arsimit, Skencës dhe Teknologjisë .Në përkrahje të këtij projekti Qendra e Kosovës për Siguri Edukim dhe Zhvillim ofroi mbështetje për 100 vajza nga shkollat fillore të Vushtrisë, Anton Zako Çajupi dhe Mustafa Venhari.Qëllimi i kësaj dite është që vajzat të cilat nuk kanë bërë ende zgjedhjen e tyre profesionale, të kenë mundësinë të njihen me profesione të cilat tradicionalisht konsiderohen punë burrash.
Gjatë kësaj dite vajzat u ndanë në dy grupe, sipas Agjencioneve të Sigurisë Publike, të integruara në Qendër, Policisë së Kosovës dhe Departamentit të Menaxhimit të Emergjencave. Pas ligjëratave nga zyrtarë të agjencioneve përkatëse, vajzat ushtruan praktikisht disa nga detyrat dhe aktivitetet e Policisë dhe Zjarrfikësve.
Ishte një ushtrim praktik i cili ndihmon këto vajza të krijojnë ide për profesione të cilat tradicionalisht konsiderohen jo femrore dhe në këtë mënyrë të krijohen mundësi të barabarta karriere për të dy gjinitë.