Lajmet
Lajmet
Delegacioni nga Qendra e Formimit Policor të Shqiperisë viziton Qendrën e Kosovës për Siguri Publike
Vushtrri, 10 shkurt '09 - Një delegacion nga Qendra për Formimin Policor (QFP) të Shqiperisë i kryesuar nga Muhamet Rrumbullaku- drejtor i QFP, Joseph Hauer- këshilltar nga ICITAP dhe udhëheqës tjerë të departamentit të trajnimeve të policisë, arriti të martën, me 10 shkurt, për vizitë pune tre ditore në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim.
Qëllimi i vizitës është takimi me homologët e trajnimit nga Qendra e Kosovës për Siguri Publike për të këmbyer dhe ndarë në të ardhmen nevojat dhe burimet e trajnimit.
Përfaqësuesit nga QFP kanë për qëllim që të mësojnë nga përvoja kosovare mënyrat e identifikimit dhe përgatitjen e instruktorëve të trajnimit për ngritje në gradë, si dhe identifikimin dhe marrjen e një modeli që mbështet menaxhimin, bashkëvendimin dhe kryerjen e trajnimit.
Gjatë kësaj vizite udhëheqësit e QKSPEZh-it dhe përfaqësuesit nga QFP diskutuan për funksionimin e Qendrës, mësimdhënien, zhvillimin e kurseve dhe ngritjen e gradave të policisë.
Po ashtu, gjatë takimit u prezentuan edhe metodat që po përdoren për të menaxhuar trajnimin e ofruar nga organizatat donatore.
Vizita pritet të përfundojë të enjten, me 12 shkurt të këtij viti.
Filloi trajnimi me automjet rrëshqitës
Sot filloi trajnimi i pjesëmarrësve me automjet rrëshqitës.
Qëllimi i këtij trajnimi është aftësimi i pjesëmarrësve për vozitje në kushte të vështira atmosferike, përkatësisht gjatë dimrit kur temperaturat janë të ulëta dhe rrugët janë të rrëshqitshme nga akulli, shiu apo balta, bëri të ditur toger Reshat Bugaçki, shef i Njësisë së Trafikut në Qendrën për Siguri Publike.
Trajnimi do të zgjasë dy ditë dhe marrin pjesë tetë zyrtarë nga OSCE-ja.
Fillon trajnimi themelor i gjeneratës së 37-të të Shërbimit Korrektues të Kosovës
Vushtrri, 2 shkurt '09 - Sot filloi trajnimi bazik i gjeneratës së 37-të të Shërbimit Korrektues të Kosovës. Kjo gjeneratë numëron 70 pjesetarë.
Trajnimi bazik do të zgjasë 15 javë. Pjesa teorike e trajnimit do të mbahet në QKSPEZH, ndërsa 3 javë praktike në burgjet e Kosovës.