Lajmet

Lajmet

Në Akademi u mbajt konferenca e parë shkencore “Sfidat e sigurisë në Kosovë”

Vushtrri, 29 maj 2017 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), u mbajt konferenca e parë shkencore me temën “Sfidat e sigurisë në Kosovë”,  ku qëllimi i saj ishte që përfaqësuesit e organizatave të sigurisë dhe zbatimit të ligjit në Kosovë të debatojnë si dhe të prezantojnë gjetjet e tyre më të rëndësishme rreth  çështjes së sigurisë në Kosovë,  rajon dhe më gjerë.

Në këtë konferencë ku u debatua për temat që kanë të bëjnë për çështje të sigurisë morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, prof.dr.Ass. Bejtush Gashi, dekan i Fakultetit të Sigurisë Publike, Drita Pereziç përfaqësuese nga ICTAP-i, Xhon Fisher profesor dr në Universitetin e Valles në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës Hilmi Mehmeti, ushtrues detyre i Drejtorisë së Përgjithshëm në Shërbimin Korrektues të Kosovës Sokol Zogaj, përfaqësuesit e Agjencioneve të Sigurisë Publike, përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare profesor dhe studentë. 

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në hapjen e kësaj konference tha se sfida e sigurisë është preokupimi kryesor i një vendi.

“Preokupimi i njerëzimit për sigurinë nuk është preokupim i sotëm,  është padyshim i vjetër po sa veprimet elementare ekzistencialiste të njerëzimit, gjegjësisht preokupimi për siguri, pikërisht për shkak të vjetërsisë, pothuaj se është ndjesi e “instinktit”. Andaj sfida e sigurisë sot në botë është pothuajse preokupim ekzistencialistë, sidomos sot kur bota po përballet me preokupime të cilat shpesh duken se e sjellin globin buzë greminës”, u shpreh Smakiqi.

Smakiqi tha se kujdesi ndaj ambientit; zhvillimi ekonomik dhe balancimet sociale ose respektimi i diversiteteve, duhet të jenë fokuset e njerëzimit në aksione për mirëqenie globale.

“Sfidat e sigurisë të cilat sot frekuentojnë në regjione të ndryshme janë të njëjta dhe ato janë; ekstremizmi i dhunshëm, krimi i organizuar, trafikimet e ndryshme, shpëlarja e parave etj”, u shpreh Smakiqi duke thënë se edhe Kosova si pjesë e globit është vend i sfidave të sigurisë të ngjashme me botën e sidomos me regjionin.

Ndërsa, Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Bejtush Gashi, duke falënderuar pjesëmarrësit në këtë konferencë, tha se organizimi i  saj është i rëndësishëm për Kosovën. Gashi tha se gjatë konferencës do të debatohet për problemet më të cilat po ballafaqohen institucionet konkretisht zbatuesit e ligjit në procesin e ndërtimit të shtetit.


“Kosova ka mundësinë historike të ndërtojë një shtet modern dhe shembull në rajonin tonë, ku shtetasi i saj pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare ta ndjejnë vetën të barabartë, ku familjet të jenë të garantuara që të ndërtojnë të ardhmen e tyre  sipas kontributeve të barabarta ku shpresa për të ardhmen të bëhet më e madhe se frika nga e kaluara. Vuajtjet e shumta të popullit tonë sigurish se do të jenë një shtysë për të punuar edhe më teje për të siguruara të ardhmen e një Kosovë shumë etnike”, tha Gashi.
Gashi tha se siguria është element kyç në sistemin shtetëror, siguria siç tha ai është një nga shtyllat kryesore prej të cilës varet mirëqenia e përgjithshëm e shtetit të ri.


“Kosova ka potencial institucional dhe intelektual të cilët mund të ofrojnë zgjidhje për situatat e krizave, ndërsa përmes zhvillimit të bashkëpunimit dhe integrimit ajo do të rrit kapacitetet e veta”, u shpreh Gashi.

Përfaqësuesja e ICITAP-it, Drita Pereziç duke folur për mbështetjen që ICITAP ua bënë institucioneve të Sigurisë Publike në Kosovës, përgëzoj Akademinë për organizimin e kësaj konference, njëherë ka premtuar mbështetje edhe më tutje.

Kurse profesor. Dr Xhon Fisher gjatë fjalimit të tij duke falënderuar Akademinë për mikpritje tha se Amerika ka një miqësi shumë të mirë me Kosovën dhe kjo miqësi do të vazhdojë edhe me tutje. Ai duke folur rreth çështjes së sigurisë tha se organizimi i konferencës është një hap i  vogël, por siç tha ia e ka një kuptim të madh për çështjen e sigurisë.

“Kosova është një shtet i ri dhe shtetet e reja gjithmonë kanë çështjen e sigurisë dhe kjo është shumë mirë që po diskutohet këtu. Kosova është e rrethuar më gjashtë vendet  dhe siguria e saj është shumë e rëndësishme për vendet e regjionit, jo vetëm për vend ndodhjen e saj, po ka një rëndësi të veçantë për popullatën shqiptare”, tha Fisher.

Profesor. Dr.  Jonuz Abdullai në Universitetin e Evropës Juglindore  në Tetovë u shpreh i lumtur për pjesëmarrjen në këtë konferencë.

“jam i lumtur që jam këtu sot që së bashku më juve të ndaj përvojat e mija. Erdhi koha që së bashku të kontribuojmë në ndërtimin e institucioneve shtetërore e në veçanti duke i shtuar vëmendje çështjes së sigurisë”, tha Prof.Dr. Abdullai.

Edhe përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë vlerësuan se Kosova si shtet i ri nuk mund të jetë pa sfida rreth çështjes se sigurisë. Ata vlerësuan së organizimi i konferencës me temën “Sfidat e sigurisë në Kosovë”, është një ngjarje e madhe dhe shumë e rëndësishme për vendin.

Gjatë konferencës u diskutuan temat si ”Kërcënimet Hibride Sfidë Globale e Kohërave Moderne”,nga prof.Dr. Bejtush Gashi dhe  Mr.Sc.Ejup Maqedonci, “Kriza politike në Maqedoni dhe ndikimi i saj në sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, prof. dr. Jonuz Abdullai –Uejl dhe Hasan Asani,  prof. dr. John R. Ficher dhe Muhaedin Bela  “A Policy Analysis Frameëork to Study the Impacts of the Migrant Problem in the Balkans, the European Union, and the United States” etj.



 

Ftesë për pjesëmarrje në konferencën shkencore “Sfidat e Sigurisë në Kosovë”

Vushtrri, 26 maj 2017 -  Ju njoftojmë se në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), me datën 29 maj 2017 në ora 10:00,  mbahet konferenca e parë shkencore me temën “Sfidat e Sigurisë në Kosovë

Në këtë konferencë do të marrin pjesë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë të fushës së sigurisë.

Të interesuarit agjendën mund ta gjejnë këtu: Agjenda

Përfundoi trajnimi Shkolla e Stafit Policor dhe Komandës

Vushtrri, 18 maj 2017 –  Pas një trajnimi dhjet javor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, përfundoi trajnimi Shkolla e Stafit Policor dhe Komandës.

 
Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë  Ambasadori i Ambasadës Amerikane në Prishtinë Greg Delawie , zv/ministri i Punëve të Brendshme Valdet Hoxha, Drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së Ismail Smakiqi, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Bahri Berisha, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës Naim Rexha, drejtori i Qendrës për Siguri Publike i Universitetit Northwestern David Bradford, menaxheri i Programit ICITAP për Kosovë Bill Bochter  si dhe përfaqësues të Universitetit “Northwestern”.
 

Në këtë trajnim kanë marr pjesë 39 pjesëmarrës nga Policia e Kosovës, Akademia e Kosovës për Siguri Publike, Forca e Sigurisë së Kosovës, Inspektorati Policor si dhe Dogana e Kosovës.


Nga të pranishmit ky trajnim u vlerësua lartë në ngritjen e nivelit profesional dhe përfitimit të njohurive të shkëlqyera nga fusha e sigurisë publike. Ky trajnim është organizuar nga ICITAP-i, ndërsa ligjërues në këtë trajnim ishin profesor nga Universiteti Northwestern.
 

Në fund u shpërndan certifikata dhe mirënjohje për pjesëmarrësit e trajnimit, ku njëherit  Drejtorit të Departamentit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme  pranë Akademisë z. Rrahim Rexha iu nda çmimi për suksesin, besueshmërinë në pozitën e lidershipit  në zbatimin e ligjit.
 

Akademia edhe kësaj here ka qen nikoqire e mbajtjes së trajnimit Shkolla e Stafit Policor dhe Komandës.




 

Ekipi i Ekspertëve Verësues vizituan Akademinë e Kosovës për Siguri Publike

Vushtrri, 12 maj 2017 –  Ekipi i Ekspertëve Vlerësues të caktuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditimi (AKK), sot qëndruan në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), me qëllim të mbledhjes së informacioneve në teren për Ri-akreditimin e Programit Studimor Bacheror të Sigurisë Publike dhe Akreditimin Institucional të Akademisë


Ekipi i Ekspertëve ishte në përbërje të, Prof. Dr. Reinhard Meyers, Universiteti i Muensternit (DE), Prof. Dr. Hans-Joachim Giessmann, Universiteti i Hamburgut (DE) dhe Ms. Rebecca Maxwell Stuart, Unioni i Studentëve të Evropës, si dhe Fisnik Gashi, zyrtar për Vlerësim dhe Monitorim nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.


Agjenda e ekipit të ekspertëve ka përfshi takime me  menaxhmentin e AKSP-së me temat; deklarata e misionit, organizimi dhe menaxhimi, personeli, financa, plani zhvillimor, menaxhimi i cilësisë, ndërkombëtarizimi;

Takim me personat përgjegjës për programin studimor me temat; kurrikula, mësimdhënia, hulumtimi dhe rekomandimet; takimi me stafin akademik dhe takimi me studentët.

Ekipi i ekspertëve në kuadër të akreditimit të institucionit vizitoi edhe  hapësirat e AKSP-së.


 

Një delegacion nga Universiteti “James Medison” vizitoj Akademinë

Vushtrri, 9 Maj 2017 – Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) Ismail Smakiqi,  priti sot një delegacion nga Universiteti “James Medison” i Virgjinias, të kryesuar nga Michael Stoloff i cili është dekan dhe profesor në  këtë universitet.

Delegacioni ishte i përbërë edhe  nga  Joanne Brewster, profesoreshë në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin “James Madison”, Drita Kadriu, drejtoreshë e Departamentit të Arsimit të Lartë në Ministrinë e Arsimit në Kosovë, Myrvete Badivuku, Prorektore për Buxhet dhe Financa në Universitetin “Hasan Prishtina”, si dhe ish ministri Ahmet Shala.

Gjatë këtij takimi ku u bisedua për zhvillimet në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, drejtori Smakiqi e njoftoi delegacionin  për  gjitha aktivitet, trajnimet dhe projektet që janë realizuar si dhe për ecurinë e Fakultetit të Sigurisë Publike.

Po ashtu  delegacioni në fjalë u njoftua edhe për mobilitetin e studentëve dhe profesorëve  të Fakultetit të Sigurisë  Publike dhe për bashkëpunimin e tyre që kanë me fakultetet e  tjera brenda dhe jashtë vendit.

Më këtë rast drejtori Smakiqi u shpreh i gatshëm për një bashkëpunim mes Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe Universietit “James Medison” .

Ndërsa, përfaqësuesi i Universitetit “James Madison”,  Michael Stoloff  duke falënderuar drejtorin Smakiqi për pritjen  shprehi  gatishmërinë e tij  për ofrimin e bashkëpunimit dhe përkrahjen në arsimin e lartë.

Edhe drejtoresha Drita Kadriu dhe ish ministri Ahmet Shala  shpreh gatishmërinë e tyre për të lehtësuar dhe përkrahur bashkëpunimin  ndërmjet AKSP-së dhe Universiteti “James Medison”.
 

Studentët e Universitetit “Haxhi Zeka” vizituan Akademinë

Vushtrri, 08 maj 2017 – Akademinë e Kosovës për Siguri Publike sot e  vizituan studentët e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë të shoqëruar nga profesor Agron Hasanaj të cilët u priten nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë  z.Ismail Smakiqi.

Qëllimi  i vizitës  ishte që studentët  të njihen më për se afërmi me planë programin që zhvillohet në Fakultetin e Sigurisë Publike.

Drejtori  i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për  Siguri  Publike (AKSP), z. Ismail Smakiqi i njoftoi studentët për misionin e Akademisë,  historikun e saj dhe për trajnimet që zhvillohen në Akademi.

Drejtori  z.Smakiqi para të pranishmeve shpalosi të arriturat e Akademisë, bashkëpunimin ndërkombëtarë,  ngritjen profesionale të zyrtarëve të sigurisë, trajnimet, shkollimin dhe për prioritet e Akademisë në të ardhmen.

Ndërsa profesor Agron Hasanaj duke  falënderuar  drejtorin z.Smakiqi për mikpritjen  tha se Akademia e Kosovës për Siguri Publike është njëri nderë institucionet me të rëndësishme në vend. 
 
“Studentët shprehen dëshirën që ta vizitojnë Akademinë  të njoftohen më aktivitetet  që zhvillohen këtu si dhe të  njoftohen me planë programin e  Fakultetin të Sigurisë Publike”, tha z.Hasanaj. 

Gjatë kësaj vizite  studentët shpreh interesimin e tyre rreth trajnimeve dhe arsimimit të pjesëtareve të sigurisë publike në Akademi.


Po ashtu studentët  vizituan edhe infrastrukturën  e Akademisë, të cilët u mirëpritën edhe nga pjesa tjetër e stafit profesional, të cilët ofruan njohuri praktike mbi shërbimet profesionale që i ofron  AKSP.
 
 

Zëvendësja e Avokatit të Popullit znj. Mala vizitoi Akademinë

Vushtrri, 2 maj 2017 – Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri  Publike z.Ismail Smakiqi priti në takim zëvendësen e Institucionit të Avokatit të Popullit znj. Shqipe Mala e cila ishte e shoqëruar nga  këshilltari ligjor z. Arbër Berisha.


Qëllimi i kësaj vizite ishte diskutimi rreth mundësive të bashkëpunimit  në mes të dy institucioneve në të ardhmen si dhe  njohja për së afërmi me zhvillimet në Akademi.

 

Gjatë takimit, drejtori z.Smakiqi i njoftoi përfaqësuesit e Institucionit të Avoaktit të Popullit  për veprimtarinë dhe zhvillimet e fundit në Akademi, siç janë trajnimet dhe aktivitet tjera që kanë të bëjnë me fushën e sigurisë përfshirë të gjitha periudhat që nga themelimi e deri më sot.

Me theks të veçantë, në këtë takim u diskutua për edukimin e kadetëve dhe studentëve në Akademi, lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut, të garantuara me kushtetutën e vendit, si dhe me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare, të zbatuara në Republikën e Kosovës.

Të dyja palët u pajtuan që të angazhohen në intensifikimin e bashkëpunimit në mes këtyre dy institucioneve, në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, zbatimit të ligjshmërisë dhe fuqizimit të sundimit të ligjit në vendin tonë.

 

Një delegacion nga Qendra e Ekselencës së Stabilitetit të Policimit të NATO-së vizitoi Akademinë

Vushtrri, 27 prill 2017 -  Drejtori  i  Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP),  z.Ismail Smakiqi, priti sot në takim një delegacion nga Qendra e Ekselencës së Stabilitetit të Policimit të NATO-së në Kosovë i kryesuar nga  Emmanuele Pesce dhe Liviu SIIA.

Në këtë takim morën pjesë edhe Driton Zabërxha nënkolonel në Policinë e Kosovës si dhe menaxhmenti i lartë i Akademisë.

Drejtori i Akademisë, Ismail Smakiqi njoftoi delegacionin në fjalë për historiku, misionin dhe vizionin e  Akademisë.
Po ashtu delegacioni në fjalë u njoftuan edhe për  të arriturat e përgjithshme të Akademisë, shkollimin në Fakultetin e Sigurisë Publike, bashkëpunimin ndërkombëtar  si dhe për  bashkëpunimin me KFOR-in që ka Akademia. Drejtori Smakiqi foli  edhe për procese të rëndësishme të cilat ka kaluar AKSP-ja që nga themelimi e deri më tani.


Gjatë takimit  nga menaxhmenti i lartë i Akademisë,  konkretisht Departamenti i Trajnimeve dhe Përkrahjes Programore  u prezantua  planë programi mësimore si dhe trajnimet që mbahen në Akademi.

Kurse, nënkolonel Driton Zabërxha e njoftoi delegacionin në fjalë për procesin e trajnimit bazik  të Policisë së Kosovës , trajnimet e specializuar, të avancuara, si dhe për mënyrën e gradimit.

Ndërsa, në fund delegacioni parashtruan pyetje për shumë çështje  që lidhen me trajnimet  e pjesëtarëve të sigurisë publike, në fokus u interesuan për trajnimet e policisë.

Në fund delegacioni vizituan objektet  përcjellëset  të Akademisë, si sallat e sportit, poligonet e gjuajtjes më armë zjarri, klasat mësimore ku nga instruktorët u informuan më gjerësisht më trajnimet  praktike për pjesëtarët e sigurisë.
 
Në këtë takim u prezantua edhe filmi dokumentar  për jetën e kadetit në Akademi.

 

Profesorët dhe studentët e Kolegjit “Gjilani” vizituan Akademinë

Vushtrri, 26 prill 2017 – Profesorët  dhe studentët e Kolegjit “Gjilani” sot vizituan Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, të cilët u pritën nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, z.Ismail Smakiqi, Dekani i Fakultetit të Sigurisë z.Bejtush Gashi si dhe menaxhmenti i lartë. 


Qëllimi i vizitës  ishte që studentët  të njihen më për se afërmi me misionin, vizionin e Akademisë si dhe me planë programin që zhvillohet në Fakultetin e Sigurisë Publike. 


Drejtori  i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), z. Ismail Smakiqi fillimisht përshëndeti  të pranishmit e me pas i njoftoi për historikun, trajnimet dhe gjitha aktivitetet që zhvillohen në Akademi. 


Drejtori  z.Smakiqi para të pranishmeve shpalosi të arriturat e Akademisë, bashkëpunimin ndërkombëtarë,  ngritjen profesionale të zyrtarëve të sigurisë, trajnimet, shkollimin dhe për prioritet e Akademisë në të ardhmen. 


Ndërsa z.Reshat Maliqi kolonel në Policinë e Kosovës, njëherit  ligjërues në Kolegjin “Gjilani” duke falënderuar drejtorin z.Smakiqi për mikpritjen  tha se Akademia e Kosovës për Siguri Publike  mund të konsiderohet si krenaria e vendit, për shkak se siç tha ai nga ky institucion kanë dalur dhe vazhdon dalin pjesëtarë që iu mundësojnë qytetarëve të Kosovës siguri.  


“Në kemi shprehur dëshirën që ta vizitojmë Akademinë dhe studentët të njoftohen më për se afërmi  me misionin dhe vizionin e  Akademisë, të njoftohen me planë programin  që zhvillohet në Fakultetin e Sigurisë Publike”, tha z.Maliqi. 


Ndërsa  Dekani i  Fakultetit të Sigurisë Publike z.Bejtush  Gashi  i njoftoi studentët për planë programin e Fakultetit të Sigurisë. 

“Fakultetit aktualisht funksionon me katër drejtime dhe  ky arsimim përmbush kërkesat e sektorit të sigurisë që në të ardhmen parashikojmë që këtu ta kem edhe ushtrinë përkatësisht Forcën e Sigurisë së Kosovës,  për faktin se në çdo krizë dhe situatë zbatuesit e ligjit  janë përgjegjës për të reaguar karshi një situatë e cila krijohet”,  u shpreh z.Gashi duke thënë se Fakultetit i Sigurisë Publike pritet që shumë shpejtë të ofroj edhe studime mastër. 


Kurse prof. dr. Besim Halimi tha se puna dhe profesionalizimi i Akademisë është duke u vërejtur në terën, për shkak se zyrtarët e sigurisë publike, konkretisht Policia e Kosovës janë duke e kryer punën e tyre në mënyrë më profesionale. 


“Këtë e kanë vërtetuar edhe sondazhet vendore dhe ndërkombëtare ku renditin Policinë e Kosovës si njëri ndër institucionet më të besueshme në vend”, tha Halimi. 


Gjatë kësaj vizite  studentët shpreh interesimin e tyre rreth trajnimeve dhe arsimimit të pjesëtareve të sigurisë publike në Akademi. Studentët u ndanë të kënaqur me vizitën si dhe vlerësuan lartë punën të cilën e bënë Akademia në trajnimin e pjesëtarëve të sigurisë publike.

Përveç tjerash studentët  vizituan edhe infrastrukturën  e Akademisë, të cilët u mirëpritën edhe nga pjesa tjetër e stafit profesional, të cilët ofruan njohuri praktike mbi shërbimet profesionale që i ofron  AKSP.

 


 

Përfundoi trajnim për “Kërkim dhe shpëtim”

Vushtrri,  25 prill 2017 -  Sot në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP),  përfundoi trajnimin për  “Kërkim dhe Shpëtim”,  i përkrahur nga Ambasada Amerikane në Kosovë, qëllimi i  të cilit ishte  aftësimi i zyrtarëve lidhur me operacionet për mbështetje humanitare në raste të krizave.

Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë, Drejtori i Përgjithshëm  i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike z.Ismail Smakiqi, Drejtori i Departamentit për Burime Njerëzore në Policinë e Kosovës z.Agron Rukiqi,  Drejtori i Drejtorisë së Trajnimeve të Specializuar dhe të Avancuara në Policinë e Kosovës, z.Akrem Rraci, Kolonel i Forvace të Sigurisë së Kosovës Shaip Hazir, si dhe zyrtar të institucioneve të sigurisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi duke përshëndetur të pranishmit vlerësoi se trajnimet e tilla janë  shumë të rëndësishme për zyrtarë të cilën punojnë në institucione të sigurisë.
 Drejtori Smakiqi gjithashtu falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në  theks të veçantë  Ambasadën Amerikanë dhe ICITAP-in për përkrahje që kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin Akademisë.

Ndërsa Shaip Haziri, kolonel nga  Forca e Sigurisë së Kosovës, tha se trajnimi për “Kërkim dhe shpëtim” , është i veçantë për pjesëtarët e FSK-së,  duke   fuqizuar  njohurit e tyre  që në rast të nevojave të jenë të gatshëm për të ofruar ndihmë për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Edhe, z.Agron Rukiqi  Drejtor i Departamentit për Burime Njerëzore në Policinë e Kosovës  duke përshëndetur të pranishmit, tha se trajnimet gjithëherë janë të mirëseardhur për Policinë e Kosovës.

Rukiqi duke e vlerësuar këtë trajnim si shumë të rëndësishëm falënderoi Ambasadën Amerikane në Kosovë për përkrahje, dhe me këtë rast shfaqi shpresën se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ndryshe trajnimi ka zgjatur  një javë ku kanë marrë pjesë tridhjetë zyrtarë të sigurisë publike nga Policia e Kosovës (PK), Agjencioni i Menaxhimit të Emergjencave (AME) si dhe nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

 

Prof.dr. Jon Fisher mbajti ligjëratë para studentëve të Fakultetit të Sigurisë

Vushtrri, 24 prill 2017- Sot në Fakultetin e Sigurisë pranë Akademisë së Kosovës për Siguri Publike para menagjemntit të lartë të Akademisë, stafit akademikë  dhe studentëve mbajti ligjëratë  prof.dr. Jon Fisher nga Universiteti Utah Valley i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Me këtë rast Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi  falënderoi prof.dr. Jon Fisher për prezencën në Akademi si dhe mundësin që para studentëve të mbaj ligjëratë me tema të cilat janë më rëndësi  dhe interes për studentët e Fakultetit të Sigurisë.

Tema që u ligjërua nga Prof.dr Jon Fisher para studentëve ishte terrorizimi, në fokus të veçantë terrorizmi i aviacionit.

Në këtë ligjëratë para të pranishmëve ai  foli edhe për përvojat dhe sfidat të cilat ka kaluar duke dhënë kontribut në institucione të sigurisë.

Studentët e Fakultetit të Sigurisë patën rastin që të parashtrojnë pyetje dhe të  bashkëbisedojnë  me prof..dr. Jon Fisher  lidhur me çështjet  e sigurisë ku njëherit edhe studiojnë në këtë fushë.

Prof.dr. Jon Fisher është profesor i asociuar në Shërbimet e Emergjencave në Universitetin Utah Valley dhe drejtor i Institutit të Shërbimeve të Emergjencave dhe të Sigurisë së Atdheut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 

Në Akademi filloi trajnimi për “Kërkim dhe Shpëtim”

Vushtrri, 20 prill 2017- Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike filloi trajnimi për  “Kërkim dhe Shpëtim” i përkrahur nga Ambasada Amerikiane në Prishtinë.

Pjesëmarrës në këtë trajnim janë tridhjetë  zyrtarë të sigurisë publike ku janë të përfshirë, Policia e Kosovës, Agjencioni për Menagjim Emergjent si dhe pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Qëllimi i këtij trajnimi është aftësimi i zyrtarëve lidhur me operacionet për mbështetje humanitare në raste të krizave.