Akademia e Kosovës për Siguri Publike nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e Sigurisë Publike të Shqipërisë
Vushtrri, 25 prill 2019 – Sot u nënshkrua vazhdimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) dhe Akademisë për Siguri Publike të Shqipërisë (ASPSH). Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në ambientin e AKSP-së nga Drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së Ismail Smakiqi dhe Drejtori i Përgjithshëm i ASPSH-së Bilbil Mema.
Gjatë nënshkrimit u tha se qëllimi i marrëveshjes është përcaktimi i bashkëpunimit reciprok në mes të dy institucioneve për të përkrahur objektivat strategjike në fushat e trajnimit, studimit, hulumtimit dhe zhvillimit si dhe në marrëdhëniet me publikun.
Për nderë të delegacionin nga Shqipërisë fillimisht u organizua parada e mëngjesit së gjeneratës së 54 të kadetëve të Policisë së Kosovës. Delegacioni ishte i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë Publike Bilbil Mema i shoqëruar nga Gentian Shehaj, Drejtor i Drejtorisë së Planizimit dhe Kontrollit, Ilirjan Mandro Dekan i Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit dhe Ahmet Matoshi Shef i Burimeve Njerëzore.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi falënderoi Shqipërinë dhe drejtorin Mema për gatishmërinë e tyre për bashkëpunim.
Smakiqi duke folur rreth bashkëpunimit që ka AKSP më Akademitë e shumta në rajon, Evropë dhe më gjerë tha se Akademia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë një bashkëpunim të ngushtë duke shkëmbyer përvoja të shumta në fushën e sigurisë publike.
Drejtori Smakiqi duke folur para kadetëve tha se Akademia gjatë vitit që e lamë pas ka shënuar suksese të mëdha.
“Viti 2018 për Akademinë e Kosovë për Siguri Publike ishte vit i shkëlqyeshëm, pas një procesi të gjatë të vlerësimeve nga ekipet e ekspertëve të agjencive kombëtare dhe ndërkombëtare, Akademia e Kosovës fitoi akreditimin kombëtare, Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve dhe Akreditim Ndërkombëtar nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimeve të Zbatimit të Ligjit ‘IADlEST’ të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Smakiqi duke e njoftuar delegacionin se programi studimor bachellor i sigurisë publike është akredituar në vitin 2014 dhe u ri akreditua në vitin 2017 nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës.
“Në prill të vitit të kaluar Autoriteti Kombëtarë i Kualifikimeve ka akredituar Akademinë dhe ka validuar programet profesionale, polici i ri, inspektor i IPK-së, zyrtar doganor, zyrtar korrektues dhe zyrtar sprovues”, tha Smakiqi i cili foli edhe për akreditimin ndërkombëtar të Akademisë nga IADLEST-i i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa duke folur për trajnimet e shumta që po mbahen në Akademi Smakiqi njoftoi delegacionin në fjalë se në Akademi aktualisht janë duke vijuar trajnimin bazik 418 kadetë të Policisë së Kosovës, 120 kadetë të Shërbimit Korrektues si dhe 16 kadetë të Inspektoratit Policor të Kosovës.
Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë së Shqipërisë Bilbil Mema përgëzoj drejtorin Smakiqi për punën rreth zhvillimit të Akademisë.
Mema duke folur për bashkëpunimin që kanë të dyja vendet tha se Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka shënuar ndryshime të mëdha pozitive.
Ai vlerësoi se bashkëpunimi është një frytë i rezultateve të mira për të dy institucionet.
“Bashkëpunimi ka qenë në nivel të larta, do të propozoja që në kuadër të këtij bashkëpunimi të kemi bashkëpunimin në nivelin e kursantëve, kadetëve, studentëve drejtpërdrejtë, pasi që duhet të njihemi sa më afër më kërkesa, nevojat të mënyrës se si qasen studimet tek ju dhe tek ne. Kjo është e mirë që të bëhet përmes një program ndoshta dhjetë ditë dhe programi të mos jetë spontanë, por të jetë si një matricë bashkëpunimi, pasi që ne duhet ta bëjmë motiv studimi”, u shpreh Mema duke thënë se bashkëpunimi duhet të jetë shumë i hapur që ta ndihmojmë njëri tjetëri edhe në pamjen e qasjeve të ndryshme, qasjes akademike që bënë Akademia e Kosovës për Siguri Publike. Drejtori Mema u shpreh i gatshëm edhe për bashkëpunimi në shkëmbimin e përvojave mes pedagogëve të të dy akademive.
Drejtori Mema vlerësoj lartë të arriturat e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike. “Më vjen mirë që ju keni bërë ndryshime pozitive dhe ne jemi të gatshëm që të vijmë këtu dhe të mësojmë nga ju sepse ka shumë gjëra që keni ma pozitive se sa ne”, tha Mema. Ndryshe Mema u shpreh i gatshëm për bashkëpunimin me AKSP-në.
Ndërsa Dekani i Fakultetit të Siguri Publike në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike Bejtush Gashi vlerësoj lartë nënshkrimin e marrëveshjes mes AKSP-së dhe ASPSH-së. Ai falënderoi delegacionin në fjalë për bashkëpunim e ndërsjellët në shkëmbimin e përvojave mes studentëve dhe pedagogëve të të dy institucioneve.
Ndërkaq përfaqësuesi i Policisë së Kosovës në AKSP Agron Rrukiqi falënderoi Shqipërinë për përkrahje, ndërsa vlerësoj se nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimin mes dy institucioneve është shumë i rëndësishëm për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.
Ndryshe në marrëveshje thuhet se institucionet deklarojnë përkrahjen e tyre për përftime të përbashkëta dhe gatishmërinë e tyre për të kontribuar në rritjen e ligjeve kulturore , arsimore hulumtuese dhe zhvillimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë; Zhvillimin dhe bashkërendimin e arsimit në tri nivele – arsimin profesional, arsimin e vazhdueshëm profesional dhe arsimin e lartë; Lidhjen e hulumtimit siç është shkëmbimi e informatave dhe rezultateve, vizitat e personelit hulumtues dhe ofertat për financim të hulumtimit nga Bashkimi Evropian dhe agjencitë tjera ndërkombëtare në fushat e policimit, sigurisë së brendshme dhe zbatimit të ligjit; Shkëmbimi dhe vizitat e personave për këshilla dhe bashkërendim të standardeve, kurseve dhe zhvillim të kurrikulës dhe çështje të tjera arsimore dhe pedagogjike. Përkrahjen e mentorimit, këshillimit dhe trajnimit për personelin akademik, profesional dhe administrativ.
Këmbimin e programeve të trajnimeve dhe programeve studimore në fushën e sigurisë publike; Bashkëpunimi në zhvillimin e didaktikës dhe metodologjisë pedagogjike në fushat ekzistuese dhe të reja të sigurisë së brendshme në të gjithë nivelet e arsimit; Bashkëpunimi dhe këshillimi në zbatimin e platformave të reja elektronike për të përkrahur proceset e mësimit dhe trajnimit, duke përfshirë zgjedhjet e mësimit elektronik dhe teknologjitë inovative të të mësuarit.
Këshillimi, përkrahja dhe trajnimi në arsimin e vazhdueshëm profesional brenda fushës së sigurisë së brendshme, përfshirë përgatitjen e instruktorëve dhe materialeve të trajnimit, bashkëpunimit rreth hulumtimit dhe zhvillimit, shkëmbimi akademik ndërmjet dy institucioneve do të inkurajohet brenda kornizës së marrëveshjes së përgjithshme dhe do të përdoret për hulumtim të mëtejmë dhe zhvillim të trajnimeve dhe studimeve në fushat e definuara të interesit të përbashkët etj.