Lajmet

Lajmet

Bordi i Akademisë mbajti takimin e radhës

Vushtrri,  18 qershor 2014 – Bordi i Akademisë së Kosovës për Siguri (AKSP), mbajti sot takimi e shtatë të radhës  në të cilin morën pjesë, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, i cili njëherit është kryesues i bordit,  përfaqësues të agjencioneve tjera të sigurisë publike si dhe bashkëpunëtor ndërkombëtarë nga OSBE-ja dhe ICITAP-i.
Gjatë këtij takimi u shqyrtuan pikat të cilat ishin në rënd dite si raportimi mbi zhvillimin e procesit të akreditimit të Akademisë; plani për mundësinë e barabartë si dhe përcaktimi rreth mënyrës së kryerjes së studimeve të zyrtarëve të institucioneve për siguri publike.
Në takim drejtori i Akademisë, Ismail Smakiqi ka raportuar për procesin e akreditimit. Duke analizuar kushtet që ka Akademia si dhe ofrimin e trajnimeve që bëhet sipas standardeve evropiane drejtori Smakiqi u shpreh se procesi i akreditimit do të përfundojë më sukses. Smakiqi po ashtu foli edhe për hapat e mëtutjeshëm pas akreditimit.
Ndërsa duke folur rreth planit të mundësive të barabarta drejtori Smakiqi, tha se krijimi i mundësive të barabarta duhet të jetë në të gjitha fushat e jetës
Shoqërore, po ashtu edhe në institucionet e sigurisë publike.
Ndërsa kryesuesi i Bordit të Akademisë, Shpend Maxhuni, përgëzoj stafin për punën e bërë rreth akreditimit.
Sa i përket barazisë Maxhuni tha se të gjitha institucionet kanë arritur që të krijojnë mundësi të barabarta. “Unë propozoj që barazia të shkoj pesëdhjetë me pesëdhjetë, aty ka  mundësi”, tha Mazhuni.
Po ashtu gjatë takimit u vendos për mënyrën e vijimit të pjesës teorike dhe praktike të mësimit për zyrtarët e institucioneve të sigurisë publike të cilët do të vijojnë studimet në programin bachelor në fushën e sigurisë publike në Akademi.

 

Në Akademi u mbajt mini-olimpiada për persona me aftësi të kufizuara

Vushtrri, 16 qershor 2014 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), për dy ditë radhazi u mbajt mini-olimpiada tradicionale për persona me aftësi të kufizuara “Kosova 2014”, ku morën pjesë më shumë se 400 të rinj. Në hapjen e mini-olimpiadës morën pjesë drejtori për Trajnime dhe Përkrahje Programore, Kastriot Jashari, presidentja e komitetit para olimpik Njomza Emini, nënkolonel Driton Zabërgja, si dhe përfaqësuese nga OSEBE-ja e  KFOR-i
 Drejtori për Trajnime dhe Përkrahje Programore, Kastriot Jashari, vlerësoi se mini-olimpiada është një nga aktivitetet më të rëndësishme që  zhvillohen në Akademi.
Ai tha se Akademia është e gatshme çdo herë të përkrah dhe të ndihmojë çdo qytetarë të Republikës së Kosovës. “Vetë organizimi i mini-olimpiadës tregon rëndësinë e përfshirjes dhe ofrimit të mundësive të barabarta për secilin anëtarë të shoqërisë sonë”, tha Jashari.
Ndërsa presidentja e komitetit paraolimpik Njomza Emini tha se nëpërmjet organizimit të kësaj mini-olimpiade me karakter tradicional dërgojmë mesazhin e qartë institucioneve ndërkombëtare sportive se në Kosovë ka të rinj dhe të reja të komunitetit me nevoja të veçanta, që i përkasin komunitetit sportiv mbarë botërorë, dhe që zyrtarisht duan të bëhen pjesë e të gjithë sportistëve të botës për të kontribuar në ndërtimin e një bote më të mirë të një bote më paqësorë.
“Ndjej peshën, privilegjin dhe përgjegjësin që në një moment si ky të shumëpritur dhe të veçantë për secilin prej nesh, të përjetojmë krenarin, mirësinë dhe ngazëllimin që na e fal organizimi i mini-olimpiadës për fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara”, tha Emini.
Në Akademi gjatë dy ditëve radhazi sa edhe ka zgjatur mini-olimpiada, nga personat me aftësi të kufizuara janë zhvilluar aktivitete të ndryshme sportive si vrapim me karrocë, basketboll, hendboll, pikado shenjëtari etj.
Mini-olimpiada “Kosova 2014” është organizuar nga Komiteti Para-Olimpik i Kosovës dhe OPFAKOS “Prindi e Fëmiu”, dhe është përkrahur nga OSBE-ja dhe Akademia.
Ky komitet bashkë me institucione të tjera organizon për të dymbëdhjetën herë me radhë mini-olimpiadën, e cila tashmë është bërë tradicionale dhe mbahet çdo vit.

Projekti i Binjakëzimit përmbyllet më sukses

Vushtrri, 11 qershor 2014 – Në Akademinë  e  Kosovës  për  Siguri  Publike  sot u mbajt takimi përmbyllës i  Projektit  të Binjakëzimit  i  cili  ka  filluar  në mars të vitit  2012 . Qëllimi i tij  ka qenë përmirësimi i arsimit në sektorin e rendit dhe sigurisë publike. Gjatë takimit u vlerësua se projekti po përfundon me sukses  dhe se gjatë realizimit të tij ka pasur shumë të arritura.  Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi vlerësoj se projekti në fjalë ka ndihmuar në ngritjen e profesionalizmit si dhe ka ndikuar në zhvillimin e kapaciteteve të institucioneve të Sigurisë Publike. “Vlerësoj lartë  kontributin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë  e  cila në aspektin financiar  menaxherial dhe në shumë aspekte të tjera bëri të mundur që projekti të realizohet më sukses”, tha Smakiqi.  Drejtori i Akademisë, Ismail Smakiqi, tha se projekti do të ketë rëndësi domethënëse për Akademinë dhe Republikën  e Kosovës.  “Projekti do të përmirësojë kapacitetet e institucioneve të zbatimit të ligjit përmes shërbimeve të trajnimit dhe arsimimit që i plotësojnë standardet evropiane në fushën e rendit dhe sigurisë publike”, u shpreh Smakiqi.
Kurse zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, tha projekti kishte në fokus profesionalizmin e arsimit të lartë për gjithë pjesëtarët e sigurisë publike në vend. “Krijimi i programeve të studimit  bachelor  i  cili do të bazohet në standardet dhe përvojat më të mira evropiane, natyrisht që do të kontribuojnë në  ngritjen e nivelit të profesionalizmit në të gjitha institucionet e përfshira në sundimin e ligjit”, tha Zeka.
Ndërkaq  zëvendës kryesuesi  i seksionit të  bashkëpunimit nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Melvin Asin, duke e vlerësuar  procesin e përmbylljes se projektit të binjakëzimit si mjaftë të suksesshëm tha se rendi dhe siguria publike duhet të shihet në mënyrë gjithëpërfshirëse. Asin u shpreh se projekti në fjalë është mjaftë special për  Kosovën, konkretisht për Akademinë.  Duke vlerësuar se ky projekt ka arritur qëllimin e tij, Asin vlerësoj se pranimi i stafit akademik  ka krijuar qëndrueshmëri në përmirësimin e arsimit në fushën e sigurisë. 
Kurse, sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Finlandë Andrei Nahkala,  tha se Kosova ka zgjedhur mënyrën evropiane për ta përmirësuar arsimin e lartë në fushën e sigurisë në vend. “Proces i projektit  ka krijuar bazën për arsimin e lartë për rendin dhe sigurinë publike”, tha Nahkla për të shtuar se Akademia tashmë ka krijuar lidhje bashkëpunimi me gjitha vendet evropiane.
Ndërsa udhëheqësi i projektit të binjakëzimit, Anti  Haikio, theksoi se sot është një ditë e veçante për Akademinë sepse pas një pune dy vjeçare  tani është arritur faza finale e implementimit të tij. Ai tha se ky projekt  është  mjaft me rëndësi për të gjitha agjencionet e sigurisë.  “Me hapjen e Fakultetit të Sigurisë përfitues janë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Haikio.
Të pranishëm  në ketë takim ishin edhe përfaqësuesit e  OSBE-së, të EULEX-it, ICITAP, si dhe zyrtarë të kyçur  drejtpërsëdrejti në Projektin Binjakëzimit.
 

Komiteti Drejtues i Projektit të Binjakëzimit mbajti takimin e tij të fundit

 

Vushtrri, 10 qershor 2014 -Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP),  u mbajt takimi  i tetë dhe i fundit i Komitetit Drejtues për Projektin e Binjakëzimit i financuar nga Komisionit Evropian.

Në takim morën pjesë  Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi, përfaqësues të Projektit të Binjakëzimit, përfaqësues të ministrive, përfaqësues të agjencioneve, përfaqësues të zyrës së Bashkimit Evropian në Republikën e  Kosovës, përfaqësues të OSBE-së, të EULEX-it, ICITAP, si dhe zyrtarë të kyçur drejtpërsëdrejti në Projektin Binjakëzimit.

Projekti i cili ka për qëllim përmirësimin e arsimit në sektorin e rendit dhe sigurisë publike, u vlerësua lartë nga ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. 
Ata thanë se projekti  është i një rëndësi tëveçantë , dhe vlerësuan se ky projekt ka krijuar njëbazë të forte për hapjen e Fakultetit të Sigurisë.

Drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së, Ismail Smakiqi, tha se Akademia ka qenë shumë e përkushtuar në partneritet të plotë me Qeverinë e Kosovës, Komisionin Evropian dhe me përfaqësuesit e projektit, që ky projekt të përfundojë me sukses. Ai vlerësoi se projekti është realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme. 

Studentët e Universitetit “Haxhi Zeka” vizituan AKSP-në

Vushtrri, 27 maj 2014 - Studentët e Fakultetit Juridik në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë sot vizituan Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), ku u priten nga Drejtori i Përgjithshëm, Ismail Smakiqi.  Vizita kishte për qëllim njohjen e studentëve me menaxhimin dhe aktivitetet e Akademisë, edukimin e pjesëtarëve të sigurisë publike,  si dhe mënyrën, metodat e mësimit si dhe trajnimit etj.
Dekani i Fakulteti Jurdik “Haxhi Zeka”, Kolë Krasniqi vlerësoi lart pritjen e bërë studentëve nga drejtori Smakiqi dhe menaxhmenti i lartë i AKSP-së.
Gjatë kësaj vizite Krasniqi dhe studentët shpreh interesimin e tyre për të gjitha zhvillimet në Akademi.

Ndërkaq drejtori i AKSP-së, Ismail Smakiq i informoi studentët lidhur me aktivitetet dhe trajnimet që zhvillohen në Akademi. Ai para studentëve foli edhe për prioritet dhe objektivat e Akademisë në të ardhmen. Studentët u ndanë të kënaqur me vizitën si dhe vlerësuan lartë punën të cilën e bënë Akademia në trajnimin e pjesëtarëve të sigurisë publike.

 

Ekspertët e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës vizituan AKSP-në

Vushtrri, 22 maj 2014 -  Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) sot qëndroi ekipi vlerësues nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës vizitë kjo e cila kishte për qëllim mbledhjen e informacioneve në teren për akreditimin e programit akademik në Fakultetin e Sigurisë Publike në AKSP. Ekspertët u takuan me Drejtorin e Përgjithshëm të Akademisë, Ismail Smakiqin si dhe me stafin akademik të Akademisë.

Vizita e faktmbledhëse të ekspertëve ishte e fokusuar në temat që kanë të bëjnë me: misionin, organizimi dhe menaxhmenti, personelin, financa, plani zhvillimor, menaxhimin e cilësisë, ndërkombëtarizimi, ndërsa në takim me personelin akademik ekspertët u fokusuan në temat kurrikulave, mësimdhënia dhe hulumtimi.

Gjatë kësaj vizite faktmbledhëse, ekspertët u njoftuan edhe me objektet përkrahëse të programit studimor duke përfshirë bibliotekën, sallën e mësimit, sallat ku do të zhvillohen studimet zyret e mësimdhënësve si dhe me gjithë infrastrukturën  që posedon Akademia.


Ndryshe Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), me datë 07.12.2012 i është drejtuar Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KKC) me kërkesë që Akademia ti nënshtrohet procesit të akreditimit. Me datë 7 dhjetor 2012, KKC në takimin e saj merr vendim dhe i kthen Akademisë përgjigje aprovuese të kërkesës saj për të ju nënshtruar vlerësimit vetëm në nivel të programit të studimit.

Në ekipin faktmbledhës të ekspertëve të akreditimit të pranishëm ishin prof. dr. Reinhard Meyers nga University of Muenster (DE) dhe prof. dr. Thomas Feltes nga Ruhr-University Bochum (DE)

Ekipin e ekspertëve ishte i shoqëruar nga Basria Muja drejtor në Agjencinë e Akreditimit të Kosovës.

Smakiqi priti në takim një delegacion nga Iraku

Vushtrri, 13 maj 2014 - Akademinë e Kosovës për Siguri Publike sot e vizitoi një delegacion nga Iraku të cilët u priten nga drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi.
Qëllimi i kësaj vizite ishte informimi më për së afërmi me funksionimin e Akademisë si dhe shkëmbimin e përvojave në ngritjen e institucioneve të sigurisë.
Drejtori Smakiqi e informoi delegacionin lidhur me trajnimet, aktivitetet, misionin dhe vizionin e Akademisë. Ai  foli  edhe për procese të rëndësishme të cilat ka kaluar Akademia nga themelimi e deri më tani, si dhe për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë partneret ndërkombëtar në themelimin e këtij institucioni.
Smakiqi tha se Akademia me punën dhe trajnimin e pjesëtarëve të sigurisë publike të të gjitha agjencioneve në vend duke i përfshirë të gjitha komunitetet është shembull i tolerancës ndëretnike si dhe i respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. 
Drejtori Smakiqi i informoi delegacionin edhe për projektin e binjakëzimit që ka për qëllim themelimin e programit studimor të arsimit të lartë.
Ndërsa Gjeneral Khaled Mehanna  u shpreh i kënaqur me vizitën. Ai  shfaqi shpresën se vizita e tyre në Kosovës do tua mundësoj që në një të ardhme të afërt do të hapën rrugët për bashkëpunim mes policisë së Kosovës dhe asaj të Irakut.
”Qëllimi i  vizitës në Kosovë, konkretisht në institucionet e  sigurisë publike është që të marrim dhe mësojmë nga përvojat e juaja”, tha Mehanna.

 

Profesorët e universiteti “Utah Valley” vizituan Akademinë

Vushtrri, 7 maj 2014 - Drejtori i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Ismail Smakiqi priti sot në takim një delegacion të universiteti “Utah Valley” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vizita e delegacionit të kryesuar nga profesor John Fisher, kishte për qëllim që të njihen me procesin e arsimimit si dhe shkëmbimin e përvojave mes universitetit “Utah Valley” dhe AKSP-së. 
Drejtori Smakiqi  informoi delegacionin për historikun e Akademisë, për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon institucioni ynë.
Smakiqi gjatë këtij takimi falënderoi SHBA-në për ndihmën e vazhdueshme që po i bënë Kosovës dhe vlerësoi lartë kontributin e tyre që kanë dhënë në ndërtimin dhe ngritjen e institucioneve të sigurisë e në veçanti për Akademinë.
“Bashkëpunimi dhe ndihma e  SHBA-ve është e nevojshme për vendin tonë”, tha Smakiqi duke shtuar se bashkëpunim me SHBA-të do të vazhdojë edhe me tutje.

Ndërkaq delegacioni në fjalën kanë shprehur interesimin e tyre për zhvillimin e trajnimeve në AKSP. Njëkohësisht ata shprehen gatishmërinë e tyre për bashkëpunim.
 

Tabur vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike

Vushtrri 28 prill 2014  - Një delegacion i lartë i Akademisë së Shkencave të Sigurisë nga Estonia i kryesuar nga rektori, Lauri Tabur, vizitojë sot Akademinë e Kosovës për Siguri Publike ku u priten nga Drejtori i Përgjithshëm, Ismail Smakiqi.
Qëllimi i vizitës ishte njoftimi më për se afërmi me rrjedhat dhe zhvillimet mësimor në Akademi. Drejtori Smakiqi e njoftoj delegacionin për zhvillimet e AKSP-së,  operacionalizimin, kapacitetet, trajnimet etj.
Po ashtu, drejtori Smakiqi shprehu edhe falënderimin për mbështetjen dhe përkrahjen që Estonia i ka dhënë Akademisë gjatë procesit të projektit të binjakëzimit për ngritjen e kapaciteteve në fushën e arsimit dhe atë të sigurisë.
Drejtori Smakiqi u shpreh i kënaqur me nivelin e bashkëpunimit të deritanishëm mes Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe Akademisë së Shkencave të Sigurisë nga Estonia.
Gjatë takimit të përbashkët të dyja palët ai i AKSP-së dhe delegacioni nga Estonia bënë prezantim për të arriturat e AKSP-së, rrjedhojën e projektit të binjakëzimit.
Delegacioni i lartë i ASHS-së nga Estonia u shprehen të kënaqur me të arriturat e AKSP-së, njëkohësisht shprehen gatishmërinë për bashkëpunim.

 

Smakiqi po merr pjesë në konferencën e INTERPA-së

Vushtrri 22 prill 2014 – Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Ismail Smakiqi  ndodhet në një vizitë zyrtare në Kuala Lampur të Malasya, ku është duke marrë pjesë në konferencën e tretë të Asociacionit Ndërkombëtar të Akademive Policore (INTERPA).
Qëllimi i konferencës është diskutimi rreth trajnimeve për pjesëtarët e sigurisë publike dhe shkëmbimi i përvojave. Po ashtu temë diskutimi në këtë konferencë është edhe metodologjia e trajnimeve efektive në drejtim të fuqizimit të ekspertizës policore për të menaxhuar çështjet e kërcënimeve të sigurisë.
Drejtori Smakiqi, i shoqëruar nga Avni Istrefi, udhëheqës i Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë, përveç pjesëmarrjes në sesionet plenare dhe punëtoritë e konferencës, po zhvillojnë takime edhe me udhëheqësit e Akademive policore të vendeve anëtare të INTERPA-së.
Nga vendet e regjionit përveç Kosovës, në këtë konferencë po marrin pjesë, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosna e Hercegovina.
INTERPA është themeluar më 2 Korrik 2011 me mision për  të ndarë përvojën dhe njohuritë në fushën e trajnimit të policisë të akademive policore ndërkombëtare.
 

Bordi i AKSP-së mbajti takimin e gjashtë të radhës

Vushtrri, 10 mars 2014 – Bordi i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), mbajti sot takimin e parë për vitin 2014. Në takim morën pjesë kryesuesi i bordit Ismet Kabashi, drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, zëvendësdrejtori i Policisë, Naim Rexha, si dhe anëtarët tjerë të bordit Fitim Shishani, Fadil Kodra, Shemsi Hajrizi, Metie Ademi si dhe bashkëpunëtor ndërkombëtarë nga OSBE-ja dhe ICITAP-i.
Gjatë këtij takimi u shqyrtua raporti vjetor i punës së AKSP-së dhe raporti i punës së bordit për vitin 2013, po ashtu u diskutua edhe për planin e punës së bordit për vitin 2014. Gjithashtu u bë miratimi i standardeve profesionale për zyrtarët e institucioneve të sigurisë publike si dhe u zgjedh kryesuesi i ri i bordit.
Bordin e AKSP-së të cilin deri me tani e ka udhëhequr Ismet Kabashi, tash e tutje kryesues është zgjedhur Shpend Maxhuni i cili është edhe Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.
Në hapjen e takimi Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi ka falënderuar të gjithë anëtaret e bordit për kontributin e dhënë në zhvillimet në akademi.
Ndërkaq të pranishmit e vlerësuan lartë puna e bërë deri më tani në Akademi.
 

Drejtori i përgjithshëm i Akademisë priti në takim zv/ambasadorin e Gjermanisë Matthias Kiesler

Vushtrri, 04 mars 2014 - Akademinë e Kosovës për Siguri Publike sot e vizitoi zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Kiesler.
Ambasadori u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi dhe menagjmenti i lartë i Akademisë.
Gjatë këtij takimi Smakiqi e informoi zëvendësambasadorin gjerman lidhur me të arriturat e deritashme dhe zhvillimet e fundit në Akademi. Ai gjithashtu foli edhe për projektin e binjakëzimit të financuar nga Komisioni Evropian e që ka të bëjë me përmirësimin e arsimit në Akademi si dhe hapjen e Fakultetit të Sigurisë.
Smakiqi falënderoi shtetin Gjerman për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin në ndërtimin e institucioneve të sigurisë publike e në veçanti për Akademinë.
Ndërsa zëvendësambasadori Matthias Kiesler, u shpreh i impresionuar me zhvillimet në Akademi. Ai tha se gjatë vizitës ka vërejtur se Akademia ka shënuar mjaftë të arritura. “Nuk duhet të ndalet më kaq, duhet të shikohet se cili do të jetë kontributi i Gjermanisë në këtë drejtim”, tha  Kiesler.

Në fund të takimi ai shprehu  gatishmërinë që ky bashkëpunim të vazhdoj edhe në të ardhmen në ngritjen sa më profesionale të pjesëtarëve të sigurisë publike.