U mbajt mbledhja e 45-të e Bordit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike
Vushtrri, 14 korrik 2026 - Sot, në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), u mbajt mbledhja e 45-të e Bordit të Akademisë, e kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, njëherësh Kryesues i Bordit, z. Ismail Dibrani.
Në mbledhje morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Gazmend Hoxha, Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, z. Kushtrim Hodaj, Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, z. Agron Llugaliu, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, z. Shpend Shabani, si dhe në cilësinë e përfaqësuesit të Shërbimit Sprovues të Kosovës, z. Driton Zogiani, i cili mori pjesë në zëvendësim të Drejtorit të Përgjithshëm të SHSK-së. Po ashtu në takim morrën pjesë përfaqësues nga OSBE si dhe zyrtar të lartë të AKSP-së.
Në përputhje me rendin e ditës, Bordi fillimisht miratoi procesverbalet dhe transkriptet e mbledhjeve të mëparshme, ndërsa më pas shqyrtoi çështje me rëndësi strategjike për zhvillimin institucional të AKSP-së.
Gjatë mbledhjes, Bordi u informua lidhur me zhvillimin e arsimit të lartë në AKSP, përfshirë procesin e riakreditimit institucional dhe programor të Programit Bachelor “Siguria Publike”, rritjen e pjesëmarrjes së institucioneve të sigurisë publike në këtë program si dhe zhvilloi një diskutim lidhur me mundësitë e ndërlidhjes së këtij programi me zhvillimin profesional dhe sistemin e karrierës në institucionet e sigurisë publike. Bordi miratoi kuotat për pranimin e studentëve në Programin Bachelor “Siguria Publike” për vitin akademik 2026/2027, duke krijuar kështu bazën për fillimin e procedurave të pranimit të studentëve nga institucionet e sigurisë publike në programin bachelor.
Po ashtu, Bordi u njoftua me përgatitjet për organizimin e Konferencës V-të Shkencore Ndërkombëtare të AKSP-së, e cila do të mbahet gjatë muajit nëntor 2026, si dhe me aktivitetet e ndërmarra në kuadër të organizimit të saj.
Në vijim, anëtarët e Bordit shqyrtuan rishikimin e Planit të Trajnimeve të AKSP-së për vitin 2026, i cili është harmonizuar me nevojat dhe prioritetet e institucioneve të sigurisë publike, si dhe u informuan për ecurinë e procesit të akreditimit dhe validimit të programeve profesionale të AKSP-së nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve.