Për bashkëpunim dhe kontribut të veçantë, IPK nderon Akademinë e Kosovës për Siguri Publike
Prishtinë, 2 korrik 2026 - Me rastin e shënimit të 20-vjetorit të themelimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), u organizua një ceremoni solemne, në të cilën morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe personalitete të larta të sektorit të sigurisë. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), z. Shpend Shabani.
Në kuadër të këtij jubileu, IPK vlerësoi rrugëtimin e saj dydekadësh në forcimin e llogaridhënies, integritetit institucional dhe mbikëqyrjes së Policisë së Kosovës, si dhe ndau mirënjohje dhe medalje për individë dhe institucione që kanë dhënë kontribut të veçantë në zhvillimin dhe suksesin e institucionit.
Për bashkëpunimin e frytshëm dhe kontributin e vazhdueshëm në zhvillimin profesional dhe institucional të Inspektoratit Policor të Kosovës, Akademia e Kosovës për Siguri Publike u nderua me medalje mirënjohjeje. Kjo medalje iu dorëzua ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, z. Shpend Shabani, në shenjë vlerësimi për partneritetin institucional dhe mbështetjen e vazhdueshme ndërmjet dy institucioneve.
Ky vlerësim dëshmon bashkëpunimin e ngushtë ndërinstitucional dhe përkushtimin e përbashkët për ngritjen e kapaciteteve profesionale, forcimin e integritetit institucional dhe avancimin e sektorit të sigurisë në Republikën e Kosovës.