Delegacioni i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike zhvilloi takim zyrtar në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren
Prizren, 21 korrik 2026 - Delegacioni i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), i udhëhequr nga Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, z. Shpend Shabani, zhvilloi një vizitë zyrtare në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, ku u prit nga Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, së bashku me ekipin drejtues të universitetit.
Pjesë e delegacionit të AKSP-së ishin Prof. Dr. Vilard Bytyqi, Ushtrues i Detyrës së Dekanit të Fakultetit të Sigurisë Publike, Prof. Dr. Anita Zenuni, Prodekane e Fakultetit të Sigurisë Publike, z. Fitim Osmani, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Departamentit për Planifikim Strategjik dhe Çështje Ligjore, si dhe z. Avni Istrefi, Udhëheqës i Divizionit për Marrëdhënie me Jashtë. Në takim morën pjesë edhe prorektorët e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Ass. Dr. Luan Vardari, Prof. Asoc. Dr. Serdan Kervan dhe Prof. Ass. Dr. Adelina Rakaj.
Qëllimi i takimit ishte inicimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shqyrtimi i mundësive për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, në fusha me interes të përbashkët. Gjatë takimit u diskutua për krijimin e një partneriteti të qëndrueshëm, me fokus në arsimin e lartë, kërkimin shkencor, zhvillimin profesional dhe realizimin e projekteve të përbashkëta.
Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe me frymë të bashkëpunimit të ndërsjellë. Në përfundim, palët u dakorduan për vazhdimin e procedurave drejt finalizimit dhe nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit, e cila pritet të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit institucional, avancimin e veprimtarisë akademike dhe shkencore, si dhe në zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në interes të institucioneve të Republikës së Kosovës.