U mbajt mbledhja e radhës së Bordit të Akademisë
Vushtrri, 23 shkurt 2021 – Bordi i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike sot mbajti takimin e radhës ku u diskua rreth planit të trajnimeve për pjesëtarët e sigurisë publike që do të mbahen gjatë vitit 2021.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Arton Berisha, duke përshëndetur anëtarët e bordit, tha se qëllimi i planit të trajnimeve është planifikimi, organizimi dhe implementimi i analizës së nevojave të trajnimeve për institucionet e sigurisë publike.
“Plani i trajnimeve është një dokument unik i përfshirjes së të gjitha trajnimeve të planifikuara në baza vjetore përmes së cilës arrihet një pasqyrë mbi fushat e trajnimit, kohëzgjatjen e trajnimit, grupet e synuara dhe hapësirat e zhvillimit të trajnimit”, tha Berisha.
Drejtori Berisha duke folur rreth trajnimeve vlerësoj se plani në fjalë përmbush nevojat e adresuara për pjesëmarrje në trajnimet e parapara dhe të planifikuara bazuar në interesat e institucioneve përkatëse të sigurisë publike.
“Plani i trajnimeve paraqet koordinim dhe bashkëpunim në mes të Akademisë, institucioneve të sigurisë publike dhe partnerëve ndërkombëtarë në fushën e trajnimeve, përmes së cilit rritet efikasiteti i zyrtarëve të sigurisë publike në përditshmërinë e zbatimit të detyrave të tyre”, u shpreh Berisha
Gjithashtu në këtë mbledhje u shqyrtua edhe plani vjetor i punës së Akademisë gjatë vitit që e lamë pas. Drejtori i Përgjithshëm Arton Berisha tha se edhe përkundër situatës se pandemisë Covid 19, Akademia ka arritur që t’i realizoj po thuajse të gjitha aktivitetet e parapara, gjithmonë duke respektuar masat e përcaktuara për mbrojtje nga Covidi.
Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës Nehat Thaçi përgëzoj Akademinë për punën e bërë deri me tani.
Në mbledhjen e bordit të Akademisë u shqyrtua edhe miratimi i kurrikulave të trajnimeve profesionale të institucioneve të sigurisë publike.
Po ashtu gjatë mbledhjes u rizgjodh kryesues i Bordit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Nehat Thaçi.
Gjatë takimit foli edhe Drejtori i Departamentit për Rend dhe Siguri Publike në OSBE Edward T. Anderson i cili tha se OSBE ka një bashkëpunim të mirë më Akademinë dhe më institucionet tjera të sigurisë publike. Anderson tha se OSBE është e gatshme të ofroj ndihmë Akademisë dhe gjitha institucioneve të sigurisë publike në Kosovë.
Në takim morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Arton Berisha, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës Nehat Thaçi – Kryesues i Bordit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent Fadil Kodra, Ud/Drejtori i Përgjithshëm i Doganës se Kosovës Bajram Rexha, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës Kadri Haliti, Kryshef Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës Kushtrim Hoda, Drejtori i Departamentit për Rend dhe Siguri Publike në OSBE Edward T. Anderson si dhe zyrtarë tjerë nga Institucionet e Sigurisë Publike dhe Akademisë.