Prishtinë, 22 nëntor 2019 - Agjencia e Bashkimit Evropian për Trajnim dhe Zbatim të Ligjit (CEPOL) ka organizuar trajnimin “Simulimi i gjykimit II” në të cilin kanë marrë pjesë 36 zyrtarë nga vend e rajonit, kryesisht nga Shqipëria, Maqedonia Veriore dhe Kosova. Pjesëmarrësit nga Kosova të cilën morën pjesë në këtë trajnim ishin punonjës të Policisë së Kosovës, Administratës Tatimore të Kosovës, Njësisë së Inteligjencës Financiare, prokurorë dhe gjyqtarë.
Ky trajnim është sesioni i dytë, sesioni i parë i të cilit është mbajtur për zbatuesit e ligjit dhe punonjësit gjyqësisë dhe prokurorisë nga Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia.
Gjatë këtij trajnimi i cili ka zgjatur pesë ditë pjesëmarrësit ndërtuan një rast studimi për një hetim penal të një krimi serioz dhe të shpëlarjes së parave. Po ashtu gjatë këtij trajnimi pjesëmarrësit simuluan një gjykim të një rasti të hetimeve financiare.
Objektivat e këtij trajnimi ishin; Identifikimi dhe ngritja e njohurisë për mjetet dhe teknikat e hetimeve financiare, paraqitja e praktikave më të mira të BE-së për hetimin dhe gjykimin në shpëlarjen e parave, përmirësimi i shkathtësive në hetime, bashkëpunim dhe gjykim dhe krijimi i rrjeteve të qëndrueshme profesionale si dhe fuqizimi i bashkëpunimit shumë disiplinuar ndërmjet zbatuesve të ligjit.
Në ceremoninë e hapjes së këtij trajnimi morën pjesë Drejtor i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, Kastriot Jashari drejtor i Departamentit të Trajnimeve dhe Përkrahjes Arsimore në AKSP dhe Avni Istrefi udhëheqës i Divizionit për Marrëdhënie me Jashtë në Akademi.
Gjatë kësaj ceremonie drejtori Smakiqi i njoftoi të pranishmit për rezultatet e deritashme që nga nënshkrimi i marrëveshjes së punës ndërmjet AKSP-së dhe CEPOL-it, nënshkrim ky që është bërë më 24 mars 2017. Smakiqi më këtë rast falënderoj zyrtarët e CEPOL-it që përmes trajnimeve të organizuara nga ta kanë përfituar zbatuesit e ligjit nga Kosova.
Smakiqi është zotuar që Akademia do të vazhdojë të jap kontributin e saj edhe me tutje në ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve të zbatimit të ligjit të Kosovës përmes CEPOL-it.
Në fund të trajnimit shpërndarjen e certifikatave e bëri Avni Istrefi dhe Ksenija Krizman, zyrtare e lartë e projektit të CEPOL për Hetime Financiare në Ballkanin Perëndimor.
Krizman falënderoi të gjithë ata që mundësuan realizimin e këtij trajnimi, trajnerët, monitoruesin, teknikët, përkthyesit, e në veçanti dy zyrtarët e Njësisë Kombëtare të CEPOL-it për Kosovë, Avni Istrefin në cilësinë e Pikës Kombëtare të Kontaktit të CEPOL për Kosovë dhe Skender Agajn në cilësinë e Menaxherit të rrjetit elektronik (e-Net) të CEPOL për Kosovë.
Ky trajnim u organizua në kuadër të projektit për ndërtimin e kapaciteteve, trajnimet në vendin e punës të Hetimeve Financiare në Ballkanin Perëndimor 2017 - 2019.
Projekti ka për qëllim që të zhvillojë dhe t’i bëjë të qëndrueshme kapacitetet institucionale të agjencive të zbatimit të ligjit të vendeve përfituese (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia Veriore dhe Serbia) në mënyrë që të parandalojë, hetojë dhe të ndjek penalisht krimin e organizuar transnacional dhe financimin e terrorizmit.
Projekti financohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të Instrumentit për Asistencë Para Anëtarësimit (IPA) dhe është pjesë integrale e Shtyllës së dytë Qeverisja Integruese e Sigurisë së Brendshme( IISG) të iniciativës së Ballkanit Perëndimor për Luftimin e Krimeve të Rënda (WBCSCi).