Në Akademi filloi “Shkolla Ndërkombëtare për Stafin Policor dhe Komandues”
Vushtrri, 28 gusht 2023 – Dyzet zyrtarë të lartë nga institucionet e ndryshme të sigurisë publike në Kosovë, sot filluan “Shkollën Ndërkombëtare për Stafin Policor dhe Komandues”, e cili do të mbahet në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.
Kjo shkollë u organizua nga Qendra për Siguri Publike në Universitetit Northwestern të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe e mbështetur nga Programi Ndërkombëtar i Përkrahjes së Trajnimit të Hetimit të Krimit (ICITAP) në Kosovë.
Në ceremoninë e hapjes, zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, Kastriot Jashari, tha se programet si “Shkolla Ndërkombëtare për Stafin Policor dhe Komandues”, janë shumë të rëndësishme për të gjitha institucionet e sigurisë publike në vend.
“Dua të përshëndes Kimberly Riffe udhëheqëse e programit të ICITAP-it në Kosovë, për gjithë kontributin e saj ndaj institucioneve të Kosovës. Për, Akademinë është kënaqësi e veçantë që për të shtatën herë me radhë organizohet kjo shkollë e cila ofron njohuri të jashtëzakonshme për gjithë pjesëmarrësit e institucioneve të sigurisë”, tha Jashari duke vlerësuar se pjesëmarrësit do të kenë mundësi t’i përforcojnë njohurit e tyre në fushën e sigurisë publike.
Pjesëmarrësit i përshëndeti edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Hoxha tha se ky kurs ka rëndësi të veçantë për policinë dhe për gjitha institucionet e zbatimit të ligjit në vend. Drejtori Hoxha duke folur për të arriturat e policisë, falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin e dhënë në vazhdimësi institucioneve të sigurisë në Kosovë.
Ndërsa, instruktori Maichael McGuigan, para pjesëmarrësve foli rreth moduleve të kursit.
Pasi që në këtë shkollë marrin pjesë të gjitha institucionet e sigurisë në vend, McGuigan tha se trajnimet shtesë janë shumë të rëndësishme për gjithë zbatuesit e ligjit.
“Unë e falënderoi ICITAP-in që na mundësoj që të vijmë në Kosovë dhe të ofrojmë këtë kurs, kjo është hera e shtatë që kemi pasur mundësinë që të punojmë më vëllezërit dhe motrat e mija nga ana tjetër e botës”, tha McGuigan.
Në ketë ceremoni morën marrë pjesë edhe gjenerali i Forcës së Sigurisë së Kosovës Enver Cikaqi, Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm në Shërbimin Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, përfaqësuesi nga Inspektorati Policor i Kosovës, Bajram Fetahu, përfaqësuesi nga Dogana e Kosovës, Driton Azemi, si dhe përfaqësues tjerë vendor dhe ndërkombëtarë.
Shkollën Ndërkombëtare për Stafin Policor dhe Komandues, janë duke e vijuar zyrtarë nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike, nga Policia e Kosovës, Inspektorati Policor, Shërbimit Korrektues i Kosovës, zyrtarë nga Forca e Sigurisë së Kosovës si dhe Dogana e Kosovës.
Shkolla Ndërkombëtare për Stafin Policor dhe Komandues do të zgjasë dhjetë javë, ligjërues do të jenë profesor nga Universiteti Northwestern.