Diplomoi gjenerata e 57 e kadetëve

13.02.2023

Vushtrri, 13 shkurt 2023 –  Policisë së Kosovës nga sot iu shtuan edhe 433 zyrtar policor,  të cilët sot në mënyrë ceremoniale bënë betimin e tyre për t’i shërbyer vendit dhe çdo qytetari të Republikës së Kosovës. 

 

Gjatë ceremonisë së diplomimit kadetët e sapo diplomuar morën urime nga të gjithë krerët e shtetit.

 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani,  i përgëzoi kadetët që kanë shprehur gatishmërinë që të marrin një detyrë  kaq të rëndësishme për t’i shërbyer shtetit, duke krijuar kështu siguri për gjithë qytetarët e vendit.

 

“Policia buron nga qytetarët dhe gjithnjë është në shërbim të qytetarëve. Ju keni zgjedhur një profesion që kërkon guxim, disiplinë, vullnet  dhe përkushtim për rend dhe ligj”, u shpreh Osmani.  

 

Presidentja, Osmani ka deklaruar se këta kadetë janë ata që garantojnë siguri dhe mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim.

 

“Ju jeni ata që  garantoni të gjithë qytetarët pa dallim të ndihen të sigurt dhe secili prej tyre do të trajtohet më dinjitet dhe më respekt” , tha presidentja Osmani.

 

Kurse, kryeministri i Republikës së Kosovës Albini Kurti, gjatë ceremonisë së diplomimit të  kadetëve tha se prioriteti i qeverisë është mbrojtja dhe siguria e vendit. 

 

“Të gjithë jemi krenar që sot Policia e Kosovës  mbron jetën dhe pronën e gjithë qytetarëve tanë pa dallim dhe  zbaton ligjshmërinë në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Kurti. 

 

Duke numëruar të arriturat e policisë, kryeministri Kurti tha se policia qëndron e palëkundur në misionin e ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike. “Jemi të lumtur që policia renditet ndër tri institucionet më të besueshme për qytetarët. Kolegët tuaj, zyrtaret policor, veçanërisht këto dy vitet e  fundit me angazhimin e tyre kanë treguar se nuk bëjnë kompromis me bandat dhe krimin. Janë sulmuar, janë plagosur, por nuk janë dorëzuar,  përkundër kësaj ata janë akoma aty në krye të detyrës”, ka thënë Kurti. 

 

Kryeministri iu  drejtua kadetëve të cilët diplomuan që t’i qëndrojnë besnik betimit të tyre dhe vendit.

 

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kadetëve të sapo diplomuarve iu uroi  suksese në punën e tyre. 

 

“Ju keni zgjedhur një  profesioni kaq të lartë  dhe fisnik.  433 vajza, e djem të ri po i bashkohen Policisë së Kosovës, institucionit kyç të shtetit tonë për tu angazhuar në mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të vendit dhe  luftimin e pa kompromis të krimit e korrupsionit ”,  u shpreh Sveçla duke kërkuar nga kadetët që t’i shërbejnë vendi me ndershmëri.