Një ekip i ekspertëve vlerësues nga IADLEST vizitoi Akademinë

25.08.2021Vushtrri, 25 gusht 2021 -  Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike për dy ditë radhazi, me 23 dhe 24 gusht, qëndroi për vizitë një ekip i ekspertëve vlerësues nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, (International Association of Directors of Law Enforcement Standards and Training- IADLEST).

 Qëllimi i vizitës ishte për të mbledhur fakte rreth procesit të ri-akreditimit ndërkombëtar të Akademisë.


Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ka fituar akreditim  ndërkombëtar nga IADLEST  në  muajin maj të vitit 2018 për periudhën tre vjeçare,  duke qenë kështu institucioni i parë i akredituar  jashtë SHBA-ve.


Ekipi i ekspertëve është udhëhequr nga Mark Damitio menaxher i akreditimit në IADLEST  dhe  Kelly Alzaharna, drejtoresh e  Akademisë e Zbatimit të Ligjit në New Mexico si dhe kryetare e  Komitetit të Akreditimit në IADLEST.

Ekipi i ekspertëve vlerësues nga IADLEST  gjatë vizitës së tyre në Akademi është pritur nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike   Arton Berisha, udhëheqësit e lartë si dhe përfaqësuesit e agjencioneve të sigurisë publike në Akademi.


Gjatë procesit të verifikimit drejtori Berisha e njoftoi ekipin e ekspertëve për rrjedhën e proceseve gjatë tri vjetëve të fundit në Akademinë si dhe iu ofroi  mbështetje të plotë.

Berisha shfaqi shpresën që Akademia do të vazhdojë të renditet edhe me tutje me institucionet e sigurisë publike ndërkombëtare siç është IADLEST etj.

Më këtë rast drejtori Berisha e falënderoj ICITAP-in, Ambasadën e SHBA-ve  në Kosovë për përkrahjen që i ka bërë dhe vazhdon ti bëjë Akademisë.

“Akademia synon që në të ardhmen të jetë qendër e ekselencës, rrugëtimi i saj ka filluar qysh në vitin 2011 më miratimin e ligjit të saj,  ky rrugëtim u argumentua  duke pasur bashkëpunim me institucionet e sigurisë vendore dhe ndërkombëtare,  duke u renditur si organ kyç në ngritjen kapaciteteve të zyrtarëve të sigurisë publike”, u shpreh Berisha duke thënë se akreditimi i parë nga IADLEST  i ka hapur rrugë Akademisë  në zbatimit  e strategjive të saj.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Arton Berisha u zotua për përmirësim të vazhdueshëm të proceseve, infrastrukturës dhe shërbimeve të cilat janë fushëveprim i AKSP-së.


Kurse Ismail Smakiqi i cili ka qenë drejtor i përgjithshëm në Akademi gjatë vitit 2011-2020 shprehi barrën e përgjegjës të cilën e ka ndjerë Akademia, si bartëse e akreditimit ndërkombëtar nga IADLEST  gjatë këtyre tre viteve të fundit, dhe synimin e Akademisë të shprehur në Strategjinë Zhvillimore të Akademisë gjatë viteve 2019 – 2022, gjegjësisht në vizionin e kësaj strategjie që “në vitin 2022 Akademia do të jetë Qendra e Ekselencës për Siguri Publike në Kosovë”.


Ndërsa duke folur në emër të ekipi të ekspertëve nga IADLEST-i  Mark Damitio, shprehi konsideratë të lartë për Akademinë në procesin e vlerësimit për ri-akreditimin ndërkombëtar të Akademisë.
Damitio veçoi  rolin e lidershipit të Akademisë në rrugëtimin shumë vjeçar drejtë një Akademie me standarde të larta dhe praktika më të mira, ashtu siç janë të njohura vlerësimet e IADLEST-it.  
Damitio tha se vendimi për ri-akreditim të Akademisë nga IADLEST do të kumtohet në ditët në vijim, pas vendimit të Bordit Ekzekutiv të IADLEST-it.


Ndryshe gjatë dy ditëve në vijim ekipi i ekspertëve ka vazhduar punën në verifikimin e standardeve në fusha përkatëse, me ç’ rast ka zhvilluar intervista me instruktorët, kadetët, me drejtoret e departamenteve në Akademi etj.  Po ashtu kanë vizituar edhe  objektet e Akademisë ku zhvillohen trajnimet siç janë sallat e edukatës fizike, poligonet e gjuajtjes me armë zjarri, Pajisjen e Trajnimit të Simulimit të Armëve të Zjarrit (FATS), poligonin e trafikut etj.