Një delegacioni i Universitetit të Shkencave të Aplikuara LAUREA vizitoi Akademinë
Vushtrri, 16 janar 2020 - Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, priti sot në një takim pune një delegacion nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara LAUREA dhe Instituti Trajnues i Shërbimit të Burgjeve dhe Sprovues (RSKK) të Finlandës.
Delegacioni ishte në përbërje nga Kati Komulainen drejtoreshë e Njësisë për Arsim, Iso Mattila drejtor i Njësisë për Hulumtim nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara LAUREA si dhe Hannu Kiehelä drejtor i Institutit Trajnues të Shërbimit të Burgjeve dhe Sprovues (RSKK).
Në takim morën pjesë edhe Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike pranë Akademisë Bejtush Gashi së bashku me stafin Akademik dhe personelin e Divizionit për Marrëdhënie me Jashtë .
Vizita e punës është rrjedhojë e dakordimit të përbashkët të të tri institucioneve gjatë nënshkrimit të marrëveshjes tri laterale në Finlandë në tetorin e vitit 2019.
Në marrëveshje përfshihen bashkëpunimi në zhvillimin dhe bashkërendimin e studimeve të larta dhe pas-diplomike, projekte të përbashkëta në hulumtim dhe zhvillim, si dhe në një të ardhme shumë të afërt fillimi i zbatimit i të gjitha llojeve të shkëmbimeve.
Duke u bazuar në kornizën e marrëveshjes gjatë këtij takimi u zhvilluan sesionet e punuese mes AKSP dhe delegacionit nga LAUREA dhe RSKK . Gjatë kësaj vizite fokusi kryesor ishte diskutimet rreth projekteve të mundshme të përbashkëta në fushën e hulumtimit, zhvillimit dhe inovacionit; në fushën e kurrikulës dhe mësimit në distancë (e-Learning); si dhe mbi fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe projektet e mobilitetit të studentëve, mësimdhënësve dhe personelit administrativ/profesional.
Në fund të takimit të tria palët u dakorduan që të marrin veprime konkrete për gjetjen e mundësive për përfshirje të përbashkët në ndonjë projekt në fushën e hulumtimit dhe inovacionit, e më konkretisht të fillohet në implementim të menjëhershëm të bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit (mobilitetit) të studentëve, mësimdhënësve dhe personelit administrativ / profesional.
Ndryshe Universiteti i Shkencave të Aplikuara LAUREA është Universiteti më i njohur në Finlandë nga radhët e Universiteteve të Shkencave të Aplikuara, përderisa ekspertët nga ky Universitet së bashku me ekspertët nga RSKK kanë qenë pjesë e zbatimit të projektit të parë për Akademinë në kuadër të IPA I të financuar nga BE dhe zbatuar nga vendet anëtare Finlanda dhe Estonia.