Në Akademi diplomoi gjenerata dyzetenjë e Shërbimit Korrektues të Kosovës

30.07.2019

Vushtrri, 30 korrik 2019 –  Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) sot diplomuan njëqindenëntëmbëdhjetë kadetë të  Shërbimit Korrektuese të Kosovës.

Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë Ministri i Ministrisë së Drejtësisë Abelard Tahiri, Kryetari i Këshillit Prokurorial Bahri Hyseni, Drejtori i  Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës  Rashit Qalaj, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës Nehat Thaqi, Kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës Miradije Kelmendi, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës  Bahri Berisha, Përfaqësuesi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Methew Jones, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë se Menaxhimit Emergjent Shefki Abdullahu si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Në fjalën e tij, ministri Tahiri ka theksuar se pjesë e trashëgimisë së tij, krahas ligjeve vitale për qytetarët, është pikërisht avancimi në sistemin korrektues të Republikës së Kosovës.

"Infrastruktura ka shënuar përmirësim të plotë dhe vazhdon të përmirësohet edhe sot.  Qendra të reja janë hapur e ato të vjetrat janë rinovuar. Kemi menaxhim efikas të procedurave standarde të veprimit, dhe kemi ulur për herë të parë në një nivel të plotë, dukuritë negative brenda burgjeve. Sot Qendrat Korrektuese, nuk janë as për së afërmi ato që kanë qenë dikur, dhe të njëjtat i kemi vendosur në një kurs të pakthyeshëm drejt avancimit, standardeve dhe respektimit të ligjit", ka thënë ministri Tahiri.

Ministri Tahiri ka uruar gjeneratën e re të kadetëve, duke kërkuar nga ta që të përkushtohen në zbatimin e ligjit.

"Ngjashëm do të definohet nga përkushtimi juaj për t'i dhënë njeriut dinjitetin që i takon, pavarësisht faktit se ai mbahet në korrektim. Dhe në mes të kësaj pune, përkushtimi juaj, është ai që do bëjë diferencën, në rast se Qendrat tona Korrektuese do jenë referencë e sundimit të ligjit, apo degradimit të tij. Prandaj, për fund, duke ju dëshiruar sukses në karrierë, avancim dhe ngritje profesionale në të ardhmen, ju ftoj që të jepni maksimumin tuaj që këtij segmenti të rëndësishëm të zbatimit të ligjit, t'i jepni dimension kuptimplotë, efikas e të përgjegjshëm", ka thënë ministri  Tahiri.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi u shpreh i lumtur  që kadetët  e sapo diplomuar të Shërbimit Korrektues të Kosovës janë të parët  që përfunduan  programin profesional  të validuar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve. Smakiqi tha se këto programe janë hartuar bazuar në kompetencat e nevojshme për punë profesionale të zbatuesve të ligjit në vendet e tyre të punës.

“Kjo ceremoni renditet në ngjarjen e radhës e cila shënon historinë e Akademisë, për arsye se 119 kadetët e Shërbimit Korrektues të Kosovës, të parët po përfundojnë një Program Profesional të validuar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, në Akademinë e akredituar - institucion përgjegjës për ofrimin e këtyre trajnimeve për të gjitha institucionet e sigurisë publike”, tha Smakiqi.

Drejtori Smakiqi duke uruar Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës Nehat Thaqi, për përfundimin e Trajnimit Profesional të 119 zyrtarëve korrektues tha: “ I nderuari drejtor Thaçi iu ftoj ju dhe kolegët e agjencive të punojmë së bashku në ngritjen e cilësisë së trajnimeve në Akademi, me synimin e fundit të ngritjes të shërbimeve të sigurisë për qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës Nehat Thaçi tha se është detyrë dhe përgjegjësi e madhe t’i shërbesh vendit.

“Të jesh pjesëtarë i Shërbimit Korrektues të Kosovës për veç që është privilegj për t’i shërbyer vendit,  është detyrë të shërbesh për siguri duke garantuar të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e vendit, pra edhe atyre që janë të privuar nga liria duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, u shpreh Thaçi duke thënë se puna e pjesëtarëve të sigurisë publike është një punë e shenjtë.

“Më punën dhe përkushtimin tonë së bashku do të ngritim imazhin e Shërbimit Korrektues të Kosovës”, tha Thaçi.

Kadetët në ceremoninë e diplomimit i përshëndeti edhe përfaqësuesi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Methew Jones, i cili përgëzoi Akademinë dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës për diplomimin e gjeneratës së dyzetenjë të zyrtarëve korrektues. Jones kujtoj kohën e themelimit të Akademisë me gjeneratat e para të kadetëve të Policisë së Kosovës dhe progresin e arritur gjatë këtyre viteve në Akademi dhe Agjencitë e Sigurisë Publike.