Në AKSP brenda vitit 2012 janë trajnuar mbi 4660 pjesëtarë të sigurisë publike

16.01.2013

Vushtrri, 16 janar 2013 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), i cili është institucioni më i lartë për trajnimin e pjesëtarëve të sigurisë publike në vend, gjatë vitit 2012  kanë kryer trajnime mbi 4660 pjesëtarë të sigurisë publike.
Po ashtu në AKSP janë zhvilluar edhe shumë aktivitete tjera që lidhen më fushën e sigurisë në vend. Brenda vitit që e lamë pas janë mbajtur 281 trajnime nga të gjitha  agjencionet e sigurisë publike si Policia e Kosovës (PK), Agjencioni i Menaxhimit të Emergjencave (AME), Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), Dogana e Kosovës (DK), Inspektorati Policor i Kosovës etj. AKSP gjatë gjithë kohës ka ofruar trajnime me kualitet të lartë profesional me standarde ndërkombëtare. Kontribut të veçantë në realizimin e këtyre trajnime dhe ngritjen e kapaciteteve të AKPS-së kanë dhënë edhe dy partnerët kryesorë si Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) dhe (ICITAP).
Përveç pjesëmarrësve nga Kosova, në Akademi janë trajnuar edhe pjesëtarë të sigurisë publike nga shtetet e rajonit si nga Kroacia, Bosnja, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i zi. Përpos trajnimeve, në AKSP janë zhvilluar edhe shumë aktivitete tjera siç janë Miniolimpiada për persona me aftësi të kufizuara, garat ndërkombëtare të ping-pongut, Seminari “Sport for youth”, kampi dy ditorë për të rinj etj. Si rezultat i resurseve dhe mjedisit të saj, AKSP është bërë vendqëndrim primar i trajnimit për një fushë të gjerë të sigurisë publike dhe një degë e zbatimit të trajnimit.Vizioni i AKSP-së është që edhe në të ardhmen të përgatisë dhe të aftësojë punonjës të mbajtjes së rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.