Diplomoi gjenerata e parë e pjesëmarrësve të trajnimit për menaxhim ekzekutiv

03.07.2009

Vushtrri, 03 Korrik 2009 – Pas një trajnimi intensiv katër javor, sot në ora 10:00, në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim, u mbajt ceremonia e diplomomimit të gjeneratës së parë të pjesëmarrësve që ndoqën trajnimin për Lidership të Nivelit Ekzekutiv. Ky trajnim u organizua në qendër me përkrahjen e disa këshilltarëve të OSBE-së. Planprogrami mësimor përfshinte aftësitë komunikuese, ndërtimin e ekipeve, mendimin strategjik, studimin e rasteve të incidenteve madhore si dhe lëmi të tjera të menaxhmentit ekzekutiv.  Ligjeruesit ishin ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë të lëmive përkatëse. Ndërsa, pjesëmarrësit e këtij trajnimi ishin kryesisht udhëheqës departamentesh të ndryshme nga agjencionet e sigurisë publike si Policia e Kosovës, Doganat e Kosovës, Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti për Menaxhimin e Emergjencave.

Në ceremoni të diplomimit ishin të pranishëm zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z.Dejan Jankovic, drejtori i Departamentit për Siguri dhe Çështje të Sigurisë në OSBE, z.Carsten Twelmayer, si dhe zyrtarë të lartë nga agjencionet e zbatimit të ligjit.

Përveç ceremonisë së diplomimit, sot u bë edhe tranzicioni i planprogramin mësimor të Departamentit për Menaxhimin dhe Zhvillimin e Lidershipit, nga OSBE tek Qendra e Kosovës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim. Ky Departament ishte themeluar në vitin 2006 dhe që nga ajo kohë ishte në mbikqyrjen e OSBE-së.

 “Sot është një ditë e vecantë, sepse materiali i OSBE-së, që nga sot i dorëzohet Departamentit për Menaxhimin dhe Zhvillimin e Lidershipit, që të zhvillojë më tej aftësi menaxheriale brenda agjensioneve të sigurisë publike, në mënyrë që të përmirësojnë dhe afirmojnë shërbimet e tyre për qytetarët”, tha z.Twelmayer.
Në vazhdim, z.Twelmayer premtoi se mbështetja për zhvillimin e menaxhmentit dhe lidershipit, nuk do të mungojë as në të ardhmen nga departamenti që ai udhëheq.

Ndërkaq, zëvendësdrejtori i policisë z.Jankoviq falenderoi QKSPEZH-in dhe OSBE-në për organizimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të trajnimeve të ndryshme.
“Pjesëmarrësve të kursit ju dëshiroj punë të suksesshme që edhe në të ardhmen të japin kontributin ashtu si deri më tani”, tha për fund z.Jankoviq.

Ndërsa, u.d. e kryeshefit ekzekutiv të QKSPEZH, Taibe Canolli vlerësoi se ky është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e vazhdueshëm të akterëve kyç për  ruajtjen e sigurisë së vendit. Ajo tha se “organizimi i këtij trajnimi është i një rëndësie të veçantë jo vetëm për Qendrën e Kosovës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim, por edhe për të gjtiha institucionet ku ju shërbeni. Realizimi i këtij projekti i kontribon krijimit të një sistemi të qëndrueshëm të edukimit, duke qenë i drejtuar në ndërtim të kapaciteteve vendore për lidership të nivelit të lartë dhe trajnim të stafit menaxherial” , tha znj.Canolli.

Departamenti për Menaxhim dhe Lidership deri më tani ka zhvilluar nivelin e ulët dhe të mesëm të menaxhmentit si dhe disa seminare një javore për nivelin e lartë ekzekutiv. Ndërsa, ky është trajnimi i parë i këtij lloji që do të vazhdojë të mbahet edhe për gjeneratat e ardhshme.