Trajnim, arsimim dhe hulumtim me cilësi të lartë në fushën e sigurisë publike

Lajmet

AKSP e përkrahur nga OSBE mbajti tryezë të rrumbullakët për ngritjen e kapaciteteve në hetimin e krimeve mjedisore

Prishtinë, 18 dhjetor, 2024 - Sot në Prishtinë u mbajt Tryeza e rrumbullakët për lehtësimin e dialogut ndërinstitucional për prezantimin e modulit të ri të hetimit të krimit mjedisor për zbatimin e ligjit dhe gjyqësorin. Kjo ngjarje u organizua nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), përderisa u përkrah nga Misioni i OSBE-së në Kosovë. Qëllimi i saj ishte ngritja e vetëdijes dhe inicimi i aktiviteteve të ngritjes së kapaciteteve për zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe të sistemit të drejtësisë për hetimin e krimeve mjedisore, aq të domosdoshme për një shtet si Kosova. Përveç pjesëmarrësve nga AKSP dhe OSBE, në këtë ngjarje morën pjesë edhe zyrtarë nga Akademia e Drejtësisë, Policia e Kosovës, dhe Kastriot Berisha, Koordinator për Rastet e Mbrojtjes së Ambientit dhe Prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Kastriot Jashari, Zëvendësues i Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, fillimisht falënderoi OSBE-në për përkrahjen e kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme. Ai theksoi rëndësinë e mbrojtjes së ambientit dhe veçanërisht të hetimit të krimeve mjedisore, si dhe vetdijësimin e popullatës dhe të institucioneve përkatëse. Në fund të fjalës së tij, Drejtori Jashari u zotua se do të angazhohet për krijimin e një pakoje trajnimi aq sa është e nevojshme për të gjithë zbatuesit e ligjit, e veçanërisht për zytarët policorë, doganorë dhe ata të menaxhimit të emergjencave.

Në emër të Akademisë së Drejtësisë, Melihate Rama, Udhëheqëse e Divizionit për Trajnim të Vazhdueshëm pranë kësaj Akademie, foli për rëndësinë e ndotjes mjedisore si një sfidë globale në kohën tonë, duke nxitur rritjen e rëndësisë së mbrojtjes së mjedisit në skenën ndërkombëtare. Ajo në vazhdim vuri theksin në trajnimet që Akademia e Drejtësisë ka realizuar në këtë fushë gjatë viteve 2022, 2023 e 2024 në bashkëpunim me GIZ dhe UNPD, si dhe njoftoi të pranishmit për një trajnim të radhës në vitin 2025 si dhe për Doracakun “Drejtësia Mjedisore” të botuar nga ky institucion. Në fund, Rama vlerësoi punën e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe të Misionit të OSBE-së në Kosovë për zhvillimin e kurriklulës së re për hetimin e krimit mjedisor, duke shprehur gatishmërinë e Akademisë së Drejtësisë për bashkëpunim në këtë fushë.

Giovannino di Persio, Shef i Sektorit për Krimin e Rëndë dhe të Organizuar pranë Misionit të OSBE-së në Kosovë, theksoi përpjekjet dhe përkushtimin afatgjatë të njësisë, të vazhdueshme që nga viti 2011, për të përkrahur institucionet e Kosovës në adresimin e krimeve mjedisore. Ai vuri në dukje se OSBE-ja ka organizuar trajnime, punëtori dhe sesione të nxjerrjes së ideve të shumta për këtë temë për të rritur kapacitetin dhe bashkëpunimin institucional. Di Persio nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të njohurive themelore në mesin e zyrtarëve të zbatimit të ligjit në Kosovë për të trajtuar çështjet e tilla në mënyrë efektive. Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë e OSBE-së për të ndihmuar AKSP-në dhe Akademinë e Drejtësisë duke organizuar programe dhe punëtori për trajnimin e trajnerëve, duke nxitur bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të ndryshme relevante të përfshira në luftimin e krimeve mjedisore.

Kastriot Berisha, Prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe koordinator për Rastet e Mbrojtjes së Mjedisit, i cili ishte angazhuar si ekspert nga OSBE-ja, theksoi se qasja më efektive për trajtimin e krimeve mjedisore është ngritja e vetëdijes institucionale. Ai theksoi se organizimi i tryezave të rrumbullakëta për krimin mjedisor sinjalizon se kjo çështje ka filluar të marrë nivelin e duhur të vëmendjes. Për më tutje, ai shprehu përkrahjen për përfshirjen e dy institucioneve kyçe përgjegjëse për zhvillimin profesional të organeve që hetojnë krimet mjedisore, duke vënë në dukje rëndësinë e zyrtarëve të specializuar në këtë fushë të zbatimit të ligjit.

Përderisa Toger Reshat Haxhaj, Udhëheqës i Njësisë për hetimin e krimeve mjedisore në Policinë e Kosovës, theksoi nevojën për trajnim në AKSP të kolegëve të tij zyrtarë policorë në fushën e krimeve mjedisore, duke ngritur kështu nivelin e njohurive të tyre në këtë fushë.

Pas pjesës hyrëse, ky takim shërbeu si platformë për shkëmbimin e mendimeve nga pjesëmarrësit në funksion të ngritjes së kapaciteteve të zyrtarëve përkatës për parandalimin dhe hetimin e krimeve mjedisore. Kështu, Dr. Vilard Bytyqi, mësimdhënës i rregullt në Fakultetin e Sigurisë Publike (FSP) të AKSP-së, vuri theksin në krimin mjedisor si një problem serioz në Kosovë, i cili shkakton dëme të rënda dhe shpesh të pariparueshme për mjedisin jetësor, për çfarë dhe mbetet situatë shqetësuese. Ai propozoi rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional dhe ngritjen e nivelit të profesionalizmit të zyrtarëve të zbatimit të ligjit përmes trajnimeve specifike, duke filluar me modulet bazike të trajnimit për të vazhduar me ato të avancuara. Në këtë tryezë të rrumbullakët kontribuuan edhe ligjëruesit tjerë të FSP-së. Kështu, dr. Anita Zenuni vuri theksin në mungesën e psikologëve mjedisorë, dr. Halil Asllani në vetëdijësimin dhe parandalimin përmes arsimimit, duke filuar nga ai fillor, kurse profesoresha Florentina Shala Braha në sensibilizim dhe themelim të njësive të veçanta për krime mjedisore pranë institucioneve përkatëse.

Përderisa Skender Agaj nga Divizioni për Marrëdhënie me Jashtë i AKSP-së foli për krimin mjedisor si njëri ndër dhjetë prioritetet e Platformës Multidisiplinare Evropiane Kundër Kërcënimeve Kriminale (EMPACT) të Bashkimit Evropian për periudhën kohore 2022-2025, si dhe për trajnimet që në këtë fushë ofrohen nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Trajnim në Zbatimin e Ligjit (CEPOL), duke i inkurajuar zyrtarët e zbatimit të ligjit, prokurorët dhe gjyqtarët e Kosovës që të marrin pjesë në to.

Në fund të punimeve të Tryezës së rrumbullakët, dolën edhe rekomandimet dhe konkludimet e saj. Kështu, ishte pajtueshmëri e plotë ndër pjesëmarrësit që duhet pasur sa më shumë projekte hulumtuese, përmes të cilave do të arrihet që të vihet deri tek të gjeturat me karakter akademik dhe shkencor për krimet mjedisore. Për këtë arsye do të duhej të krijoheshin grupe të përbashkëta hulumtuese me pjesëmarrës nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Akademia e Drejtësisë (AD), Policia e Kosovës (PK), Prokuroria dhe Gjyqësia. Përveç kësaj, do të krijohen trajnime themelore dhe të specialuzara për të gjithë zbatuesit e ligjit, prokurorët, gjyqtarët dhe inspeksionet përkatëse të fushës së mbrojtjes së ambientit, duke filluar nga niveli më fillestar e deri te ai më i avancuari. Kjo do të arrihet përmes shfrytëzimit të potencialit vendor nga institucionet e lartëpërmendura, por nëse është e nevojshme edhe angazhimit të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët do të ndihmonin në zhvillimin e kurrikulës dhe organizimin e trajnimit për trajnerë për zyrtarët e lartpërmendur nga fusha e hetimit të krimeve mjedisore. Një aspekt i rëndësishëm doli të jetë edhe forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar, i cili u vlerësua se do të kontribuojë në shkëmbimin e njohurive, shkathtësive dhe informatave ndërmjet zyrtarëve përkatës nga Kosova dhe atyre ndërkombëtarë.

Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike qëndroi për vizitë një delegacion nga Policia Komunale e Komunës së Ulqinit, nga Mali i Zi

Vushtrri, 5 dhjetor 2024 – Gjatë periudhës kohore 2-5 dhjetor 2024, një numër prej shtatë zyrtarësh nga Policia Komunale e Komunës së Ulqinit(PKKU), Mali i Zi, të udhëhequr nga Drejtori Amir Mehmeti, qëndruan në AKSP, respektivisht në Kosovë, ku patën rastin të marrin njohuri dhe përvoja të reja profesionale si dhe të shohin më për së afërmi mbi proceset e punës dhe përgjegjësit e zbatuesve të ligjit në Republiken e Kosovës.

Në takimin mirëseardhës, Drejtori i PKKU-së Amir Mehmeti dhe stafi i tij u prit në Akademi nga Kastriot Jashari, Zëvendësues i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë, me bashkëpunëtorë. Mehmeti u njoftua nga ekipi pritës i Akademisë për rolin dhe përgjegjësitë e këtij institucioni, duke qenë i vetmi institucion publik në Kosovë që ofron trajnim dhe arsim të lartë për të gjithë zbatuesit e ligjit, si dhe për rrugëtimin 25-vjeçar të Akademisë. Përderisa, Drejtori i PKKU-së Mehmeti shfrytëzoj rastin për të falënderuar Drejtorin Jashari dhe Akademinë për ofrimin e kësaj mundësie për marrjen e përvojave dhe njohurive të reja për nevojat e PKKU-së.

Të dy palët u pajtuan për intensifikimin e bashkëpunimit në të ardhmen dhe gjetjen e interesave të përbashkët.

Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, stafi i PKKU-së kishte mundësinë dhe ishte pjesëmarrës në disa aktivitete të karakterit prezentues dhe praktikë të organizuara nga AKSP dhe në bashkëpunim me palët e interesit të saj, respektivisht me institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë.

Në fund të aktiviteteve, në emër të Akademisë, Drejtori Jashari ndau cetifikatat e pjesëmarrjes.

Inspektorati Policor i Kosovës me përkrahjen e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike organizoi seminar rajonal për fuqizimin e kapaciteteve mbikëqyrëse policore

Vushtrri - Prishtinë, 2 deri 4 dhjetor 2024 - Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), me përkrahjen e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), ka organizuar një seminar dhe vizitë studimore tre-ditore, dukem bledhur përfaqësues të agjencive mbikëqyrëse policore nga tri shtete të rajonit: Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Kryeshefi i IPK-së Kushtrim Hodaj dhe Drejtori i AKSP-së Kastriot Jashari, mirëpritën delegacionet nga shtetet e rajonit dhe shprehën para tyre gatishmërinë për të vazhduar dhe thelluar këtë lloj bashkëpunimi ndër-institucional dhe rajonal.

Ky aktivitet i karakterit rajonal është organizuar në kuadër të aktiviteteve të Forumit Rajonal të Agjencive Mbikëqyrëse Policore që është themeluar vitin e kaluar me nënshkrimin e marrëveshjes për këtë forum nga përfaqësuesit e agjencive të katër shteteve të rajonit: Republika e Kosovës, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Seminari kishte për qëllim forcimin e kapaciteteve profesionale të agjencive mbikëqyrëse policore në rajon përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira. Një synim tjetër i seminarit ishte edhe fuqizimi i bashkëpunimit dhe koordinimit rajonal në mbikëqyrjen e punës policore dhe krijimi i një rrjeti të qëndrueshëm profesional ndërmjet agjencive pjesëmarrëse.

Gjatë kësaj vizitës studimore/seminarit u mbajtën prezantime nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike mbi standardet ndërkombëtare dhe programet e trajnimit për zyrtarët e sigurisë publike. Si pjesë e shkëmbimit të përvojave ky seminar ka përfshirë edhe prezantimet e delegacioneve pjesëmarrëse lidhur me mbikëqyrjen policore, hetimet e brendshme dhe praktikat për rritjen e transparencës dhe llogaridhënien policore.

Seminari ka vazhduar me vizitën e delegacioneve në Inspektoratin Policor të Kosovës për t’u njohur nga afër me strukturën dhe funksionimin e IPK-së dhe departamenteve të saj.

Ky seminar u përmbyll duke nxitur bashkëpunimin e ardhshëm ndërmjet agjencive mbikëqyrëse policore të rajonit për një mbikëqyrje më efektive dhe transparente të punës policore.

Statistikat

0

Numri i vijuesve të trajnimeve

0

Numri i trajnimeve

0

Numri i të diplomuarve në FSP

Institucionet e Sigurisë Publike

Pyetjet e shpeshta

Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) është institucion publik që ofron trajnim, edukim dhe zhvillim profesional për zyrtarët e sigurisë publike, duke përfshirë policinë, zjarrfikësit, doganat, shërbimin korrektues dhe agjenci të tjera relevante.

Programet e AKSP-së janë të hapura për të gjithë zyrtarët e sigurisë publike në Kosovë, si dhe për individët që kërkojnë të fillojnë karrierën e tyre në këtë fushë, sipas kritereve të përcaktuara për secilin program.

AKSP ofron programe të ndryshme trajnimi dhe edukimi, duke përfshirë:

  • Trajnime bazë për rekrutë të rinj.
  • Trajnime të avancuara për zyrtarët e sigurisë publike.
  • Program për Shkencat e Sigurisë në bashkëpunim me universitetet e akredituara.

Aplikimet mund të bëhen përmes faqes zyrtare të internetit të AKSP-së ose duke kontaktuar drejtpërdrejt departamentin përgjegjës për regjistrim. Dokumentet e nevojshme zakonisht përfshijnë formularin e aplikimit, një CV dhe vërtetime të tjera përkatëse.

Për informata të mëtejshme, mund të vizitoni faqen zyrtare të AKSP-së (www.aksp-ks.net) ose të kontaktoni përmes telefonit në numrin zyrtar: +383 (0)28 123 456.

Na Kontaktoni!

Kontaktet

Zyrtari përgjegjës për sinjalizim
Zyrtari përgjegjës për qasje në dokumente publike
Numri i telefonit

+383 28 590 070

Orari i punës

Hene-Premte 08:00-16:00