AKSP mirëpret ekipin e ekspertëve në kuadër të procesit validues dhe akreditues nga AKK
Vushtrri, 8 prill 2026 - Më 3 dhe 8 prill, Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ka mirëpritur ekipet e ekspertëve nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK), në kuadër të procesit të validimit dhe akreditimit të programeve profesionale. Vizitat u realizuan në kampusin e AKSP-së në Vushtrri.
Këto vizita me agjenda të strukturuara aktivitetesh përbëjnë një fazë të rëndësishme në vlerësimin gjithëpërfshirës të cilësisë së trajnimeve që ofron AKSP, me fokus të veçantë në përputhshmërinë e programeve me standardet e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve dhe kërkesat e tregut të punës në sektorin e sigurisë publike.
Gjatë takimeve të përbashkëta, përfaqësuesit e AKK-së u pritën nga menaxhmenti i AKSP-së, përfaqësues të të gjitha institucioneve të sigurisë publike, si: Policia e Kosovës (PK), Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), Shërbimi Sprovues i Kosovës (SHSK), Dogana e Kosovës (DK), Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME) dhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), së bashku edhe nga Koordinatori i Cilësisë në AKSP. Në këto takime u prezantuan zhvillimet institucionale, programet trajnuese dhe mekanizmat e brendshëm për sigurimin e cilësisë.
Në kuadër të procesit vlerësues, ekspertët e AKK-së zhvilluan intervista të ndara me instruktorë dhe trajnerë nga institucionet përkatës, si dhe me pjesëmarrës dhe ish-pjesëmarrës të programeve trajnuese, duke shqyrtuar nga afër qasjen pedagogjike, përmbajtjen e programeve dhe përvojën praktike në zbatimin e tyre.
Pjesë e agjendës ishte edhe vizita në kampusin e AKSP-së, ku ekipi vlerësues u njoh me infrastrukturën, kapacitetet trajnuese dhe kushtet që ofron Akademia për zhvillimin e trajnimeve profesionale.
Vizitat u përmbyllën me një takim përfundimtar ndërmjet ekipit të ekspertëve dhe menaxhmentit të AKSP-së, ku u diskutuan përshtypjet fillestare dhe hapat e mëtejmë në procesin e validimit dhe akreditimit.
Ky aktivitet përbën një hap të rëndësishëm në avancimin e cilësisë së trajnimeve dhe programeve profesionale në AKSP, duke dëshmuar përkushtimin institucional për përmbushjen e standardeve të përcaktuara nga AKK dhe zhvillimin e vazhdueshëm të kapaciteteve në sektorin e sigurisë publike.
Vazhdimi i këtij procesi dëshmon angazhimin e Akademia e Kosovës për Siguri Publike për përmirësim të vazhdueshëm, forcim të standardeve profesionale dhe harmonizim me kërkesat kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e trajnimeve për sigurinë publike.