}

NewsArticle

24/04/2026

AKSP mirëpret ekipin e ekspertëve në kuadër të procesit validues dhe akreditues nga AKK

 

Vushtrri, 8 prill 2026 - Më 3 dhe 8 prill, Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ka mirëpritur ekipet e ekspertëve nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK), në kuadër të procesit të validimit dhe akreditimit të programeve profesionale. Vizitat u realizuan në kampusin e AKSP-së në Vushtrri.

 

Këto vizita me agjenda të strukturuara aktivitetesh përbëjnë një fazë të rëndësishme në vlerësimin gjithëpërfshirës të cilësisë së trajnimeve që ofron AKSP, me fokus të veçantë në përputhshmërinë e programeve me standardet e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve dhe kërkesat e tregut të punës në sektorin e sigurisë publike.

 

Gjatë takimeve të përbashkëta, përfaqësuesit e AKK-së u pritën nga menaxhmenti i AKSP-së, përfaqësues të të gjitha institucioneve të sigurisë publike, si: Policia e Kosovës (PK), Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), Shërbimi Sprovues i Kosovës (SHSK), Dogana e Kosovës (DK), Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME) dhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), së bashku edhe nga Koordinatori i Cilësisë në AKSP. Në këto takime u prezantuan zhvillimet institucionale, programet trajnuese dhe mekanizmat e brendshëm për sigurimin e cilësisë.

 

Në kuadër të procesit vlerësues, ekspertët e AKK-së zhvilluan intervista të ndara me instruktorë dhe trajnerë nga institucionet përkatës, si dhe me pjesëmarrës dhe ish-pjesëmarrës të programeve trajnuese, duke shqyrtuar nga afër qasjen pedagogjike, përmbajtjen e programeve dhe përvojën praktike në zbatimin e tyre.

 

Pjesë e agjendës ishte edhe vizita në kampusin e AKSP-së, ku ekipi vlerësues u njoh me infrastrukturën, kapacitetet trajnuese dhe kushtet që ofron Akademia për zhvillimin e trajnimeve profesionale.

 

Vizitat u përmbyllën me një takim përfundimtar ndërmjet ekipit të ekspertëve dhe menaxhmentit të AKSP-së, ku u diskutuan përshtypjet fillestare dhe hapat e mëtejmë në procesin e validimit dhe akreditimit.

 

Ky aktivitet përbën një hap të rëndësishëm në avancimin e cilësisë së trajnimeve dhe programeve profesionale në AKSP, duke dëshmuar përkushtimin institucional për përmbushjen e standardeve të përcaktuara nga AKK dhe zhvillimin e vazhdueshëm të kapaciteteve në sektorin e sigurisë publike.

 

Vazhdimi i këtij procesi dëshmon angazhimin e Akademia e Kosovës për Siguri Publike për përmirësim të vazhdueshëm, forcim të standardeve profesionale dhe harmonizim me kërkesat kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e trajnimeve për sigurinë publike.


 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Në AKSP u prezantuan rezultatet e projektit shkencor mbi zbatimin e Konventës së Stambollit në fushën e hetimeve, ndjekjes penale dhe masave mbrojtëse në Republikën e Kosovës
Në AKSP u prezantuan rezultatet e projektit shkencor mbi zbatimin e Konventës së Stambollit në fushën e hetimeve, ndjekjes penale dhe masave mbrojtëse në Republikën e Kosovës

 

Vushtrri, 22 prill 2026 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike është mbajtur sot tryeza për prezantimin e rezultateve të projektit shkencor “Zbatimi i standardeve të Konventës së Stambollit në fushën e hetimeve, ndjekjes penale dhe masave mbrojtëse në Republikën e Kosovës”, i mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Në fjalën hyrëse morën pjesë përfaqësues institucionalë, përfshirë u.d. Drejtorin e Përgjithshëm të AKSP-së, z. Shpend Shabani, u.d. Prodekanen e Fakultetit të Sigurisë Publike, Dr. Sc. Anita Zenuni, si dhe përfaqësues të institucioneve të  sistemit të drejtësisë, Dr. Sc. Dardan Vuniqi, zv. Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Dr. Sc. Ahmet Imami, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. U theksua rëndësia e zhvillimit të projekteve shkencore, pasi tanimë AKSP ka marrë edhe ri-akreditimit institucional për periudhën e ardhshme pesë vjeçare, por edhe rëndësia e këtij raporti hulumtues lidhur me evidentimin e gjendjes dhe rekomandimet përkatëse në këtë fushë. Ata theksuan veçanërisht rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimit të politikave dhe praktikave në mbrojtje të viktimave.

Rezultatet e projektit u prezantuan nga bartësi i projektit, Prof. Asoc. Dr. Vilard Bytyqi, së bashku me ekspertin ndërkombëtar, Prof. Asoc. Dr. Vedije Ratkoceri. Gjatë prezantimit u theksua se studimi konfirmon një nivel të avancuar të harmonizimit juridik dhe normativ të Kosovës me standardet e Konventës së Stambollit, duke krijuar një bazë solide ligjore për adresimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave. Megjithatë, përfundimi kryesor i studimit identifikon ekzistencën e një hendeku ndërmjet normës dhe praktikës, i cili reflektohet në mungesën e standardizimit, në kapacitetet e kufizuara institucionale, në koordinimin jo të mjaftueshëm ndërinstitucional dhe në sfida, si nën-raportimi i rasteve. Studimi rekomandon fokus të shtuar në standardizimin e procedurave, zhvillimin e mekanizmave për vlerësimin e rrezikut, forcimin e koordinimit ndërinstitucional, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e zbatimit të ligjit dhe të drejtësisë.

Në përmbyllje, tryeza vijoi me diskutim të hapur ndërmjet pjesëmarrësve. Tryeza u drejtua nga Prof. Florentina Shala Braha, ndërsa në të morën pjesë profesorët e Fakultetit të Sigurisë Publike, zyrtarë dhe drejtues të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe të ftuar nga institucionet tjera të zbatimit të ligjit në Republikën e Kosovës.


Lexo më shumë
Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike filloi trajnimi i gjeneratës së 63-të të kadetëve të Policisë së Kosovës
Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike filloi trajnimi i gjeneratës së 63-të të kadetëve të Policisë së Kosovës

 

Vushtrri, 27 prill 2026 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ka filluar zyrtarisht trajnimi profesional për gjeneratën e 63-të të kadetëve të Policisë së Kosovës. Në këtë program të trajnimit janë përfshirë gjithsej 412 kadetë.

 

Ky trajnim përbën një fazë thelbësore në përgatitjen profesionale dhe institucionale të zyrtarëve të rinj policorë, të cilët në të ardhmen do të kontribuojnë në zbatimin e ligjit, ruajtjen e rendit dhe garantimin e sigurisë publike në Republikën e Kosovës.

 

Përmes këtij programi synohet ndërtimi i një kuadri profesional, të përgjegjshëm dhe të përkushtuar ndaj sigurisë publike.

 

Gjatë periudhës së trajnimit, kadetët do të pajisen me njohuri profesionale dhe do të zhvillojnë shkathtësi praktike dhe kompetenca të domosdoshme për ushtrimin e detyrave të tyre si zbatues të ligjit.

 

Përmes një kombinimi të ligjëratave, ushtrimeve praktike dhe simulimeve të situatave reale, synohet që ata të jenë të përgatitur në mënyrë gjithëpërfshirëse për sfidat e profesionit si zyrtarë policor.

Lexo më shumë
Logo

Na ndiqni në rrjetet sociale!

Lokacioni:

Rr: "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", Nr.60, 42000 Vushtrri, Republika e Kosovës