Vushtrri, 6 dhjetor 2022 – Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Kastriot Jashari, priti sot në takim një delegacion nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, në përbërje të të cilit ishin Remzije Potoku, specialiste për politika të arsimit në këtë ambasadë, Gresë Koca, asistente e angazhimit publik dhe Nora Nimani Musa, koordinatore e programit të Këshillave Amerikanë për Arsim Ndërkombëtar në Kosovë.
Qëllimi i vizitës ishte prezantimi rreth ecurisë së Projektit të eksplorimit të hetimit kibernetik dhe rritjes së sigurisë kibernetike të zbatimit të ligjit në Kosovë.
Ky projekt është duke u zbatuar qe dy javë në Akademi përmes programit të specialistëve Fullbright të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga profesori Michael Losavio nga Universiteti Lousville i SHBA-ve.
Gjatë këtij takimi u diskutua rreth bashkëpunimit dhe partneritetit reciprok në mes të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë në fushën e arsimit. Fokus i këtij takimi ishin projektet e planifikuara që do të realizohen në Akademi tani dhe në një të ardhme të afërt.
Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Kastriot Jashari, i dëshiroi mirëseardhje delegacionit, ndërkohë që i informoi për zhvillimet në Akademi.
Gjatë këtij takimi Jashari foli për trajnimet që mbahen në Akademi për projektet që janë realizuar, konkretisht rreth projektit të eksplorimit të hetimit kibernetik dhe rritjes së sigurisë kibernetike të zbatimit të ligjit në Kosovë, i cili është duke u realizuar në përkrahje të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë.
Ai me këtë rast falënderoi të gjithë mekanizmat e ndërlidhur të SHBA-ve për realizimin e këtij projekti. Jashari falënderoi edhe Muhamed Gërxhaliun, ekspert i jashtëm i cili është i angazhuar vullnetarisht për këtë projekt dhe grupin punues përkatës të Akademisë.
Duke folur për bashkëpunimin që Akademia ka me ambasadën amerikane në Kosovë, konkretisht me ICITAP-in, Jashari tha se ndihma e SHBA-ve është e nevojshme për vendin tonë, ndërkohë shfaqi shpresën se bashkëpunimi me SHBA-të do të vazhdojë edhe më tutje.
“Falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin e dhënën në Akademi. Akademia është në funksion të trajnimit dhe arsimimit të lartë për të gjithë zbatuesit e ligjit në institucionet e sigurisë”, tha Jashari.
Ndërsa, Remzije Potoku, specialiste për politika të arsimit në këtë ambasadë vlerësoi lartë punën në realizimin e këtij projekti, duke arritur që shumë shpejt të përfundohet kurrikula për hetimin dhe sigurinë kibernetike në nivelin fillestar si trajnim për të gjithë zbatuesit e ligjit në Kosovë. Ajo më tej shprehu përkrahjen e ambasadës së SHBA-ve në Kosovë për zgjerimin e këtij projekti dhe inkurajoi zyrtarët e lartë të Akademisë, të pranishëm në këtë takim, që të aplikojnë dhe të përfitojnë sa më shumë nga projektet e SHBA-ve në fushën e arsimit që i dedikohen Kosovës.
Kurse, Nora Nimani Musa koordinatore e programit të Këshillave Amerikanë për Arsim Ndërkombëtar në Kosovë, foli për ecurinë e inicimit, realizimit dhe zhvillimit të këtij projekti.