19/02/2021
Akademisë iu dhurua donacion mbi 400 libra pune për mësimin e gjuhës shqipe dhe serbe
Vushtrri, 19 shkurt 2021 – Mbi 400 kopje libra të punës “Programi i Mbështetjes për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike” për mësimin e gjuhës shqipe dhe serbe ju dhuruan Akademisë sot donacion, nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë në bashkëpunim me Misionin e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) si dhe Zyrës së Komisionerit për Gjuhë në Kosovë.
Në ceremoninë e donacionit të librave të punës dhe kursit online për mësimin e gjuhës shqipe dhe serbe morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Arton Berisha, Zëvendës ambasadori i Ambasadës së Britanisë në Kosovë Jacob Webber, Komisioneri për Gjuhë Slaviša Mladenović, Drejtori i Drejtorisë për Trajnime Themelore të Policisë së Kosovës Agron Rukiqi si dhe zyrtarë tjerë të lartë nga Ambasada, IOM, Zyra e Komisionerit për Gjuhë, Akademia etj.
Qëllimi i këtij donacion është që të ndihmojë zyrtarët e sigurisë publike të mësojnë gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe në mënyrë që ta kenë sa më të lehtë komunikimin.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Arton Berisha e falënderoj Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Misionin e IOM-it në Kosovë dhe Zyrën e Komisionerit për Gjuhë pranë zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës për donacionin e dhënë. Drejtori Berisha tha se ky donacion është shumë i rëndësishëm për Akademinë dhe për zyrtarët e sigurisë publike në Kosovë.
“Librat e punës dhe kursi online për pjesëtarët shqipe folës të Policisë së Kosovës të cilët nuk e flasin gjuhën serbe si dhe për ata serbisht folës që nuk e flasin gjuhën shqipe do të jetë një ndihmë dhe kontribut i madh në aspektin e përmirësimit të komunikimit ndëretnik në Kosovë”, u shpreh Berisha duke thënë se mësimi i gjuhës shqipe dhe asaj serbe i ndihmon zyrtarët e sigurisë publike në kryerjen e detyrës së tyre në mënyrë sa më efikase.
“Kjo njëkohësisht do të kontribuojë edhe në zvogëlimin e të gjitha llojeve të krimit më të cilat ballafaqohen çdo ditë zyrtarët e Policisë së Kosovës, pasi që aftësitë për komunikim në nivelin e nevojshëm janë çelës për një angazhim sa më efikas dhe efektiv të policisë në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të saj”, tha Berisha.
Ai tha se Akademia e Kosovës për Siguri Publike është e përkushtuar vazhdimisht në ngritjen e nivelit dhe rritjen e cilësisë edhe në trajnimet profesionale, por edhe në arsimin e lartë, jo vetëm për zyrtarët e Policisë së Kosovës, por edhe për të gjitha të tjerët nga fusha e zbatimit të ligjit, siç janë doganierët, korrektuesit, sprovuesit, inspektorët policorë dhe ata të menaxhimit emergjent.
“Akademia do të angazhohet për ngritjen e nivelit të aftësive komunikuese të zbatuesve të ligjit nga të gjitha grupet etnik në Kosovë pa dallim”, tha Berisha.
Berisha tha se donacioni i librave të punës dhe kursit online është shumë i nevojshëm në këto kohë pandemie, i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në epokën kur komunikimi është çelësi i suksesit.
Zëvendës Ambasadori i Mbretërisë së bashkuar në Kosovë Jacob Webber tha se që nga viti 2017 Ambasada dhe IMO kanë shfrytëzuar trajnimet në platformën online për mësimin e gjuhës shqipe dhe gjuhës serbe. Ai vlerësoj se numri i atyre për të mësuar gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe është në rritje.
Duke folur rreth projektit që ka për qëllimi mësimin e dy gjuhëve në fjalë, gjuhës shqipe dhe asaj serbe ambasadori Webber tha se mosnjohja e gjuhëve ndermjet komuniteteve ndikon në cilësinë e punës dhe zhvillimit të jetës. Më këtë rast ambasadori Webber shprehi gatishmërinë që ta përkrah Akademinë dhe institucionet tjera publike në avancimin dhe njohjen e gjuhëve të njëri tjetrit.
Ndërsa Komisioner për Gjuhë në Qeverinë e Kosovës Slaviša Mladenović vlerësoj në mënyrë pozitive bashkëpunim me Akademinë.
“Dorëzimi i këtyre librave për përmirësimin e gjuhës për kadetët e Akademisë së Sigurisë nuk do më thënë që diçka i mungon institucioneve ose Akademisë. Në fakt kjo shihet si diçka pozitive që Akademia dhe institucionet sigurisë publike janë gati më qenë edhe ma mirë në zbatimin e mandatit të tyre”, tha Mladenović.
Mladenović tha se programi në fjalë u mundëson komunikim më të mirë anëtareve të institucioneve të sigurisë publike më qytetarët e komuniteteve tjera. “Kjo do të mundësoi funksionimin e plotë të dy gjuhësisë në institucionet e Kosovës. Ky është një imazh pozitive për institucionet dhe për Akademinë”, tha Mladenović