Vushtrri, 7 maj 2020 – Sot me 7 maj 2020 nga ora 14:00 është realizuar mbrojtja e parë nga distanca e punimit të temës së diplomës në Fakultetin e Sigurisë Publike, nga studenti Mentor Gajtani, me titull të temës së diplomës: “Kujdesi shëndetësor dhe sëmundjet më të shpeshta tek të burgosurit në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan”. Studenti Mentor Gajtani është i punësuar si zyrtar korrektues në Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe përgjatë katër viteve të studimit, ka ndjekur në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike programin studimor bachelor “Siguria Publike”, drejtimi korrektues.
Mbrojtja e punimit të temës së diplomës u bë para komisionit në përbërje:
1. Prof.Ass.Dr. Vilard Bytyqi, kryetar
2. Mr.sc. Anita Zenuni, phd cand., anëtar;
3. Prof.Ass.Dr. Ferid Azemi, mentor.
Punimi i diplomës u realizua nëpërmjet platformës Google Meet, duke respektuar procedurën për mbrojtjen e punimit të temës së diplomës të paraparë sipas Rregullores (QRK) nr. 05/2019 së Arsimit të Lartë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike dhe Rregullores (AKSP) nr. 05/2014 për hartimin dhe mbrojtjen e punimit të temës së diplomës.
Në këtë mbrojtje të punimit të temës së diplomës, mori pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së Ismail Smakiqi dhe Dekani i FSP-së Bejtush Gashi.
Drejtori i Përgjithshëm Smakiqi përgëzoi menaxhmentin e fakultetit, komisionin për vlerësim dhe mbrojtje të temës së diplomës, personelin e IT-së për krijimin e kushteve teknike, që me përkushtimin dhe angazhimin e tyre u bë e mundur që për herë të parë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike u realizua mbrojtja e parë e punimit të temës së diplomës nën masat e ndërmarra ndaj pandemisë Covid-19. Drejtori Smakiqi theksoi se është shumë e rëndësishme që puna akademike dhe shkencore të mos ndalet dhe e njëjta të vazhdojë duke respektuar dhe përshtatur rekomandimeve dhe masave të ndërmarra ndaj pandemisë Covid-19.
Dekani i FSP-së, Bejtush Gashi përmendi përkushtimin e menaxhmentit të fakultetit dhe stafit akademik që edhe gjatë pandemisë globale Covid-19, është bërë përpjekje dhe angazhim maksimal që puna me studentë të jetë efektive dhe profesionale, duke përmbushur të gjitha kërkesat akademike që dalin nga programi studimor “Siguria Publike” që realizohet në AKSP, duke filluar nga mbajtja e ligjeratave nga distanca, konsultimeve dhe komunikimit me studentë, monitorimi i punës praktike të studentëve në agjencitë e sigurisë publike dhe tash së fundi edhe realizimi i mbrojtjes së punimeve të temave të diplomës nga distanca.