Sot u shënua 20 vjetori i themelimit të Akademisë
Vushtrri, 06 shtator 2019 – Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot shënoi 20 vjetorin e themelimit të saj, ku u vlerësua se gjatë kësaj periudhe ka pasur shumë të arritura sa i përket trajnimeve dhe arsimit në fushën e sigurisë publike.
Në ceremoni morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Policisë në Shqipëri Bilbil Mema, Menaxherja e Programit të ICITAP-it në Kosovë Kimberly Riffe, Zëvendës udhëheqësi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) më mision në Kosovë Kilian Wahl, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Calaj, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektuese Nehat Thaçi, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës Bahri Berisha, Kryeshefja Ekzekutive e Inspektoratit Policor të Kosovës Miradije Kelmendi, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent Fadil Kodra, ish udhëheqësit e Akademisë si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Me rastin e njëzet vjetorit të Akademisë e cila atëherë është quajtur Shkolla e Shërbimit Policor të Kosovës, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në zhvillimin e Akademisë.
Drejtori Smakiqi tha se këtë vit shumë institucione në Kosovë festojnë njëzet vjetorin e fillimit të punës së tyre, por vlerësoj se njera prej institucioneve më të rëndësishme të vendit, në fushën e sigurisë publike është ish Shkolla e Shërbimit Policor të Kosovës, tani Akademia e Kosovës për Siguri Publike.
“Në muajin gusht të vitit 1999, misioni i OSBE-së në Kosovë filloi procesin e rekrutimit të punonjësve në OSBE, ndërsa më 6 shtator 1999 OSBE e hapi Shkollën e Policisë dhe ka filluar trajnimin e kadetëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Gjenerata e parë e kadetëve numëroi 176 pjesëtarë”, tha Smakiqi.
Smakiqi tha se gjatë këtyre 20 viteve historia e Akademisë është historia e formimit, plotësimit të kapaciteteve njerëzore dhe zhvillimeve të Agjencive të Sigurisë Publike, të cilat merren me zbatimin e ligjit në Kosovë.
“Mandati i Akademisë, institucion përgjegjës për ofrimin e trajnimeve dhe arsimit të lartë, në fushën e sigurisë publike, për të gjitha institucionet e sigurisë publike, është padyshim vlera më e lartë e këtyre njëzet viteve, në fushën e arsimimit të institucioneve të sigurisë publike”, tha Smakiqi.
Drejtori Smakiqi falënderoi OSBE dhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës për ndihmën që i ka barë Akademisë që nga themelimi e deri me tani.
“Më lejoni të shpreh konsideratën më të lartë për ju dhe institucionet të cilat ju i udhëhiqni, për kontributin e jashtëzakonshëm për Akademinë. Ju dhe institucionet tuaja, në faza të ndryshme të zhvillimit të Akademisë keni udhëhequr Akademinë, që nga themelimi i saj, keni mbështetur dhe keni këshilluar Akademinë”, u shpreh Smakiqi.
Drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së Ismail Smakiqi, tha se 2019-ta shënon historinë më të re të Akademisë me mbajtjen e trajnimeve profesionale të akredituara në Autoritetin kombëtar të kualifikimeve, bazuar në Kornizën Kombëtare dhe Evropiane të Kualifikimeve, si dhe të Akreditimit të Akademisë nga Asociacion Ndërkombëtar i drejtorëve të standardeve dhe trajnimit të Zbatimit të ligjit (IADLEST) të SHBA-ve. “Akreditimi nga IADLEST, siç dihet është akreditimi i parë i një akademie jashtë SHBA-ve”, tha Smakiqi
Po ashtu drejtori Smakiqi falënderoi edhe ministrinë e Punëve të Brendshme Ekrem Mustafa si dhe kryetarin e Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, për përkrahjen e Akademisë në zhvillimet e saj.
Një falënderim të veçantë drejtori Smakiqi ka bërë për drejtorin e parë të Akademisë, Steve Bennett i cili ka qenë siç tha Smakiqi njëri ndër kontribuuesit më të mirë të zhvillimit të Akademisë.
Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues Nehat Thaçi i cili njëherit është edhe kryesuesi i Bordit të AKSP-së, tha se Akademia është tempull i dijës i cili prodhoi president, lider, udhëheqës të institucioneve të sigurisë. “Akademia është tempull në të cilën linden sportistë të cilët zbardhen fytyrën e Akademisë dhe shtetit tonë në arenat ndërkombëtare, tempull i dijes që prodhoi njerëz të cilët ngritën kulturën familjare dhe edukatën familjare”, u shpreh Thaçi duke e inkurajuar Akademinë dhe stafinë për punën e tyre.
“Ju inkurajoj në emër të bordit që të vazhdoni të prodhoni produktin i cili garanton sigurinë kombëtare të vendit tonë”, përfundoi Thaçi.
Në ceremoninë e 20 vjetorit të themelimit të Akademisë ka folur edhe zëvendës udhëheqësi i misionit të OSBE-së në Kosovë Kilian Wahl. Më këtë rast Wahl vlerësoi lartë të arriturat e Akademisë, duke thënë se gjatë kësaj përiudhe ka pasur mjaftë të arriturat në Akademi.
Wahl tha se Akademia është bërë ofruesi kryesor i trajnimit dhe edukimit për Policinë e Kosovës, për Shërbimin Korrektues, Doganat, Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave dhe Inspektoratit Policor të Kosovës.
“OSBE ka vazhduar të jetë ofruesi i vetëm dhe më i madh ndërkombëtar i trajnimeve për sigurinë publike dhe Agjencitë e zbatimit të ligjit, duke u përpjekur të mbështesë punën e Akademisë. Mesatarisht që nga viti 2006 misioni ka ofruar afër 60 trajnime të specializuara dhe të avancuara profesionale për cdo vit\", tha ai duke thënë se OSBE-ja bashkëpunojë me të gjitha palët e interesit, për të siguruar që kjo Akademi të ofrojë cilësi të konsiderueshme dhe të sigurojë shërbimet më të mira të mundshme të sigurisë.
Edhe Menaxherja e Programit të ICITAP-it në Kosovë Kimberly Riffe vlerësoj lartë punën e Akademisë për gjatë këtyre 20 viteve. Riffe tha se ICITAP do të vazhdojë ta përkrah Akademinë edhe më tutje.
Ajo tha se akreditimi ndërkombëtarë i Akademisë është një arritur e madhe, ndërsa vlerësoj se hapi tjetër i madh është që Akademia të ri akreditohet.
Riffe tha se Akademia duhet të vazhdojë që të punojë më përkushtimin të ofroj trajnime në fushën e sigurisë për të gjithë zbatuesit e ligjit.
Kurse Steve Bennett e cili ishte drejtori i parë i Akademisë e cila atëherë është quajtur Shkolla e Shërbimit Policor të Kosovë, tha se për këto vite Akademia ka përparuar shumë.
“Jam shumë i emocionuar, kjo ditë ma kujton të kaluarën time. Nuk besoj që janë shtatë janë më mijëra që kanë kontribuar në arritjen këtu dhe meritat e tyre që kanë punuar gjatë gjithë kohës. Ky ka qenë një përkushtim ekipor, grupor dhe përkrahja e institucioneve financiare kanë bërë të mundur këto arritje. Jam shumë krenar për këtë. Me duket vetja siku prind kur e shoh se çka ka ndodhur këtu. Ndihemi krenar që kam qenë këtu që nga fillimi, që nga lindja e Akademisë, mirëpo kjo është rritur dhe është bërë profesionistë dhe po njihet ndërkombëtarësh”, u shpreh Bennett.
Ndërkaq ish drejtori i Policisë së Kosovës dhe i Akademisë, Sheremet Ahmeti ka falënderuar të gjitha ata që kanë kontribuar në zhvillimin e shtetit. “Nuk duhet harruar ndihmën e madhe që OSBE-ja dha vazhdimisht në ngritjen dhe përkrahjen në të gjitha kapacitet e Policisë së Kosovës. Përshëndes të gjithë ata që kanë ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve të të gjithë zyrtarëve të sigurisë publike. “Nuk ka asgjë më të shenjtë së sa t'i shërbesh vendit tanë, qytetarëve të vendit”, tha Ahmeti
Në fund Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi ka nda mirënjohje partnerëve të Akademisë OSBE-së dhe ICITAP-it, si dhe ish udhëheqësve të AKSP-së. Për të shënuar 20 vjetorin e themelimit të Akademisë u prezantua edhe një dokumentarë ku u pasqyruan të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe.