Trajnim, arsimim dhe hulumtim me cilësi të lartë në fushën e sigurisë publike

Lajmet

Delegacioni nga AKSP qëndroi në një mobilitet në Universitetin e Zjarrfikjes të Polonisë përmes programit Ersasmus+

Vushtrri, 22 maj 2026- Një delegacion i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), i përbërë nga dr. Anita Zenuni, u.d. Prodekane e Fakultetit të Sigurisë Publike (FSP) të AKSP-së, Skender Agaj, zyrtar i lartë për marrëdhënie shumëpalëshe, dr. Halil Asllani, ligjërues i rregullt në FSP dhe Valdet Surdulli, zyrtar i lartë i Divizionit për Përkrahje Studentore, gjatë kësaj jave, përkatësisht nga 18 - 22 maj 2026, morën pjesë në mobilitetin e stafit në Universitetin e Zjarrfikjes në Varshavë të Polonisë, aktivitet ky i zhvilluar përmes bashkëpunimit të të dyja institucioneve në kuadër të programit Erasmus+ të BE-së. Ekipi nga Kosova u prit dhe u shoqërua nga Olimpia Mnich, Koordinatore e Universitetit për programin Erasmus+ dhe Major dr. Szymon Ptak, Zëvendës Koordinator.

 

Gjatë këtij qëndrimi, zyrtarët nga AKSP prezantuan historikun, gjendjen aktuale, të arriturat dhe perspektivën e AKSP-së, si dhe patën mundësi që të mësonin nga prezentimet e të tria institucioneve nga Polonia, Ukraina dhe Uzbekistani. Ata vizituan Njësinë e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në kuadër të Universitetit të Zjarrfikjes, Shpëtimin Mjekësor Emergjent, studio prej nga mësohet komunikimi me publikun në rast krizash emergjente, laboratorin e inxhinierisë elektrike, laboratorin e pajisjeve të shpëtimit, si dhe zhvilluan një vizitë në Qendrën e Trajnimit për Shpëtim, Logjistikë dhe Bazë Zhvillimi në Nowy Dwór Mazowiecki, qendër ku mbahen ushtrimet dhe trajnimet praktike në kuadër të Universitetit të Zjarrfikjes, ku u pritën nga kolonel MSc. inxh. Grzegorz Bełtowski, Menaxher i saj.

 

Në të gjitha këto takime dhe vizita, zyrtarët nga Akademia i njoftuan partnerët polakë në lidhje me sistemin e zjarrfikjes e shpëtimit në Kosovë dhe trajnimit e arsimit në këtë fushë, duke potencuar marrjen e përvojave dhe ekspertizave polake në rastet e hapjes së mundësive për zhvillim dhe investime në këtë fushë në Kosovë, ku partnerët polakë u shprehën të gatshëm për të ndarë ato përvoja.

 

Përveç kësaj, zyrtarët nga Akademia u interesuan edhe për aspekte praktike të menaxhimit të përgjithshëm dhe atij financiar të fondeve të Erasmus+ dhe marrjen e praktikave nga partneri polak, Universiteti i Zjarrfikjes, kurdoherë që do të jetë e mundshme që fonde të tilla të menaxhohen nga AKSP-ja për projektet që ajo do t’i zhvillojë në të ardhmen në kuadër të programit Erasmus+.

 

Përveç takimeve dhe aktiviteteve të organizuara nga Universiteti i Zjarrfikjes së Polonisë, pjesëmarrësit nga Kosova shfrytëzuan rastin ta zhvillojnë një takim zyrtar edhe me Shefin e Misionit të Konsulatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Varshavë, Ambasadorin Drilon Gashi.

Ai i njoftoi zyrtarët e AKSP-së për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet të dyja shteteve, Kosovës dhe Polonisë, si dhe për përpjekjet e tij për ngritjen dhe intensifikimin e këyre marrëdhënieve në fusha të ndryshme.

 

Përderisa zyrtarët e Akademisë e njoftuan Ambasadorin Gashi me konceptin e Akademisë, bashkëpunimin e deritashëm dhe në të ardhmen me Universitetin e Zjarrfikjes në Poloni si dhe idetë dhe mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit me institucionin në fjalë dhe institucione të tjera nga Polonia.

 

Në fund të vizitës, zytarët e Akademisë e ftuan Ambasadorin Gashi për një vizitë në Akademi kurdo që ai do të jetë në Kosovë.

 

Përveç delegacionit nga Kosova, të pranishëm në këtë vizitë ishin edhe përfaqësues nga Universiteti Shtetëror i Sigurisë së Jetës i Lvivit nga Ukraina dhe Universiteti Shtetëror Teknik i Karshi nga Uzbekistani, me të cilët u ra dakord për gjetjen e mënyrave të bashkëpunimit në të ardhmen.

 

Mobiliteti në fjalë është realizuar përmes programit Erasmus+ të Bashkimit Evropian, përkatësisht Marrëveshjes Ndër-Institucionale ndërmjet AKSP-së dhe Universitetit të Zjarrfikjes në Poloni, e cila në fillim është nënshkruar në vitin 2016 dhe është ripërtërirë edhe më tutuje.

 

Përfaqësues të AKSP-së po marrin pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të EFSCA 2026 në Republikën Çeke

Ostrava, Republika e Çekisë, 21 maj 2026 - Me ftesë të Asociacionit të Kolegjeve Evropiane të Shërbimit të Zjarrëfikjes (EFSCA), organizatë në të cilën Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) është anëtare me të drejta të plota, dy zyrtarë të lartë të AKSP-së, përkatësisht z. Shpend Shabani, U.d. Drejtor i Përgjithshëm dhe z. Rrahim Rexha, Drejtor i DFSHP janë duke marrë pjesë në takimin dhe konferencën ndërkombëtare vjetore të EFSCA-së, e cila po mbahet më 19 - 21 maj 2026 në Ostrava të Republikës Çeke.

Konferenca ndërkombëtare EFSCA 2026 ka mbledhur përfaqësues të institucioneve trajnuese, akademike dhe profesionale nga shtetet anëtare të EFSCA-së, të cilat veprojnë në fushën e sigurisë publike, mbrojtjes nga zjarri, menaxhimit të emergjencave dhe menaxhimit të krizave. Gjatë konferencës po zhvillohen prezantime profesionale, diskutime tematike dhe shkëmbim përvojash lidhur me praktikat bashkëkohore të trajnimit, arsimit, dhe ngritjes së kapaciteteve profesionale në sektorin e sigurisë. Po ashtu, ekspertë dhe përfaqësues ndërkombëtarë po trajtojnë sfidat aktuale dhe perspektivat e zhvillimit në këto fusha me rëndësi të veçantë për sigurinë publike.

Aktivitetet po zhvillohen në qytetin e Ostravës, një qendër me traditë të fuqishme industriale dhe minerare, e cila sot njihet si një qendër moderne e inovacionit, kulturës dhe ekspertizës profesionale.


Akreditohet programi studimor “Siguri Publike” në nivelin Bachelor nga Agjencia e Kosovës për Akreditim

 

Vushtrri, 21 maj 2026 - Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka arritur akreditimin e programit të ri studimor “Siguri Publike” në nivelin Bachelor për periudhën trevjeçare nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.

 

Vendimi është marrë në mbledhjen e 149-të të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të mbajtur më 18 maj 2026, pas shqyrtimit të raportit të ekipit të ekspertëve ndërkombëtarë për programin studimor të AKSP-së. Programi “Siguri Publike” është akredituar në nivelin Bachelor me 180 ECTS, me kuotë prej 55 studentësh dhe kohëzgjatje trevjeçare të studimeve.

 

Programi studimor “Siguri Publike” është dizajnuar si program i ri studimor në fushën e sigurisë publike, me fokus në përgatitjen akademike dhe profesionale të kuadrove për institucionet dhe agjencitë e sistemit të sigurisë publike në Republikën e Kosovës. Programi është ndërtuar mbi një qasje të integruar, duke reflektuar specifikat, kompetencat dhe fushëveprimin e agjencive të sigurisë publike.

 

Akreditimi i programit studimor vjen pas suksesit të rëndësishëm institucional të Akademisë, e cila në fillim të këtij viti ka arritur akreditimin institucional pesëvjeçar në arsimin e lartë.

 

Akademia u është mirënjohëse të gjithë atyre që kanë kontribuar në arritjen e këtij suksesi institucional, përfshirë Agjencinë e Kosovës për Akreditim, Këshillin Shtetëror të Cilësisë, ekspertëve ndërkombëtarë të angazhuar në procesin e vlerësimit, studentëve, përfaqësuesve të institucioneve të sigurisë publike, si dhe të gjithë të tjerëve që kanë kontribuar dhe janë bërë pjesë e rëndësishme e këtij suksesi.

 

Ky sukses është dëshmi e përkushtimit të menaxhmentit dhe gjithë stafit të Akademisë, të cilët me angazhim dhe profesionalizëm kanë kontribuar drejtpërdrejt në avancimin e standardeve të cilësisë dhe zhvillimin e arsimit të lartë në fushën e sigurisë publike.

 

Së shpejti Akademia do të fillojë përgatitjet dhe procedurat për regjistrimin e studentëve në programin e ri studimor “Siguri Publike”, ndërsa fillimi i vitit të ri akademik planifikohet të realizohet në muajin tetor të këtij viti.


 

Statistikat

0

Numri i vijuesve të trajnimeve

0

Numri i trajnimeve

0

Numri i të diplomuarve në FSP

Institucionet e Sigurisë Publike

Pyetjet e shpeshta

Akademia e Kosovës për Siguri Publike është institucion përgjegjës për ofrimin e trajnimeve dhe arsimit të lartë, zbatimin e politikave dhe strategjive të trajnimit, arsimimit të lartë si dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë publike për të gjitha institucionet e sigurisë publike në Republiken e Kosovës por pa u kufizuar vetëm në:

  1. Policinë e Kosovës;
  2. Shërbimin Korrektues;
  3. Shërbimin Sprovues;
  4. Doganën e Kosovës;
  5. Agjencinë e Menaxhimit Emergjent
  6. Inspektoratin Policor të Kosovës

Zyrtar i një Agjencie të Sigurisë Publike (ASP) mund të bëhet çdo qytetar i Republikës së Kosovës i cili duhet të kaloj përmes procedurave te hapura të konkurimit. Aplikimi mund të bëhet përmes faqes zyrtare të internetit të ASP-ve përkatëse apo kritereve të përcaktuara paraprakisht prej ASP-ve, dhe pas përzgjedhjes sipas kritereve të konkursit, i njëjti i nënshtrohet Trajnimit Profesional në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP).

Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ofron trajnime të niveleve të ndryshme dhe arsim të lartë për zyrtarët e sigurisë publike me qëllim të ngritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve të tyre.

 

Programet e trajnimit fillojnë nga Trajnimi Profesional, që u dedikohet zyrtarëve fillestar që për herë të parë themelojnë marrëdhënie pune, pastaj trajnime bazike, të avancuara dhe të specializuara. Në kuadër të këtyre kategorive hyjnë trajnimi për zhvillimin e instruktorëve (ToT) dhe menaxhment dhe lidership.

Varësisht nga Analiza e Nevojave për Trajnim të Agjencioneve të Sigurisë Publike, përzgjidhen zyrtarët e caktuar për të ndjekur trajnimin përkatës. Këtë propozim për te ndjekur trajnime e bëjnë udhëheqësit e drejtperdrejt nga Agjencitë e Sigurisë Publike përkatëse, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të zyrtareve publik (zbatuesve të ligjit) dhe ofrimin e njohurive dhe shkathtësive qoft të atyre të domosdoshme apo të reja për fusha të caktuara.

Për informata të mëtejshme, mund të vizitoni faqen zyrtare të AKSP-së (www.aksp-ks.net) ose të kontaktoni përmes telefonit në numrin zyrtar: +383 (0)28 59 00 70.

Na Kontaktoni!

Kontaktet

Zyrtar përgjegjës për të pranuar dhe trajtuar sinjalizimin
Zyrtari përgjegjës për qasje në dokumente publike
Zyrtari kontaktues me Agjencinë për Parandalimin e Korrupcionit (APK)
Zyrtari përgjegjës për zgjidhjen e situatave të konfliktit të interesit
Zyrtari për mbrojtjen e të dhënave personale
Numri i telefonit

+383 28 590 070

Orari i punës

Hëne-Premte 08:00-16:00